Raporti i Guardia Di Finanza për drogën në vend ka sjellë replika dhe kundërreplika në distancë mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës.
Basha tha se ndryshe nga raporti i italianëve, se në vend është mbjellë 5 fish më shumë sipërfaqe kanabis. Basha deklaroi se ministri Tahiri duhet të ishte shkarkuar për vetë faktin se e ka mbuluar Shqipërinë me kanabis.
Por nuk ka vonuar dhe reagimi i Kryeministrit Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin e tij social ka shkruar se Basha, në vend që të flasë për arsyet që çuan në mosvotimin e ligjeve të drejtësisë nga ana e opozitës, merret sërish me drogën.
“LB nuk tha pse s’i votoi ligjet e drejtësisë, po rihapi menjëherë kapakun e shpifjeve për drogën sapo Guardia di Finanza e mbylli atë kazan!”- shkruan Rama.
Një orë më pas ka ardhur dhe një reagim i liderit i opozitës, në kundërgjigje të postimit të Ramës, po në rrjetin social.
“Nga kazani i plehrave ku eshte zhytur, Rama nuk e fsheh dot te verteten. S’ka kapak ta mbuloje drogen e pesefishuar dhe krimin qe po qelb Shqiperine. #Shqiperia me mire pa Edi Ramen“- shkruan Basha.
Guardia di Finanza konfirmoi sot se 99.8% e sipërfaqes së fotografuar me bimë narkotike në Shqipëri është shkatërruar. Nga raporti rezulton se, 2 409 206 rrënjë kanabis stativa janë asgjësuar vetëm brenda vitit 2016. /java/a.k