Pas bashkisë së Tiranës, Elbasani bëhet qyteti i dytë që është tërhequr nga dhënia me koncesion e parkingjeve publikë mbi tokë, dhe tashmë po eksploron mundësinë e ofrimit të këtij shërbimi nëpërmjet një ndërmarrje publike.
Tre vjet më parë bashkia e Elbasanit pa si mundësinë më të mirë për të përmirësuar menaxhimin e parkimit në qytet, dhënien e këtij shërbimi me koncesion në formën e një partneriteti publik-privat për një periudhë 20-vjeçare.
Pasi mori miratimin e Këshillit Bashkiak në shator 2013, administrata e bashkisë së Elbasanit hapi një procedurë prokurimi, duke ngarkuar një komision ekspertësh për vlerësimin e procedurës së dhënies së koncesionit.
Në maj 2014, Parx Ltd –një kompani me qendër në Izrael degë e One Track Innovations Ltd – si dhe partneri i saj shqiptar TIS L.t.d, njoftuan nëpërmjet një deklarate për median se qenë shpallur fituestë koncesionit për ofrimin e shërbimeve të parkimit për bashkinë Elbasan.
Por ndryshe nga çfarë ka pretenduar kompania, procedura e prokurimi është anuluar në dhjetor 2013 nga bashkia e Elbasanit, pas parregullsive të konstatuara në mënyrën e përllogaritjes së vlerës së kontratës koncesionare.
Bashkia e Elbasanit nuk është qyteti i parë dhe as i fundit në radhë në Shqipëri, që ka tentuar ta japë me koncesion sistemin e menaxhimit të parkingjeve. Procedura të ngjashme janë miratuar në Fier dhe Vlorë.
Një propozim i ngjashëm për koncesion është bërë në shkurt të vitit 2015 edhe në Tiranë, por është tërhequr pasi nuk ka gjetur konsensus në Këshillin Bashkiak.
Të kontakuar nga BIRN, kompania TIS, pranoi që aktualisht nuk ka një kontratë me bashkinë e Elbasanit, duke shtuar se arsyet për anulimin e koncesionit po vlerësoheshin nga ana e saj.
Bashkia Elbasanit tha se pas anulimit të procedurës së prokurimit, nuk ka pasur pretendime të ngritura nga kompanitë pjesëmarrëse, ndërkohë që BIRN ka mësuar se ngjashëm me Tiranën, kjo e fundit po studion mundësinë e ngritjes së një ndërmarrje publike për menaxhimin e sistemit të parkingjeve.
Elbasani e anuloi procedurën në momentet e fundit
Gjatë regjimit komunist pronësia private e automjeteve në Shqipëri ishte e ndaluar, dhe ato pak makina në pronësi publike nuk hasnin vështirësi në gjetjen e hapësirave për të parkuar.
Me fundin e regjimit komunist në vitin 1991, numri i makinave private në Shqipëri u rrit ndjeshëm, ndërsa lëvizjet e mëdha demografike nga fshati në qytet dhe ndërtimet pa kriter të blloqeve të reja të banimit pa parkingje nëntokësore, krijuan kaos në hapësirat publike që përdoren për parkimin e automjeteve.
Në kërkim të një administrimi sa më të mirë dhe efektiv të hapësirës publike për parkim, një numër qytetesh kanë instaluar përdorimin e parkingjeve me pagesë dhe disa kanë tentuar ta japin këtë shërbim me koncesion si partneritet publik-privat, duke synuar futjen e teknologjive të reja.
Një nga qytet që ka synuar ta japë me koncesion këtë shërbim është dhe Elbasani. Me një vendim të 25 shtatorit 2013 të Këshillit Bashkiak, bashkia ka marrë të drejtën e fillimit të procedurës së koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë.
Në këtë vendim Këshilli Bashkiak autorizon kryetarin e bashkisë, Qazim Sejdini, të vazhdojë negociatat për dhënien me koncesion të 3,195 vendeve të evidentuara parkimi në qytet, me një çmim që nuk i tejkalon 50 lekë për orë.
Për negociatat me kompaninë kontraktore, Këshilli Bashakiak kërkon që bashkia e Elbasanit të ngrejë një komision të përbërë nga juristë, ekonomistë dhe ekspertë të fushës, me jo më shumë se 7 anëtarë.
