Michel Marizco është një gazetar investigativ amerikan, i specializuar në marrëdhëniet mes SHBA dhe Amerikës Latine, specifikisht për krimin e organizuar, trafikun drogës etj. Para se të bashkohej me Desk Fronteras, ai ka raportuar dekadën e fundit, shumë histori nga kufiri me Meksikën, për CNN, BBC dhe CBC.
Marizco ka marrë disa çmime të rëndësishme për punën e tij. I fundit është ai i Associated Press Award 2016. Në një intervistë ekskluzive për dritare.net, ai shpjegon si nisi lufta për drogën në Meksikë dhe çfarë i solli ajo vendit, vrasje, rrënim, shkatërrim imazhi për turizmin dhe aspak rritje ekonomike, pasi paratë e drogës shkuan në pak duar. Marizco tregon gjithashtu çfarë di për trafikun e drogës në Shqipëri dhe frikën që ka nga legalizimi i drogës këtu. Gazetari investigativ amerikan tregon edhe perfshirje e qeverise me drogen, fakt qe ai e quan te pashmangshem.
Intervistoi Dorina Rizvanolli
Dritare.net- Kur ju thashë se intervista kishte të bënte me çështjen e kanabisit, ju më thatë se ju tingëllonte e njohur.
Për rreth 15 vjet, kam mbuluar trafikun e drogës dhe krimit të organizuar, në Meksikën veriore dhe kufirin e pjesës jugore të Amerikës. Veçanërisht kam punuar në atë që quhet karteli Sinaloa. Ky është një klan me shumë përhapje në Europën Lindore, në Afrikë dhe është një prej organizatave më të vjetra dhe më të përforcuara në të gjithë botën.
Kur nisi lufta mbi drogën në Meksikë?
Në vitet 1980, kumbari i kartelit Sinaloa, Felix Gallardo, ishte duke bashkëpunuar me kartelin Medellín, i cili ishte Pablo Escobar në Kolumbi, për të trafikuar në Amerikë. Në vitet 1990, me firmosjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë, në Amerikën Veriore, e cila ndihmoi në përshpejtimin e shumë dërgesave në kufi. Kamionë të mëdhenj që transportonin nga Meksika në SHBA, u përdorën për të kontrabanduar lëndë narkotike. Në 2003 u krijua një grup i ri, i quajtur Zeta, e cili filloi duke vepruar kundër kartelit Sinaloa në atë që njihet si Meksika lindore, për të shkuar drejt Nuevo Laredo.
Në këtë pikë, nisën edhe luftërat me armë në mes të rrugëve. Në vitin 2008, në shtetin meksikan të Sinaloas, u ngrit një grup tjetër dhe filloi duke luftuar kartelin Sinaloa dhe kjo ishte organizata Beltrán Leyva.
Kjo është periudha kur lufta në Meksikë shpërtheu me të vërtetë. Unë e quaj atë luftë, sepse nuk ka asnjë përkufizim tjetër që shpjegon se çfarë ka ndodhur.
Tani, mund t’iu them se në Meksikë, pas 7-8 vitesh të luftërave me armë dhe shumë vrasjesh, situata është qetësuar. Por unë mund t’iu them gjithashtu se karteli Sinaloa, ende është karteli dominant dhe se oreksi për drogë në Amerikë dhe në pjesën tjetër të botës nuk ka ndryshuar aspak.
Dritare.net- Cili ishte konflikti kryesor?
Konflikti në Meksikë kanë qenë rrugët. Kjo pasi ata nuk po përpiqeshin t’ia shisnin përdoruesve meksikanë, të paktën jo në fillim, ata donin t’ia shisnin përdoruesve amerikanë. Në Meksikë ti mund të blesh një kile marijuanë për 13 dollarë dhe e shet në Amerikë për rreth 900 dollarë. Ky është një treg i madh, prandaj ata kërkonin ta shisnin në Amerikë.
Në fakt, ka qenë një trafikant shumë i njohur i drogës, i quajtur Amado Carrillo Fuentes, i cili në vitin 1996 në një radio publike, tha për Presidentin e Meksikës dhe njerëzve, që ai do të premtojë për të ndaluar shitjen e drogës ndaj popullit meksikan, nëse ata do ti kthenin gjysmën e aseteve të tija të sekuestruara.
Dritare.net- Kur e zbuloi qeveria meksikane kultivimin e drogës?
Kultivimi i drogës është cilësuar si një problem që në kohën e Richard Nixon, në fund të viteve 1960, të cilët shpallën luftën kundër drogës. Meksika është njohur si problematike para 50-60 vitesh më parë, ndoshta edhe më shumë. Por për sa i përket se çfarë do të bënin për këtë gjë, Meksika ishte e keqpajisur për t’u përballur me këto organizata të fuqishme. Kjo deri në vitin 2008-2009, ku përdori marinën e vet, ushtarët më të mirë për të ndjekur trafikantët dhe për t’i mposhtur.
