Dhjetë vjet pas shpalljes ndërkombëtare së dekadës së Romëve, pak parametra janë përmirësuar, kurse gjendja e këtij komuniteti është ende tejet katastrofike në shumë fusha. Romët përbëjnë një masë të madhe të komunitetit nga Shqipëria që kërkojnë azil; ata mbeten të paarsimuar; kurse komunitete të tëra të tyre janë të privuar nga shërbimet bazë. Një raport i fundit i Qendrës të Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore na jep të dhëna interesante për atë që ka ndodhur në terren me ta sa i përket migrimit dhe varfërisë…
Nga BEN ANDONI
Nëse dikush do të këqyrë në terren parametrat e varfërisë dhe ndryshimin e pakët të gjendjes së romëve, do t’i këshillonim të shkonin në mesin e Tiranës së luksit. “Blloku” është shkëlqimi i Tiranës postmoderne, ku bëhen thashethemet dhe jeta ndryshe e metropolit shqiptar, por edhe vitrina që mund të shikosh tre breza romësh, në një rrotacion organik. Janë ata të fillimviteve ’90, romët bebe, që rrinin në krahët e të rriturve dhe që tashmë janë vetë prindër, me të tjerë bebe rome në krahë. Dështimi i politikës kombëtare, që lidhej me detyrimet e shtetit shqiptar, sa i përket Dekadës së romëve, mund ta shikosh me jetët e tyre. Bëjnë të njëjtën punë dhe kanë të njëjtin organizim, prej vitesh…
Azili ishte i paralajmëruar
Ndërsa burokratët e ndryshëm të shtetit dhe ata të Shoqërisë Civile ngrehin shifra përmirësimi, prej të cilave kanë gjeneruar fonde të mëdha, një raport i fundit i Qendrës të Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore na jep të dhëna interesante për atë që ka ndodhur në terren me ta sa i përket migrimit, varfërisë, mungesës së arsimimit të tyre etj…Gjëndja e tyre në fund të dekadës është përkeqësuar. Periudha që ndoqi vitet ’90 i përballi ata me një realitet, që i la jashtë zhvillimeve të vendit. Nuk ekzistonin më ndërmarrjet shtetërore, nuk ishin të profilizuar për punë, po u mungonte arsimi i duhur, gjuhët e huaja dhe karakterit i njëanshëm i përgatitjes profesionale të tyre. “Ata kaluan nga një mirëqenie relative në varfëri të skajshme. Kjo gjendje është përkeqësuar vitet e fundit si pasojë e ndikimit të krizës ekonomike globale. Niveli i lartë i varfërisë, papunësia masive dhe afat-gjatë, treguesit e ulët të zhvillimit njerëzor, kushtet e këqija të jetesës, cilësia e ulët e infrastrukturës dhe e shërbimeve, kanë çuar në një përjashtim të thellë social të tyre.
Statistikat tregojnë se një numër në rritje shqiptarësh aplikojnë për azil në vendet e BE. Kështu, në vitin 2009 numri i azil kërkuesve shqiptarë në vendet e BE ishte 2065, kurse në vitin 2013 ky numër arriti në 11.040. Sipas statistikave, në Gjermani, i vetmi vend i BE që jep përbërjen etnike të aplikantëve, vlerësohet se 6 deri 10 përqind e azil kërkuesve shqiptarë janë të etnisë rome. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se përqindja që përfaqësojnë romët në popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë”, shkruajnë Ilir Gedeshi dhe Lauren Skora, që e kanë përgatitur materialin. Ata e kanë mbledhur duke bërë analiza të të dhënave sasiore dhe cilësore, primare dhe sekondare, mbledhur në gjysmën e parë të vitit 2014 me familjet e komunitetit rom në zonat urbane, sub-urbane dhe rurale në plot 11 rrethe të Shqipërisë (Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Lushnje, Fier dhe Gjirokastër).