Procedura e konkurrimit për koncesionin është shpallur në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik me 11 nëntor 2013. Sipas njoftimit të tenderit në APP, kompania fituese e koncesionit duhet të bënte një ofertë ekonomike jo më të vogël se 11 milionë lekë në vit.
Kohëzgjatja e koncesionit do të ishte për një periudhë 240 mujore, ndërsa kompania fituese kërkohet të ketë eksperiencë të mëparshme, duke ofruar një sistem parkimi të njehsuar me parkingmetër LCD dhe parkim nëpërmjet telefonit, të lidhur me njëri-tjetrin.
Por pa mbaruar procedura, në 30 dhjetor 2013, bashkia e Elbasanit si autoritet kontraktor, ka nxjerrë një njoftim ku e anulon procedurën koncesionare të prokurimit. Sipas njoftimit, procedura është anuluar sepse komisioni i posaçëm i ngritur nga bashkia ka kërkuar miratimin e një ndryshimi të vendeve të parkimit që do të shfrytëzoheshin nga 3,195 në 1,700, ndërkohë që kjo kërkesë nuk është miratuar nga Këshilli Bashkiak.
I njëjti komision ka dështuar të marrë në konsideratë gjatë procedurës së prokurimit, kërkesat ligjore të parashikuara në Kodin Rrugor, të cilat kërkojnë sipërfaqe të përshtatshme “të destinuara për parkim pa roja ose pa sisteme kontrolli për kohëzgjatjen e qëndrimit.”
Në retrospektivë anëtarë të Këshillit Bashkiak në Elbasan i thanë BIRN, që anulimi i procedurës së prokurimit ka qenë zgjidhja e duhur për qytetin.
“Dështimi i PPP-së në Vlorë e Fier bën që Elbasani të mos synojë më koncesionin PPP,” tha për BIRN Indrit Abdiaj, përfaqësues i koalicionit të majtë për një Shqipëri Europiane.
“Qytetari paguan një taksë parkimi 1500 lekë në vit për parkimin. Mendimi im është se parkingjet me pagesë mund të funksionojnë vetëm me hapjen e parkingjeve private të nëndheshme,” shtoi ai.
Mashtrime në Fier
Qyteti i Fierit ka qenë i pari që në vitin 2011, miratoi dhënien me koncesion të administrimit të parkingjeve në rrugë një kompanie private.
Me 27 nëntor 2011, ndërmjet Bashkisë Fier, përfaqësuar nga kryetari i saj Baftjar Zeqo dhe shoqërisë “International Parking 2011” sh.p.k, përfaqësuar nga administratori i saj Florim Kajolli, është lidhur kontrata e shërbimit me objekt organizimin e parkimit me pagesë në rrugët kryesore të qytetit.
Florim Kajolli, është djali i biznesmenit dhe ish këshilltarit të Partisë Republikane në Këshillin Bashkiak Fier, Fatmir Kajolli, dënuar me 22 vite burg nga dy gjykata italiane për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj kontrate, shoqëria kontraktuese, ka fituar të drejtën e administrimit të shërbimit të parkimit mbitokësor dhe të drejtën e instalimit të pajisjeve dhe makinerive të parkimeve me pagesë në rrugë.
Me anë të një vendimi të mëhershëm, të datës 21 korrik 2011, Këshilli Bashkiak Fier ka përcaktuar një numër rrugësh dhe sheshesh në qytet, parkimi në të cilat do të bëhej me pagesë kundrejt tarifës 50 lekë në orë, nga ora 8:00 deri në orën 16.00, nga e hëna deri të premten, dhe nga ora 8:00 deri në orën 14:00, të shtunën. Kompania përfitonte 70 % të tarifës kurse bashkia Fier vetëm 30 % të saj.
Me një vendim tjetër të marrë në 21 nëntor 2011, Këshilli Bashkiak vendos vlerën e gjobës administrative nga 500 deri në 3,000 lekë për parkim pa biletë, si dhe 7,000 lekë për largimin e makinës me karrotrec. Një vit më vonë, kundërvajtja administrative për largimin e mjetit me karrotrec është ulur nga 7,000 lekë në 4,000 lekë.