Por këtu kishte një pyetje tjetër, sepse disa prej kapjeve më të suksesshme nga qeveria meksikane ishte nga më barbaret. Kishte shumë situata, ku dërgonin helikopterë me snipers për t’i qëlluar njerëzit e kërkuar. Pra ishte një ekzekutim pa gjyq. E meritonin ose jo, kështu merrej Meksika me ta.
Dritare.net- Si e zgjidhi Meksika problemin e saj të imazhit me drogën?
Është shumë herët për ta thënë. Deri sot Meksika ka punuar dhe shpenzuar shumë para për të rikthyer reputacionin e vet. Shumë nga qytetet turistike për amerikanët dhe evropianët janë prekur shumë nga këto luftërat për drogën. Një tjetër çështje e rëndësishme me Meksikën ka të bëjë me faktin se refuzon të pranojë gjendjen në të cilën ndodhet. Për vite të tëra politika e Meksikës ka qenë, “Kjo nuk prek njerëzit që nuk janë në tregtinë e drogës”. Por në fakt situata është ende shumë e fshehtë dhe nuk është mbyllur problemi i rëndë i perceptimit për Meksikën.
Një nga gjërat që ndodh tani, është se kandidati republikan në Amerikë po bën thirrje për vendosjen e një muri gjigand përgjatë kufirit me Meksikën. Kjo vjen për shkak të pasigurisë dhe frikës së madhe të njerëzve, që e kanë pasur për vite, që kanë të bëjnë me luftërat e drogës në Meksikë.
Dritare.net- A mendoni se qeveria dhe policia kanë qenë të përfshira në trafikimin dhe kultivimin drogës?
Unë besoj se shumë prej tyre janë absolutisht të përfshirë. Unë kam dokumente nga Agjenci Federale Investigative në SHBA, Meksikë, Interpol, që tregojnë përfshirjen direkt të bashkiakëve, guvernatorëve, komandove detare meksikane, përfaqësuesve të ushtrisë, shefave të policisë, drejtuesve të policisë së shtetit, agjentëve të doganave. Shikoni, gjithmonë do të ketë korrupsion në një masë të caktuar, kjo është pothuajse e pashmangshme, por për sa kohë ka korrupsion sistematik, atëherë jemi duke folur për rrjete njerëzish të korruptuar. Pra, absolutisht që qeveria është e përfshirë.
Dritare.net- Mendoni se kjo ndodh vetëm nga njëra anë e kufirit, pra ai meksikan apo edhe nga ana tjetër, SHBA?
Kjo ndodh edhe në SHBA, edhe do thosha që në SHBA është pak më e vështirë, nuk është aq sistematike pra, nuk flasim për rrjete njerëzish të korruptuar që punojnë si grup i madh. Po flasim për grupe të vogla agjentësh doganorë dhe policë të cilët bashkëpunojnë. Pra funksionon si në Meksikë, por në shkallë më të vogël.
Dritare.net- A mendoni se në fillim droga ishte një mundësi e mirë punësimi për njerëzit dhe për rritjen e ekonomisë së vendit?
Mendoj se ishte njëra anë e të parit të gjërave. Nëse ngjiteshe në kodrat e Sinaloas, atje ku kultivohej kanabisi apo opiumi, do vëreje një vend të ashpër. Pas ca kohësh vëreje shkolla të ndërtuara, ngritje fondacionesh për të ndihmuar fëmijët, spitale lokale, por shumica e parave vinin pikërisht droga. Biznesi ishte shumë i rëndësishëm dhe bëhet fjalë për shumë para, por nuk besoj se ekonomia rritet për shkak të kësaj. Mendoj se shumica e këtyre parave është konsumuar dhe harxhuar nga njerëzit që papritmas u bënë shumë të pasur.
Dritare. net- A keni dëgjuar për çfarë po ndodh në Shqipëri, me drogen dhe luftën ndaj saj?
Është folur edhe këtu, por në një shkallë më të vogël. Megjithatë duket sikur është gjithnjë e në rritje çështja, veçanërisht për policinë dhe gazetarët. Unë nuk mund të flas për ngjashmëritë që trafikantët shqiptarë kanë me ata meksikanë, por duke treguar ç’bënë ata dhe çfarë i ndodhi Meksikës prej tyre, ju ftoj të bëni kujdes.
Dritare.net- Në Shqipëri ka biznesmenë dhe politikanë që flasin për legalizimin e kanabisit, si një mënyrë për ta kontrolluar atë? Çfarë mendoni për këtë?
