Dërgimi i ligjit të vettingut në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, nuk pengon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Garancia vjen nga ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, gjatë një interviste për Report Tv.
“Vettingu është një ndër ligjet më të rëndësishëm sepse prej aty fillon reforma, skanimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vettingu tashmë ka hyrë në fuqi, pavarësisht se është dërguar në gjykatë, ai do të vazhdojë zbatimi i tij dhe për aq kohë sa është futur dhe në kushtetutë, nuk është antikushtetues, por nuk besoj se do të kemi problematikë për këtë shkak në nëntor për negociatat. Por kjo nuk do të thotë që palët nuk duhet të tregohen më të përgjegjshme e më të matura kur bëhet fjalë për ligje kaq të rëndësishme si ato të reformës në drejtësi“, u shpreh Gjosha.
Sipas saj, ligji ka nisur tashmë zbatimin e tij, ndërsa thekson se Shqipëria pas përmbushjes së këtij kushti pret nga Bashkimi Europian që të mbajë fjalën dhe të japë rekomandim pozitiv për negociatat. Brukseli publikon muajin e ardhshëm progres-raportin dhe sipas Gjoshës rekomandimi për Shqipërinë do të jetë pozitiv. Sipas Gjoshës, qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm përpara, drejt përmbushjen e reformave.
“Shqipëria ka plotësuar një ndër kushtet themelore tashmë dhe Komisioni Europian por dhe vendet anëtare duhet të mbajnë fjalën ndaj Shqipërisë“, thotë Gjosha.
Në intervistën e saj për Report Tv, ministrja flet dhe për situatën me kanabisin në vend.
Në ditët e para të nëntorit pritet dhe rekomandimi i Komisionit Europian, për hapje të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por, ky rekomandim mund të shoqërohet me kushte shtesë në mënyrë që Shqipëria të përfitojë çeljen e negociatave. /a.k