Pse janë të varfër
Duhet kuptuar fillimisht pse ende konsiderohen të varfër, e kjo lidhet me atë që ata vetë kuptojnë konceptin sa i përket varfërisë. Kjo dëshmohet në aspektin e pamundësisë për të plotësuar nevojat materiale, për të vazhduar traditat familjare, me ndjenjën e përjashtimit nga jeta sociale e ekonomike, me mungesën e shpresës dhe të sigurisë. Sipas kësaj ndarjeje, rezulton se 80.1 përqind e familjeve rome bëjnë pjesë në grupin “shumë të varfër”, ndërsa 4.2 përqind janë të “varfra”. “Ndërkaq, një krahasim me anketën e ËB të vitit 2003 tregon se ka një ulje në varfërinë ekstreme (‘nuk kemi as për t’u ushqyer’) për familjet rome. Por në tërësi, grupi i familjeve “shumë të varfëra” është në nivele më të larta në krahasim me anketën e vitit 2003 dhe të vitit 2011.Ndërsa hendeku me popullsinë në shumicë, në intervalin e kohës midis tre anketave (2003 – 2014), është rritur”, shprehet në raport. Ato që numërohen si shkaqe kryesore të varfërisë dhe të përjashtimit social të romëve janë papunësia, të ardhurat e ulëta nga puna e pakualifikuar në sektorin informal, mungesa e arsimimit, infrastruktura e kushtet e këqija të banimit dhe diskriminimi. Një faktor tjetër i rëndësishëm mbetet edhe rënia e fluksit të remitancave, si pasojë e ndikimit të krizës ekonomike e financiare në Greqi. Romët vetë përgjigjen se justifikimi gjendet në pashkollimin e tyre.
Pasiguria
Pashkollimi dhe si rezultat edhe mungesa e punës në sektorin formal, ka bërë që romët të punojnë vetëm në sektorin informal. Që do të thotë se 95 përqind e romëve punojnë pa kontratë dhe nuk paguajnë asgjë për sigurimet shoqërore. Dhe, kjo punë në sektorin informal prodhon të ardhura të vogla, stres dhe pasiguri për të ardhmen. Në këtë sektor, romët punojnë në grumbullimin e hekurishteve (41 përqind), tregtinë e rrobave të përdorura (28 përqind), punët e rastit (4 përqind) dhe një pjesë (kryesisht gra dhe fëmijë) merren me lypje (8 përqind). “Gjatë 10 vjetëve të fundit, në sektorin informal vërehet një zhvendosje, nga njëra punë në tjetrën, sipas një rendi zbritës në raport me të ardhurat. Kështu kalohet nga bujqësia, tregtia e rrobave të përdorura dhe muzika tek grumbullimi i hekurishteve dhe lypja. Të dhënat sasiore dhe cilësore tregojnë se papunësia dhe ulja e të ardhurave në sektorin informal shoqërohen me rritjen e varfërisë. kjo rritje e varfërisë për popullsinë rome krijon një rreth vicioz: sa më të varfër bëhen aq më e vështirë është të punësohen në sektorin formal dhe informal”, thuhet në këtë raport.
Treguesit e varfërisë
Referuar liderëve formalë dhe informalë romë, të intervistuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, në këtë raport theksojnë se “vitet e fundit varfëria e komunitetit rom është në rritje”. Kjo varfëri në rritje ka disa tregues, – si blerja me listë në dyqanet ushqimore, migrimi i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, etj., “të cilat romët i përdorin edhe si coping mechanism”, thuhet në këtë raport. Për hir të së vërtetës, kjo mund të shmangë varfërinë ekstreme afat-shkurtër, por nuk mund t’i nxjerrin romët nga kurthi i varfërisë, në afat të gjatë. Sipas studimit, thuajse 30 përqind e romëve kanë migruar në Tiranë, Shkodër, Milot, Kukës, Peshkopi, Kavajë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, etj. Të tjerë lëvizin brenda rrethit, nga fshati në qytet ose nga fshati në fshat. Gjatë viteve të fundit, ky mobilitet në rritje po shoqërohet edhe me krijimin e kampingjeve, ku familjet rome banojnë në kasolle ose çadra, referuar raportuesve. Në këto kampingje kuptohet se mungon infrastruktura e nevojshme, si uji i pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza, rrugët, etj. Kjo vërehet sidomos në Shkodër, Kukës, Peshkopi, Tiranë (Shkozë, Ura e Farkës, Babrru, Bregu i Lumit, etj), Durrës, Gjirokastër (tregu i shumicës), Sarandë (fusha e Vrionit), etj.