Unë jam rritur në Kaliforni, në një bregdet të qetë dhe atje ne kemi shumë parcela të mbjella me drogë, në të gjithë vendin, për të cilat nuk dihen pronarët, si te ju.
Këtu në shtetin e Arizonës, ku unë jetoj, kemi zgjedhjet në nëntor dhe po diskutohet ligji për marijuanën si një drogë rekreative. Shteti i Kolorados e ka miratuar këtë ligj në vitin 2012.
Në 2014 Kolorado u kthye në shtetin ku njerëzit shkojnë për të shijuar marijuanën. Krimi është në rritje, por Prokurori i Përgjithshëm i Kolorados thotë vazhdimisht se nuk janë të sigurtë nëse kjo rritje ka ardhur si rezultat i legalizimit të marijuanës. Ai ka një vit që e thotë këtë gjë dhe unë si gazetar, duhet të besoj atë që thotë ai, por nuk di pse nuk arrij ta besoj.
Dritare.net- Çfarë mendoni për marijuanën mjekësore?
Unë nuk e përdor marijuanën mjekësore, prandaj nuk di të flas me siguri për të. Por di që funksionon si një lehtësues për dhimbjet kronike. Tashmë është një diskutim për përdorimin e marijuanës, në trajtimin e sindromës pas stresit traumatik. Shkencëtarët e kanë aprovuar se vaji i kanabisit, ndihmon në trajtimin e disa prej këtyre simptomave dhe problemeve, për të cilat ilaçet e zakonshme nuk mund t’i kurojnë ose janë të rrezikshme.
Dritare.net- Çfarë duhet të ketë në konsideratë një gazetar shqiptar, kur është duke u marrë me krimin e organizuar, çështjen e drogës, etj.?
Natyrisht, gjëja e parë është të mbani parasysh se në komunitetet, që ju po mbuloni, jetoni ju, fëmijët tuaj dhe familja juaj. Pra, ajo çështje që ju po investigoni, prek dhe familjen tuaj. Kjo është një pyetje me të vërtetë serioze për shumë gazetarë.
Kjo ndodh dhe në Meksikë, unë kam humbur disa miq gazetarë, të cilët mbulonin krimin e organizuar dhe ata kanë përfunduar të vdekur apo të zhdukur. Kjo është një çështje.
Mandej, a ka ndonjë lloj statuti mbrojtës në vendin tuaj, për të ndjekur penalisht dikë që targeton një gazetar që bën punën e vet?
Për shembull, në SHBA në qoftëse targetoni një polic për punën e tij, ju ndiqeni penalisht. Ndjekja penale rritet specikifisht pasi ai është një polic.
Në Meksikë, gjithmonë ka pasur biseda, dhe pse ende asgjë nuk ka ndodhur, për aplikimin e një lloj mbrojtje për gazetarët meksikanë, kjo është diçka për të cilën gazetarët shqiptarë duhet të trajtojnë.
Si është niveli i korrupsionit me qeverinë shqiptare, është një rrjet i gjerë apo sporadik? Është diçka e fshehur mirë dhe qeveria e di se cili është gazetari që po e mbulon, dhe për këtë gjë e kanë targetuar? Janë shumë pyetje. Por kryesorja është; A ke ti mbrojtje nga qeveria?
Dritare.net- Pra nëse nuk ke mbrojtje nga qeveria, më mirë të heqësh dorë sepse je në rrezik?
Jo, pavarësisht, asnjëherë mos hiqni dorë, jini konsekuent në atë çfarë jeni duke bërë dhe me temën me të cilën po punoni. Në qytetin Tijuana, ka qenë një botues i famshëm i një gazete, i cili mbuloi kartelin Arellano-Félix.
Ai gjithmonë thoshte: “Ne jemi gazetarë dhe ata kriminelë. Puna jonë është të mbulojmë lajmet. Nëse krimineleve nuk iu pëlqen, le të gjejnë një punë tjetër”.
Dritare.net- Me çfarë teme po merreni ju tani?
Jam duke ndjekur disa problematika në lidhje me kufirin. Ne kemi një fenomen shumë interesant në Arizonën Jugore, ku djem të rinj paguhen nga kartelet e drogës, për të ngjitur malet më të larta, që të shohin për lëvizjet e policëve. Kur këta i kapin, ata thonë: “Unë thjesht po rrija këtu”.
Dhe ka qenë e vështirë për zbatuesit e ligjit të provonin se ata ishin aty, ku u kapën, për të lajmëruar bashkpunëtorët, se ishte duke ardhur policia. Por është bërë e mundur edhe të ndiqen penalisht disa prej këtyre djemve të rinj.
Përveç kësaj, jam duke pritur për të parë se cili do jetë Presidenti ynë i ardhshëm.
Dritare. Net- Cili mendoni se do të fitojë?
Ende nuk e di.
/dritare.net/a.m.