Titujt e pronësisë dhe Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim, të fituara me ligjin 7501 për tokën bujqësore do të verifikohen nga komisionet vendore pranë njësive të qeverisjes vendore. Komisionet do të verifikojnë nëse sipërfaqja e tokës, e dhënë në korrik të vitit 1991 është në përputhje me gjendjen familjare në atë moment dhe nëse dokumenti është lëshuar sipas rregullave dmth., nëse janë të rregullta firmat dhe vula. Më pas titujt e rregullt do të regjistrohen në Hipotekë. Rregullat e reja që do të ndiqen nga komisionet vendore dhe Hipoteka bëhen të ditura nga kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho, në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”. Kryeregjistruesi shpjegon edhe procedurat që duhet të ndjekin familjet bujqësore, të cilat kanë përfituar tokë me ligjin 7501 dhe kanë aktet e marrjes së tokës në përdorim, për t’i kthyer ato në tituj pronësie.
Z.Muho, qeveria miratoi dje disa ndryshime në ligjin që u jep të drejtën të marrin titullin e pronësisë familjeve bujqësore që kanë marrë tokë me ligjin 7501. Vendimi parashikonte verifikimin e titujve që janë dhënë deri tani. Si do të realizohet kjo procedurë?
Titujt e pronësisë ose aktet e përdorimit, të dhëna me ligjin 7501, sipas të cilit është ndarë toka bujqësore në korrik të vitit 1991 verifikohen nga komisionet vendore. Akti i marrjes së tokës në pronësi, ose akti marrjes së tokës në përdorim, për rastet kur nuk është marrë tapia do të verifikohet, pasi mund të mungojnë firma ose vula në këto dokumente. Komisionet vendore do të shqyrtojnë rastet jo vetëm për vlefshmërinë ligjore të aktit, por edhe normën e sipërfaqes për frymë që ka përfituar familja bujqësore në momentin që është ndarë toka. Do të verifikohet nëse sipërfaqja e përfituar është konform ligjit 7501 dhe a është në përputhje me sipërfaqen e përfituar gjendja familjare në momentin e përfitimit të tokës bujqësore.
Z. Muho, si duhet të veprojnë personat që kanë përfituar tokë bujqësore me ligji 7501 dhe nuk kanë marrë ende titullin e pronësisë?
Të gjitha familjet që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 dhe kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim duhet të bëjnë kërkesë pranë njësive të qeverisjes vendore për të marrë titullin e pronësisë, tapinë. Njësia e qeverisjen vendorë bën verifikimin dhe më pas dosja kalon në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ne bëjmë vetëm regjistrimin.
VENDIMI
Qeveria i kthehet ligjit 7501. Të gjithë titujt e pronësisë që janë përftuar në zbatim të ligjit për ndarjen e tokës bujqësore do të verifikohen jo vetëm për ligjshmërinë e lëshimit të tyre, por edhe me ballafaqimin e sipërfaqeve në terren me ato të regjistruara në dokumentet. Në ligjin 7501 përcaktohet që toka bujqësore të ndahet për frymë për banorët që janë regjistruar në fshat në momentin e ndarjes së tokës, në korrik të vitit 1991. Të dhënat e sakta do të hidhen në regjistrin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive. Në ZRRP do të regjistrohen të gjitha vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë. Në përfundim të këtij procesi të gjitha sipërfaqet që do të rezultojnë të lira, do të kalojnë në fondin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Vendimi është marrë dje në Këshillin e Ministrave. Qeveria miratoi dje disa ndryshime në vendimin nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Në vendim përcaktohet që të kryet vlerësimi ligjor i krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e:
a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar; (Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji)
b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.
KOMISIONET
Qeveria urdhëron Komisionin Vendor të vlerësojë aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur:
a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; b) verifikohet se sipërfaqja për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendura dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore; c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur”.
NDRYSHIMET NË VENDIM
ISHTE
Pika 2, e shkronjës “B”, të kreut III b) Verifikohet se sipërfaqja, për të cilën më 1.8.1991 është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, figuron në regjistrat e kadastrave vetëm me cilësinë e zërit “tokë bujqësore” (bimë arash, pemëtore, vreshtë, ullishte).
BËHET
Pika 2, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje: “2. Kryen vlerësimin ligjor të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e: a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar; (Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji) b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ishndërmarrjeve bujqësore”, dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar. Komisioni vendor vlerëson aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur:
a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; b) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore;
c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.
ISHTE
Pika 4, e shkronjës “B”, të kreut III b) Zyra rajonale të AKKP-së, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave me nr.567, datë 5.9.2007 “Për miratimin e kritereve dhe të procedurave, përcaktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik”, dhe nr.868, datë 18.6.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”, kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-ndërmarrjet bujqësore (NB), sipas gjendjes më 1.10.1992.
BËHET
Pika 4, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje: Dërgon për regjistrim në ZVRPP vendimin gjyqësor përfundimtar për sipërfaqet e tokës të liruara nga fitimi, mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre, që kalojnë në pronësi të shtetit, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Pjesë e detyrueshme e këtij vendimi është planvendosja e ngastrës/ave. Për këto sipërfaqe toke KV-ja harton së bashku me DAMT-in, pranë Këshillit të Qarkut, procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe bashkia, zona kadastrale), numri dhe lloji kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të DAMTit, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe sipërfaqja e saj, i shoqëruar me planvendosjen e ngastrës/ave. Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, njofton për këtë veprim edhe bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka. Komisioni vendor, një kopje të vendimit gjyqësor përfundimtar, të planvendosjes së ngastrës/ave dhe procesverbalit, për ngastrat që ndodhen në territorin e ishndërmarrjeve bujqësore, i paraqet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Këto sipërfaqe të tokës përdoren për fondin e kompensimit fizik, në zbatim të ligjit nr.133/ 2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-kooperativave bujqësore, e paraqet atë në bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka, për t’u administruar sipas dispozitave të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998, “Për tokat bujqësore të pandara”. Komisionet vendore kanë detyrimin që, brenda dy muajve, nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës të gjitha vendimet gjyqësore përfundimtare, të marra para kësaj date, të shoqëruara me planvendosjet e ngastrës/ave dhe procesverbalin/et përkatës.”.
ORNELA MANJANI
ma.me