A do të jetë ky një “dimër” politik? A do të nisë zbatimin ligji i vettingut në janar, siç parashikohet, që përbën edhe aktin fillestar të ngritjes së institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë? A ka lidhje kjo tërheqje me ankimimin e vettingut në Kushtetuese nga PD-ja? Dhe, a ekziston në Shqipëri një parti antireformë apo antiamerikane?
Ketyre pyetjeve iu pergjigjen mbreme ne emisionin Top Story ne Top Channel kater analistet, Preç Zogaj, Arjan Vasjari, Agron Gjekmarkaj dhe Eduard Zaloshnja.
DEBATI
Preç Zogaj: Besoj se dimër politik në lidhje me Reformën në Drejtësi nuk ka, por thjesht një paqartësi në lidhje me ligjet që burojnë nga ligji themeltar i miratuar nga fundi i korrikut. Por çfarë ndodhi më 21-22 korrik të kësaj vere, një konsensus i pagjasë dhe i pandodhur ndonjëherë, me 140 deputetë që votojnë Reformën në Drejtësi. Në fakt e votoi atë, bazamentin dhe arkitekturën kushtetuese të kësaj reforme.
Tani duhet të jetë e qartë se çdo, ligj, akt ligjor dhe nënligjor, që kompleton paketën në përgjithësi, duhet të mbështetet në aktin themeltar. Disa ekspertë kanë identifikuar se në këto ligje ka shmangie nga konteksti kushtetues dhe këtë, ose e ndajnë ekspertët e palëve për të gjetur argumentet mbi tekstin, jo parimin, ose e ndan një institucion i tretë si Gjykata Kushtetuese, e cila ka gjykuar gjithmonë ligjet e kundërshtuara nga opozita, ose Komisioni i Venecias, që ka karakterin e një institucioni shumë herë më të paanshëm.
Më 21-22 korrik, të gjitha palët kanë konfirmuar me votë se janë për reformën në drejtësi, për vettingun dhe gjithçka tjetër. Sa për ligjet, nuk gjykoj dot se cila palë ka të drejtë, por nuk mund të bëj rolin e një gjykatësi kushtetues për ta ndarë gjyqin. Historia është normale në një demokraci parlamentare, ku opozita sa herë gjen ligje antikushtetuese nga mazhoranca, e çon këtë në Kushtetuese.
Arjan Vasjari: Nuk duhet të harrojmë se jemi futur në vorbullën e Reformës në Drejtësi, sikurse edhe në 21 muajt që shoqëria shqiptare është përfshirë në këtë çështje. Në kaq muaj mund të bëjmë një Kushtetutë tërësisht të re. Ky konflikt tregon sesa e rëndësishme është Reforma në Drejtësi.
Unë besoj se nuk është thjesht dhe vetëm tekniko-ligjore, por ka edhe politikë brenda. Ne nuk mund ta analizojmë të shkëputur ditën e sotme, por për të arritur një konkluzion duhet të shohim nga gushti i para dy viteve. PD-ja ka pasur shumë “pit-stop”-e, ka pasur pretendimet e saj, i është adresuar Komisionit të Venecias, por edhe amendamentet e tyre “Venecia” i ka rrëzuar. Momenti aktual është politik dhe i shkëputur, duke mos u anashkaluar nga momenti i dërgimit të ligjit të vettingut në Kushtetuese.
Për mua, PD ka bërë një gabim taktik, sepse ka kërkuar nga Kushtetuesja papajtueshmërinë e ligjit, ndërkohë që mund të kërkonte interpretimin e ligjit. Në opinionin publik ekziston mendimi se PD-ja nuk ka dashur ta bëjë këtë reformë. PD nuk ka kërkuar vetëm shpalljen e papajtueshme, por edhe pezullimin e ligjit nga Kushtetuesja, duke i kërkuar edhe drejtimit te Komisioni i Venecias. As PD-ja nuk është e qartë për nenin 84 të ligjit, pasi në të kundërt do t’i drejtohej drejtpërdrejt “Venecias”. Një komision që e ka pranuar se kjo është një reformë e jashtëzakonshme që nuk mund t’i ofrohet çdo vendi, pasi po shkërmoqet i gjithë sistemi.
Agron Gjekmarkaj: Në Shqipëri nuk ka parti antireformë dhe antiamerikane, ndaj dhe nuk më duket se një parti politike, pasi ka miratuar Kushtetutën, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim apo mendim. Ne luajmë me kohën, sikur vettingu edhe po nuk hyri në janar por në mars, nuk bën ndonjë ndryshim, pavarësisht se jemi në vit zgjedhor dhe jo normal. Reforma në Drejtësi do t’i kalojë zgjedhjet e qershorit, kur do të hyjë në fuqi, do të gjejë vetveten dhe rezultatet nuk pritet t’i japë në janar. Lajmi pozitiv i sotëm është që ka një tërheqje nga ana e mazhorancës, por elementit kohë besoj se i duhet shtuar vullneti politik.
Pasi nëse mungon vullneti, duket se shumica po kërkon të rrënojë edhe më shumë qëndrimin e opozitës. Ambasadori amerikan po kërkon të marrë sërish rol për një mundësi të re për kompromis, sikurse është investuar edhe kryeparlamentari Meta. Kam menduar gjithmonë që ka pasur një përdorim politik të Reformës në Drejtësi nga kryeministri Rama, në mungesë të rezultateve, ndaj dhe këtë po e përdor si kartë politike për ta nxjerrë PD-në si partinë që nuk e do reformën.
Eduard Zaloshnja: Ligjet që janë votuar nga mazhoranca janë kaluar me 86 vota, pra krisja te votimi i mbetjeve kur treshja e shumicës u përçanë, sot janë bashkuar. Pritet të shihet tani sesi do të futet PS-ja në zgjedhjet e ardhshme, me të dy aleatët e tjerë, apo me vetëm njërin prej tyre. Sot i pamë të trija bashkë, e vetmja firo ishte vota e Blushit dhe Hafizit, kështu që nga pikëpamja politike ky përbën një lajm sot. Kryeministri Rama ka thënë se po bisedojnë me aleatët LSI-PDIU për të bërë gati marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet e 2017-s.
Sa i përket votimit të sotëm, nga ana politike më kujtohet viti 2012 para zgjedhjeve të fundit, kur PS-ja në mënyrë kokëforte nuk votoi 3 ligjet që kërkoheshin në atë kohë për statusin kandidat të vendit për në BE, e kjo ndodhte pikërisht një vit përpara zgjedhjeve. Mosvotimi i atyre ligjeve bëri që Shqipëria të mos e merrte statusin para zgjedhjeve, por vetëm pas koalicionit PS-LSI dhe ardhjes në pushtet. Kjo që ka ndodhur sot bën që vettingu të mos fillojë nga funksionimi në janar, siç është parashikuar, duke mos filluar praktikisht asgjë nga reforma, sepse nuk mund të krijohen institucionet drejtuese pa kaluar në sitë të gjithë kandidatët për t’u emëruar si gjyqtarë apo prokurorë.