Me gjithë zbutjen e masave ndëshkuese, qytetarë të ndryshëm kanë raportuar gjatë vitit 2013 se kanë rënë pre e sjelljeve abuzive nga ana e punonjësve të kompanisë, çfarë është bërë shkak edhe për konflikte fizike. Një pjesë e personave të dëmtuar janë drejtuar Prokurorisë së Fierit me kallëzime penale kundrejt kompanisë, drejtuesve të saj dhe punonjësve të veçantë.
Pas një hetimit Prokuroria e Fierit ka ngarkuar me përgjegjësi penale drejtuesin e kompanisë Florim Kajolli, kompaninë e tij dhe një numër punonjësish të saj, të cilët akuzohen se nëpërmjet mashtrimit dhe gënjeshtrës, kanë vjedhur pasurinë e qytetarëve të ndryshëm.
Sipas Prokurorisë së Fierit, ka rezultuar se në një periudhë më shumë se 2-vjeçare që nga firmosja e kontratës nga kompania “International Parking 2011,” ajo nuk ka vendosur asnjë makineri automat ku qytetarët mund të paguanin biletën.
“Mosvënia e automateve është plotësisht e qëllimshme që qytetarët që nuk janë banorë të Fierit të mos kenë idenë dhe mundësinë praktike që të dinë se në pjesë të caktuara të rrugëve të qytetit, parkimi është me pagesë dhe se ku mund të kryhet pagesa në rast të tillë,” shkruhen në akt-akuzën e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se shoqëria ka punësuar për të gjithë rrugët e qytetit vetëm gjashtë punëtorë që presin bileta parkimi, plotësisht e pamundur për të kryer funksionimin normal të shërbimit. Ky veprim ka qenë i qëllimshëm që qytetarët të mos kenë mundësi që të dinë se në pjesë të caktuara të rrugëve të qytetit parkimi është me pagesë dhe se ku mund të kryhet pagesa në rast të tillë.
Sipas organit të akuzës punonjësit e shoqërisë së parkimit “brenda 10-15 minutash, me veprime totalisht kriminale për të vjedhur paratë e qytetarëve, realizojnë marrjen eautomjeteve me karrotrec, me qëllim përfitimin e vlerave prej rreth 10.000 lekësh për çdo drejtues automjeti.”
Këto akte të kompanisë, sipas Prokurorisë janë fshehur nën petkun e kontratës së lidhur me bashkinë Fier dhe aktet administrative të dala nga Këshilli Bashkiak, por përfitimi i këtyre parave ka qenë në kundërshtim me ligjin dhe kontratën e nënshkruar.
“Në shumë raste të evidentuara në aktet e fashikullit hetimor, vjedhja e parave realizohet nëpërmjet plotësimit të masave administrative (përdorim karrotreci), ndërkohë që ka rezultuar se drejtuesit e mjeteve e çojnë personalisht vetë mjetin në pikën e parkimit ose karrotreci përdoret abuzivisht në periudha kohore prej jo më shumë se 15 minuta nga momenti i parkimit të mjetit,” shkruan Prokuroria.
“Në çdo rast qëllimi i agjentit tatimor është plotësimi i masave administrative në vlera sa më të larta për të përfituar padrejtësisht shuma monetare në favor të shoqërisë,” përfundon organi i akuzës.
Përveç Kajollit dhe dy punonjësve të tij, Prokuroria ka ngarkuar me përgjegjësi penale dhe dy drejtues në Drejtorinë e Transportit dhe Licencave Profesionale në Bashkinë e Fierit, Themion Mile dhe Arben Doko, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë monitoruar në terren zbatimin e kontratës.
Edhe pse gjykatësja Ygerta Hysi i ka pranuar provat e prokurorisë, të cilat faktojnë abuzimet “kriminale” të kompanisë ndaj qytetarëve, me vendim e saj të marrë më 26 nëntor 2015, ajo i ka shpallur të pandehurit të pafajshëm.
Sipas gjykatës mosveprimet e punonjësve të bashkisë Fier për monitorimin e kontratës nuk janë bërë për arsye objektive, ndërkohë që abuzimet e kompanisë “International Parking 2011”, edhe pse të faktuara, nuk përbëjnë vepër penale por janë detyrime juridiko- civile që rrjedhin nga kontrata e saj me bashkinë Fier, dhe si rrjedhim “mospërmbushja e të cilave mund të sjellë vetëm përgjegjësi civile dhe jo përgjegjësi penale.”
Katër muaj përpara vendimit të gjykatës, me 27 korrik 2015, Këshilli Bashkiak Fier ka vendosur anulimin e kontratës me kompaninë International Parking 2011. Në dhjetor të vitit 2015, kompania International Parking 2011 është sekuestruar me urdhër të Agjencisë se Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pasi dyshohet se është ngritur me para qe kanë ardhur nga aktiviteti kriminal i Fatmir Kajollit.
Debate në Vlorë
Pasi ka dështuar të lidhë një kontratë me qytetin e Elbasanit, kompania TIS Park Sh.p.k, nën pronësi të TIS Holding dhe One Track Inovations, i ka hedhur sytë nga Vlora, ku në nëntor 2014, Këshilli i Bashkisë ka miratuar një kontratë koncesionare 15-vjeçare për menaxhimin e sistemit të parkingjeve.
Tarifa e koncensionit është vendosur në 10 milionë lekë në dy vitet e para, dhe nga viti i tretë e në vazhdim në 10 milion lekë, dhe 2 % të xhiros vjetore të realizuar nga koncesionari.
Vendimi i dhënies së shërbimit të parkimit në Vlorë me koncesion është shoqëruar me akuza nga shoqëria civile dhe pakënaqësi nga qytetarët.
Ish-këshilltari bashkiak Armando Lagji, i tha BIRN se ai ka dyshime në lidhje me procedurën që është ndjekur për të lidhur kontratën me kompaninë koncesionare, si dhe mbi mënyrën se si ndahen të ardhurat midis bashkisë dhe kompanisë.
“Praktikisht këtë e ka në dorë kryetari i bashkisë pasi KLSH ka vënë re shumë shkelje dhe ia ka dërguar kryebashkiakut. Ai është i detyruar të mbledhë Këshilli Bashkiak dhe të zhbëjë kontratën,” tha Lagji.
Flamur Çelaj, një biznesmen nga Vlora ka gjithashtu dyshimet e tij mbi kontratën.
“Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte autoritarizmi dhe agresioni që koncesionari filloi me qytetarët qoftë në komunikim verbal ashtu edhe veprimet fizike e gjoba apo bllokim mjeti,” tha Çelaj. “Unë jam biznesmen e nuk kam asgjë ndaj iniciativave sipërmarrëse por duket qartë dhe ka një nervozizëm kolektiv për sjelljen e tyre,” shtoi ai.
Fredi Shanaj, një qytetar nga Vlora, i tha BIRN se vendosja e parkingjeve me pagesë në Vlorë ishte e parakohshme.
“Në radhë të parë duhet të vendosen semaforët, më pas të përfundojnë vijëzimet e rrugëve me bojë cilësore dhe në vazhdim duhen pyetur qytetarët se si do të jetë më mirë,” tha ai.
“Ne dimë se në shumë vende të botës ka parking me pagesë, por rrugët janë me parametra. Këta e kanë bërë këtë gjë si çdo punë vetëm për interesin e tyre,” shtoi Shanaj.
Duke parë shqetësimin e qytetarëve të Vlorës, me datë 21 shtator 2016 , kryetari i Këshillit Bashkiak i ka dërguar një shkresë kompanisë TIS Park, duke kërkuar informacion në lidhje me tarifën e bllokimit të automjeteve që ajo po aplikon, bazën ligjore, planin e investimeve dhe nëse ka paguar tarifën koncesionare.
Në një njoftim për shtyp të dielën, kompania deklaron se i ka kthyer përgjigje kërkesës së Këshillit Bashkiak për informacion.
Agjencitë publike zëvendësojnë koncesionarët
Ashtu si në qytete të tjera të Shqipërisë, kryeqyteti ka flirtuar me mundësinë e dhënies me koncesion të parkingjeve publike.
Në fund të mandatit të tij si kryebashkiak i Tiranës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, paraqiti një projekt në Këshillin Bashkiak, që synonte vendosjen e tarifave të parkimit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, ndërsa menaxhimi do të realizohej nga dy kompani private me të njëjtin pronar; “ABT” dhe “Speed Taxi”. Të dy kompanitë, sipas Qendrës së Regjistrimit të Biznesit zotërohen në maxhorancë aksionesh nga Shpresim Bajraktari.
