QSUT ka reaguar zyrtarisht përmes një njoftimi në lidhje me helmimin e 7 nxënësve ditën e djeshme në shkollën 9 vjeçare në Kamëz. Sipas analizave të bëra nga reparti toksikologjik, është konstatuar se nuk ka patur asnjë shenjë “që të korrespondonte me ekspozime toksike apo lëndë psikodisleptik”.
Pra është vërtetuar se në shkollë nuk ka patur lëndë narkotike dhe se nxënësit nuk kanë konsumuar apo kanë qenë në kontakt me tymin e kanabisit.
Përgjigja vjen një ditë pas debateve në parlament mes ish kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Shëndetësisë Beqaj. Berisha pretentonte se nxënësit ishin helmuar nga djegia e hashashit në ambientet e shkollës.
“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza bazuar në informacionin zyrtar të përcjellë nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike, më datë 07.10.2016, informon si më poshtë vijon:
Në QSUT, ditën e enjte rreth orës 13:30 e në vijim janë paraqitur në Urgjencën Polivalente të QSUT dhe në Urgjencën Pediatrike, të konfirmuara si banore në Paskuqan dhe nxënëse në shkollën “Jashar Hoxha”, shtetaset me iniciale: B.R. 14 vjeç, J.R. 12 vjeç, S.L. 12 vjeç, E.P. 12 vjeç, M.D. 12 vjeç, L.L. 12 vjeç, A.C. 12 vjeç.
Pas vlerësimit mjekësor paraprak të gjendjes klinike në shërbimet e sipërpërmendura, janë transferuar për ekzaminime të mëtejshme në Shërbimin e Toksikologjisë, ku janë marrë të gjitha masat për ndjekjen e protokollit mjekësor.
Në raportin e përgatitur nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike theksohet se: Nuk u evidentua asnjë sindrom klinik toksikologjik që të korrespondonte me ekspozime toksike apo lëndë psikodisleptike. Shërbimi raporton se nxënëset u observuan për një periudhë disa orëshe. U bënë të gjitha ekzaminimet e gjakut për shqyrtim klinik-biokimik si dhe mostrat e urinës. Analizat e testit të urinës për të gjitha rastet rezultuan negative, pra pa prani të gjurmëve të drograve në gjurmim (për AMP, BUP, BZD, MDA, XTC, MOR/OP, MTD dhe THC (cannabis sativa). Gjithashtu edhe ekzaminimet e tjera biokimike të gjakut rezultuan përgjithësisht në kufij të normës pas asnjë devijancë që të fliste për efekte imediate të një kategorie të gazeve toksike më të mundshme në rrethana të tilla kolektive”, thuhet në sqarimin e QSUT./java/a.k