Shkëlqim Hajdari, me një karrierë prej rreth 23 vitesh në sistemin e prokurorisë, ka folur për herë të parë për kërcënimin që i është bërë kryeprokurorit Adriatik Llalla, por edhe për reformën në drejtësi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Hajdari deklaron se reforma në drejtësi është një emergjencë për t’u implementuar sa më shpejt që të jetë e mundur dhe implementimi i saj do ta shkatërrojë sistemin e kalbur të drejtësisë në Shqipëri. Përsa i përket kërcënimit të kryeprokurorit, Hajdari tha se prokurori i përgjithshëm nuk heton çështje dhe nuk ka arsye se pse të kërcënohet, madje largimin e familjes së tij jashtë Shqipërisë për arsye sigurimi e ka quajtur si një rast të paprecedent.
Zoti Hajdari, pritet që të implementohet ligji për reformën në drejtësi, çfarë ndryshimesh priten me miratimin e reformës në drejtësi?
Niveli i korrupsionit dhe i shkeljes së ligjit sipas këndvështrimit tim është shumë i madh në prokurori dhe në gjyqësor. Unë dua të jem i ndershëm gjatë gjithë kohës dhe ilaçi për drejtësinë është gjetur, është shkatërrimi i këtij sistemi të centralizuar, lindor në të cilin nuk e merr vesh ku është përgjegjësia. Pra, reforma në drejtësi është një emergjencë për t’u implementuar sa më shpejt të jetë e mundur dhe këtë nuk e them politikisht, e them teknikisht më beso, sepse çdo njeri do jetë përgjegjës për dosjen e vet mbi bazën e reformës dhe që të punosh prokuror në Republikën e Shqipërisë duhet të kalosh parametrat e vetingut, që janë parametra të integritetit moral, profesional edhe të ngritjes akademike. Edhe që të ngjitësh shkallët e karrierës nga një prokuror i thjeshtë, për të shkuar drejtues prokurorie, për të shkuar prokuror i posaçëm antikorrupsion, drejtues i posaçëm i njësisë antikorrupsion, prokuror i përgjithshëm, nuk mund të krijohesh dot skutave, por do të jesh në dritë të diellit. Pra, do të kesh konkurrencë përpara një këshilli të lartë të prokurorisë, i cili përbëhet nga 11 njerëz. Është një reformë shumë e rëndësishme dhe implementimi i saj sa më shpejt do ta shkatërrojë sistemin e kalbur të drejtësisë në Shqipëri.
A mendoni se do ta kalojnë të gjithë vetingun?
Këtë nuk e di, por di të them që kjo reformë nuk ka lidhje me individët. Kjo reformë shkatërron një sistem të kalbur, të ndërtuar keq. Dhe krijohet një sistem i ri demokratik, karriere të pastër. Se sa vetë do ta kalojnë vetingun, unë nuk e di. Unë edhe kur isha pjesë e këtij sistemi, kam folur për ndryshim të tij dhe kjo reformë ka vendosur disa baza të forta, që në prokurori do mbesin njerëz të ndershëm dhe unë ju siguroj se në prokurori dhe në gjyqësor ka me shumicë njerëz të ndershëm, që do ta kalojnë vetingun. Sigurisht që ka edhe shumë që s’do ta kalojnë, pa diskutim. Pas kalimit të vetingut, janë krijuar disa mekanizma ligjorë, të cilët të bëjnë që ti nëpërmjet punës tënde të jesh të jesh në dritë të medias, në dritë të publikut dhe të mos jetë vendimmarrja e prokurorisë skutave, pa u marrë vesh. E rëndësishme është edhe karriera e prokurorëve, që do të jetë transparente. Prokurori i përgjithshëm nuk do të ketë këto kompetencat që ka sot dhe të jeni të bindur se ka për të pasur njerëz të mirë, që do të konkurrojnë për prokuror të përgjithshëm. Do ketë profesorë akademikë që e duan këtë vend, pasi prokurorët që janë zgjedhur më parë, janë zgjedhur politikisht duam apo s’duam ne. Por, nuk ka rëndësi si zgjidhesh, mund të zgjidhesh politikisht e kur të marrësh detyrën, të sillesh profesionalisht. Dhe, të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë kanë lënë gjurmët e tyre në prokurori. Në perceptimin e tyre se si kanë punuar, pavarësisht se janë prodhuar politikisht, sepse një fjalë e urtë thotë se nuk ka rëndësi se si vjen në punë, e rëndësishme është të mos ikësh me turp.
Zoti Hajdari para disa ditësh u publikua në media lajmi se është prokurori i përgjithshëm është kërcënuar për shkak të një dosjeje që po heton, çfarë komenti keni në lidhje me këtë ngjarje?