Migrimi ndërkombëtar
Ndaj migrimi ka qenë mekanizmi kryesor mbrojtës ndaj varfërisë dhe përjashtimit social. Ai ka zbutur disi varfërinë, por ka qenë i paaftë t’i shmangë romët jashtë ciklit të varfërisë. Po ashtu, remitancat e migracionit janë përdorur kryesisht për konsum vetjak dhe nuk investohen për hapjen e vendeve të reja të punës. Rrjedhimisht romët mbeten të mbërthyer në ciklin e varfërisë dhe migrimi sjell migrimin. Edhe të dhënat e anketës tregojnë se 37 përqind e romëve të anketuar kanë pasur një eksperiencë migrimi, afat-shkurtër dhe afat-gjatë, kryesisht në Greqi (85 përqind) dhe në Itali (9 përqind). “Pavarësisht dëshirës për migrim nëpërmjet aplikimit për azil në vendin pritës jo të gjitha familjet rome mund të migrojnë. Të dhënat e anketës tregojnë se 47 përqind e familjeve rome që mendojnë të kërkojnë azil nuk janë të pajisur me pasaportë biometrike dhe 74 përqind nuk janë të afta të financojnë udhëtimin e tyre jashtë vendit. Rrjedhimisht shtrohet pyetja: cilat grupe të romëve mund të kërkojnë azil në vendet e BE? Familjet që disponojnë të ardhura. Shpenzimet e udhëtimit të një familje rome në një nga vendet e Europës Perëndimore për të kërkuar azil janë relativisht të larta. Këto përfshijnë pajisjen e anëtarëve të familjes me pasaportë, shpenzimet e udhëtimit dhe të ushqimit deri në destinacion dhe ndoshta edhe ato të rikthimit”. Në mungesë të burimeve financiare shumë familje e kanë të pamundur të udhëtojnë në vendet e Europës Perëndimore për të kërkuar azil.
Shteti shqiptar
Qeveria shqiptare miratoi në shtator e vitit 2003, Strategjinë Kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së pakicës rome” dhe e miratoi me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.633 datë 18.09.2003. Kjo Strategji në letra tregonte se kishte një perspektivë për integrimin social dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së romëve. Hartimi i saj synonte plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga ratifikimi i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Në vitin 2004 u shkua dhe më tej sepse u ngrit struktura mes tri ministrive, asaj të Arsimit, të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila synonte katër objektiva kryesore: punësimin, arsimimin, shëndetësinë dhe strehimin. Por, në fakt edhe shteti shqiptar ka bërë fare pak për ta, veçmas konferencave pafund dhe propogandës. Kjo të vjen ndërmend, kur kujton të njëjtët romë, që qëndrojnë në “Bllok” duke lypur mu para politikbërësve, që pretendojnë se kanë bërë aq shumë për ta.
…
Dekada e parë rome, u shpall në vitin 2003 në konferencën rajonale të Budapestit, nga një nismë e tetë vendeve evropiano- juglindore. Ajo përfshinte periudhën kohore nga 2005 deri në 2015. Dekada e parë rome detyronte vendet që marrin pjesë në të, që të përpilojnë programe dhe të bëjnë reforma për përmirësimin e gjendjes së romëve. Vendet pjesëmarrëse të fillimit ishin Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Serbia, Mali i Zi dhe Sllovakia. Partnerët ndërkombëtarë ishin Fondi për Shoqëri të Hapur, Banka Botërore, Komisioni Evropian, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), OEBS, Këshilli i Evropës, Banka për zhvillim e Këshillit të Evropës.
***
Të dhëna për romët*
42.7 përqind e romëve të grup-moshës 15 deri 59 vjeç janë të papunë,
2065 ishte në vitin 2009 numri i azil kërkuesve shqiptarë në vendet e BE,
11.040 ishte ky numër në vitin 2013,
6-10% e azilkërkuesve shqiptarë janë të etnisë rome,
47% e romëve janë të paarsimuar,
11.1 përqind kanë arsim fillor të papërfunduar,
6.2 përqind arsim fillor,
12,7 përqind arsim sekondar të papërfunduar,
15.9 përqind arsim 8 vjeçar,
7 përqind kanë arsim pak më të lartë se ai 8 vjeçar,
95 përqind e romëve punojnë pa kontratë dhe nuk paguajnë për sigurimet shoqërore,
37% kanë pasur një eksperiencë migrimi, afat-shkurtër dhe afat-gjatë,
85% kanë emigruar në Greqi
9% kanë emigruar në Itali,
47 përqind e familjeve rome që kërkojnë azil nuk janë të pajisur me pasaportë biometrike,
74 përqind nuk janë të aftë të financojnë udhëtimin e tyre jashtë vendit.
*Nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore