Partia Demokratike, siç kishte bërë të ditur më parë, e dha votën e saj vetëm për ligjin për ngritjen e strukturave të posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, të quajtura SPAK.
Ligji, i cili mori 122 vota në favor, parashikon dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila pritet të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane. Në fakt dhe anëtarët e saj do të trajnohen pranë Akademisë së FBI-së. Sipas “Zërit të Amerikës”, pjesëtarët e BKHsë do të kenë në dispozicion teknologjitë më të avancuara të hetimit, ndërkohë që do të detyrohen t’i nënshtrohen dhe testit të së vërtetës.
“Një agjent i FBI-së amerikane do të dërgohet gjithashtu në Tiranë për të mbikëqyrur aktivitetin e anëtarëve të Byrosë”, bëri të ditur “Zëri i Amerikës”. Parlamenti votoi edhe për 4 ligjet e tjera, të cilat parashikojnë ngritjen e një sërë strukturash të reja dhe zëvendësimin e institucioneve ekzistuese, të cilat shkrihen. Por ato kaluan vetëm me votat e shumicës, pasi opozita braktisi sallën pas miratimit të SPAK-ut.
ma.me