Unë nuk kisha dëshirë që të flisja për këtë temë, sepse tashmë dihet që me prokurorin e përgjithshëm edhe publikisht kemi pasur mosmarrëveshje parimore. Prokurori i përgjithshëm nuk heton çështje, çështjet në Shqipëri i heton trupa e prokurorëve, që janë të ndarë në shkallë të parë, në Apel dhe pjesën që hetojnë prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, pra ata zyrtarë që deri tani duhet t’i hetonte Prokuroria e Përgjithshme. Kjo nuk e pengon prokurorin e përgjithshëm që të bëjë edhe hetime vetë, po për fatin e keq prokurorët e përgjithshëm në Shqipëri, përfshirë edhe prokurorin e fundit, z.Llalla nuk kanë hetuar, ndërkohë që kanë pasur detyrimin që të paktën zyrtarët e lartë t’i hetojnë vetë. Madje, edhe të shkojnë vetë që t’i përfaqësojë në Gjykatën e Lartë, sepse prokurorët e përgjithshëm për të motivuar prokurorët duhet të jepnin shembullin e tyre, të shkojnë që t’i mbrojnë vetë akuzat në gjyq. Por, përse duhet të kërcënohet kryeprokurori i përgjithshëm? – pyet një prokuror i vjetër. Pse nuk kërcënohet prokurori që ka këtë çështje, pra në qoftë se kemi një grup të strukturuar kriminal? Ai duhet të kërcënojë prokurorin, i cili e ka arrestuar, sepse prokurori i përgjithshëm nuk ka vendimmarrje konkrete.
A ju duket e drejtë ju që pas kërcënimit, z.Llalla vendosi që të largojë familjen jashtë Shqipërisë për arsye sigurimi?
Kjo historia e kërcënimit, nëse është e vërtetë, që është shoqëruar edhe me largimin e familjes është një rast i paprecedent. Kam kaluar 7 prokurorë të përgjithshëm, me të cilët kam pasur komunikime, por nga grupe të strukturuara kriminale janë kërcënuar në një formë apo një formë tjetër të gjithë paraardhësit e z.Llalla dhe shteti prokurorëve të përgjithshëm i ka garantuar mbrojtje fizike dhe i kanë kaluar këto kërcënime duke zbatuar ligjin. Aty ku e kanë konsideruar që kërcënimi është serioz, kanë iniciuar fillimin e një çështjeje penale dhe kaq. Çfarë perceptimi sjell te publiku shqiptar dhe ndërkombëtar kur lajmi merr dhenë se prokurori i përgjithshëm është kërcënuar dhe ka larguar familjen jashtë vendit? Kjo është e tmerrshme profesionalisht. Një prokuror i përgjithshëm ka në dorë të gjithë mekanizmat ligjorë që nëse është kërcënuar, të zbulojë dhe të vërë përpara drejtësisë kërcënuesit e tij dhe të veprojë në përmbushjen e detyrave që ka përpara vendit, sepse një prokuror i përgjithshëm nuk ka vetëm benefite, por vendi kërkon edhe qëndresë. Po prokurorët e Shkallës së Parë, që kërcënohen çdo ditë kush i ruan? Po prokurorët e Krimeve të Rënda, që kanë çuar banda të tëra në burg, kush i ruan? Në qoftë se ne do japim perceptimin që prokurori i përgjithshëm është kaq i kërcënuar sa detyrohet ta largojë familjen jashtë shtetit, a është perceptim normal ky. Po kush do ta zbulojë kërcënimin e prokurorit të përgjithshëm kur kërcënohet ai vetë. Para disa ditësh, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se është përgjuar në zyrë, ku gjeti aparate përgjimi në zyrë. Unë kam folur shqip gjithmonë dhe kështu do flas gjithmonë. Duhet të jesh i përgjegjshëm, se një veprim i pamenduar mirë, ka akses negativ në publik. Ndaj, unë mendoj se vetingu do të qartësojë dhe do të nxjerrë në pah edhe prokurorët e gjyqtarët që kanë bërë punën me ndershmëri dhe do nxjerrë edhe prokurorët.
BW/d.i.
Llalla ka vjedhur se bashku me prokuroret e tjere, me Brahon(qe e kam mik te vjeter) qe thote qe polici kesaj radhe perdori emrin tim pa lejen time, si dhe me shume te tjere… po behet gati te largohet se po u miratuan ligjet per drejtesine duhet te futet brenda(vetem bizhuterite e goces kushtojne mbi 100 mije euro)….
e moj e mjera Shqipni me keta hajduta te vjeter…