Portieri i Juventusit dhe i kombëtares italiane, Gianluigi Buffon, ka çmimin “Golden Foot” (Këmba e Artë), i cili u jepet futbollistëve mbi 28 vjeç për suksese të veçanta në karrierë.
Buffon është i katërti italian që fiton këtë çmim, pas Roberto Baggio(2003), Alex Del Piero (2007) e Francesco Totti (2010). “Golden Foot” lindi në vitin 2003 dhe mund të fitohet vetëm njëherë në jetë.
Fituesit e trofeut lënë gjurmën e tyre në Champions Promenade në Monaco.
Buffon, si portier që është, e fitoi çmimin falë asaj që ka bërë jo me këmbë por me duar gjatë karrierës së tij, ndaj edhe u ka kushtuar një mesazh vërtet prekës atyre. Edhe në Champions Promenade ka lënë pikërisht formën e duarve të tij të arta.
“Para shprehjeve frymëzuese, para mendimeve që të lartësojnë, para heshtjes që thotë më tepër se një mijë fjalë, unë kam preferuar gjithmonë duart. Duart që bëjnë. Duart që ndihmojnë, duart që bëhen pis. Me duar, të porsalindurit kërkojnë gjoksin e nënës. Me duar, babai i lidh këpucët djalit.
I vogël shihja duart e prindërve dhe kujtoj punën, mundimet sakrificat. Sot shoh duart e mia dhe brenda tyre shikoj të gjitha ëndrrat e mia, të realizuara ose jo.
Me duar përqafohet dhe dashurohet. Me duar ngrihesh nga toka kur bie. Me duar gërrmohet mes gërmadhave pas tërmetit. Me duar kërkohet ndihmë. Kam duar që shtrëngohen nga gëzimi, duar që presin, duar që luten e duar që shtyjnë. Me këto duar, duart e mia, kam luftuar e jam rritur. Kam fituar e kam humbur.
Kam kapërcyer limite dhe kam sfiduar të pamundur. Kam pritur topat dhe frikën.
I kam shtrirë me shpresën për të arritur atje ku të tjerët ishin dorëzuar. Kam shtyrë kë nuk kishte guximin të hidhej. Jam përpjekur të mbaj ata që donin të largoheshin. Unë jam duart e mia.
Ajo që lë këtu sot nuk është gjurma e dhjetë gishtave, por një gjurmë e asaj që jam, e asaj që kam bërë dhe asaj që do të më duhet ende të bëj. Ndihem i nderuar dhe krenar. I emocionuar e kryelartë.
Sikur të mund t’ju përqafoja të gjithëve, me këto duar, me duart e mia!
d.i.