Partia Demokratike ka akuzuar Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se po përpiqet të shpëtojë nga përgjegjësia penale kushëririn e një deputeti socilaist i cili sipas selisë blu u kap me 50 kilogram kanabis pasditen e së premtes.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, PD thotë se kushëriri i deputetit Xhemal Qefalia u kap me dorgë në banesë dhe policia po pëpriqet ta mbajë të fshehtë ngjarjen me urdhër të Tahirit. Kjo sipas selisë blu për ta shpëtuar atë nga burgu.
Deklarata e PD:
Edhe sot që raporti i monitorimit ajror tregon pesëfishim të sipërfaqes së drogës, Saimir Tahiri është sërish në shërbim të trafikantëve.
Tahiri po mundohet të mbajë të fshehur një ngjarje që ka ndodhur pasdite, në mënyrë që të lehtësojë rrethanat e kushërinjve të deputetit Xhemal Qefalia në banesën e të cilëve është gjendur 50 kg kanabis sativa e tharë.
Droga është kapur pikërisht në Priskë të Zall Herrit, ku ata kanë banesën. I ndaluari është Haxhi Qefalia, por Tahiri ka bllokuar daljen e informacionet dhe po bëhen të gjitha ndërhyrjet për ta nxjerrë të afërmin e deputetit.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë shërbim kriminal të urdhëruar nga Saimir Tahiri.
I kërkojmë policisë të bëjë transparencë të menjëhershme për ngjarjen.
Partia Demokratike e nxit prokurorinë të hetojë rastin dhe të ndalojë ndërhyrjet politike e presionet e Saimir Tahirit në këtë cështje.
REAGON DEPUTETI QEFALIA: NUK E NJOH FARE PERSONIN. DO JU PADIS PER SHPIFJE
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Xhemal Qefalia. Deputeti socialist ka thënë për “BalkanWeb” dhe “News24” se akuzat e PD janë të pavërteta, dhe thekson se do të padisë këtë subjekt politik për shpifje ndaj tij.
Qefalia mohon kategorikisht të ketë lidhje me personat të cilëve iu gjet kanabis, ndërsa shton se me këtë mbiemër në Tiranë ka shumë familje.
“Unë hedh poshtë me neveri këtë akuzë që bën PD. Nuk kam asnjë lloj lidhje me ngjarjen. Nuk e njoh fare personin. Nuk është banor në zonën time. Është një absurditet nga ana të PD. Do padis PD për këtë shpifje të paskrupullt që bën ndaj meje. Mbiemri Qefalia është mbiemër i madh. Gjendet kudo në Tiranë. Dhe nuk ka asnjë lidhje me familjen time”, tha deputeti Qefalia.
/a.m.