Kompanitë e Bajraktarit kishin depozituar në shkurt 2014 në bashkinë e Tiranës një propozim të pakërkuar për partneritet publik-privat.
Një muaj pas këtij propozimi, kryebashkiaku Basha nisi procedurat për koncesionin, duke ngritur një komision për vlerësimin e studimit. Komisioni realizoi dy kontakte me kompaninë e interesuar, më 21 maj dhe 3 qershor 2014.
Më 3 qershor 2014, kryebashkiaku Basha nxori një urdhër të dytë për vazhdimin e këtij projekti dhe studimin e fizibilitetit të tij. Dokumentet zyrtare tregojnë se dy kompanitë private kishin shfaqur interes për menaxhimin e parkimit në zonën brenda Unazës së tretë të Tiranës.
Projekti u zgjerua me kërkesën e Bashkisë, duke përfshirë pjesën më të madhe të territorit të Tiranës. Projekti parashikonte 23 zona të parkingjeve me pagesë në Tiranë. Barra financiare për qytetarët do të varionte nga 20 lekë/ora në lagjet periferike deri në 150 lekë për dy orë në qendër të Tiranës.
Nën presionin e Partisë Socialistë në pushtet dhe media, Basha u tërhoq nga vendimi duke thënë se kishte dëgjuar zërin e qytetarëve.
“Nuk është momenti për të shtuar barrën financiare të qytetarëve, ndaj do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak ta shtyjë me 5 vite propozimin,” deklaroi ai.
Pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, Basha zëvëndësohet në krye të bashkisë së Tiranës nga ish ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Veliaj e ka riformatuar shërbimin e parkimit me pagesë në qytet në një agjensi publike të quajtur Tirana Parking.
Ngjashëm me Tiranën edhe Elbasani po shqyrton ngritjen e një kompanie publike për të menaxhuar parkimin në territorin e bashkisë. Në prill 2016, dy ekspertë nga organizata jo-qeveritare Assist Impact, të mbështetur nga USAID, kanë paraqitur një studimin që e kthen vështrimin tek një ndërmarrje shtetërore për menaxhimin e parkingjeve në qytetin e Elbasanit.
Në këtë studim janë përcaktuar 5 rrugë dhe 4 sheshe të mundshme për aplikimin e pagesës dhe rritjen e vendparkimeve shkallë-shkallë të menaxhuar nga ndërmarrja e bashkisë nëpërmjet sistemit elektronik. Në këtë studim jepet edhe impakti pozitiv që do të ketë vendosja e pagesës sidomos në zonat e qendrës për të ulur edhe fluksin e përqendrimit të automjeteve në këto zona, si dhe perceptimet e publikut për një vendim të mundshëm për të instaluar parkime me pagesë.
Por ndryshe nga Tirana, kur kjo formë e re menaxhimi e parkingjeve me pagesë po merr jetë, duke u vendosur në fillim në zonën e qendrës dhe më vonë në periferi, këshilltarët bashkiak në Elbasan mbeten skeptikë.
Florenc Valva, këshilltar i koalicionit të Djathë, i tha BIRN se ka qenë prezent gjatë prezantimit të bërë nga ekspertët e Assist Impact por vazhdon të jetë kundër propozimit të parkingjeve me pagesë në qytetin e Elbasanit, me bindjen se kjo nuk do të ishte zgjidhja më e mirë për qytetin.
“Pavarësisht se në vitet e fundit, bashkia në vend që me investimet e reja apo me veprime të tjera të saj, ka ulur ndjeshëm numrin e parkimeve, sidomos në pjesën e qendrës së qytetit…Elbasani ende ka kapacitete për të garantuar parkimin për të gjithë qytetarët,” tha Valva.
Kolegu i tij nga ana e kundërt e spektrumit politik, Indrit Abdiaj, bie dakord.
“Derisa ky studim nuk paraqiste asnjë alternativë të re, asnjë investim, atëherë ishte i pavlefshëm,” tha Abdiaj. “Unë jam kundër për parkingjet aktuale me pagesë në qytetin e Elbasanit duke qenë se ne e paguajmë një taksë vjetore për parkim kur paguajmë taksat e automjeteve,” përfundoi ai./BIRN/a.m.