Ku është sekreti?
Për dallim nga uthulla e bardhë, uthulla e mollës ka ngjyrë të çeltë verdhë-kaftë dhe shpesh shitet e pafiltruar dhe e papasterizuar. Uthulla e mollës e pafiltruar dhe e papasterizuar shitet në dyqanet e ushqimit të shëndetshëm dhe në qendrat tregtare, transmeton koha.net.
Edhe pse llojet e tjera të uthullës, siç janë uthulla e bardhë, balsamike dhe uthulla e kuqe e verës, përdoren kryesisht për gatim, uthulla e mollës përdoret kryesisht për qëllime shëndetësore.
Hipokrati ka thënë se e kanë përdorur si tonik shërues, ndërsa ushtarët amerikanë e kanë përdorur për luftë kundër tretjes së keqe, ftohjes së mushkërive dhe skorbutit.
Mjeku Jarvis ka botuar një libër në vitin 1958, në të cilin rekomandon uthullën e mollës si ilaç për gjithçka, duke shpjeguar se është jashtëzakonisht e pasur me kalium (në krahasim me burimet e tjera ushqimore). Ai ka pohuar që përzierja e uthullës së mollës me mjaltë forcon fuqinë shëruese të uthullës. Jarvis po ashtu ka shkruar se uthulla e mollës mund të shkatërrojë bakteret e dëmshme në traktin e tretjes dhe e rekomandon si tonik për përmirësimin e tretjes, e cila konsumohet me shujta.
Kur përdoret?
Diabeti
Ndoshta aspekti me interesant i uthullës së mollës është përfitimi i mundshëm shëndetësor në nivel të glukozës në gjak. Disa studime të vogla sugjerojnë se uthulla mund të ndihmojë në zvogëlimin e nivelit të glukozës në gjak.
Studimet preliminare të hulumtuesve të Univesitetit në Arizonë janë publikuar në revistën “Diabetes Care”, me të anketuarit me diabet të tipit 2. Hulumtuesit kanë zbuluar që konsumimi i dy lugëve me uthull molle para gjumit ka ndikim të favorshëm në nivelin e glukozës në gjak në mëngjes. Studimet e tjera kanë zbuluar se uthulla mund të zvogëlojë glukozën pas shujtës. Një studim i vogël ka krahasuar ndikimin e uthullës me bukën e bardhë në glukozën në gjak pas shujtës dhe nivelin e insulinës. Hulumtuesit kanë zbuluar se ata të cilët kanë konsumuar uthull me bukë të bardhë kanë pasur nivel të ulur të glukozës në gjak dhe nivelit të insulinës pas shujtës.
Dobësimi
Uthulla e mollës është bërë e njohur për djegien e yndyrave dhe frenim të apetitit. Në të vërtetë, ekzistojnë edhe tabletat të cilat merren para çdo shujte.
Përkrahësi më i hershëm i uthullës së mollës për dobësim është Jarvis, i cili ka shkruar që njerëzit të cilët rregullisht e konsumojnë uthullën e mollës kanë djegur yndyrat në vend se t’i ruajnë. Edhe pse disa thonë se pektinet, enzimet, vitaminat dhe kaliumi mund të ndihmojnë në dobësim, nuk ka hulumtime të besueshme të cilat tregojnë që uthulla e mollës mund të ndikojë në metabolizëm apo t’i djegë më shpejt yndyrat.
Gjendja alkaline
Disa lloje të mjekësisë alternative sugjerojnë se uthulla e mollës si pjesë e ushqimit kthen ekuilibrin. Teoria prapa ushqimit alkalin është që gjaku ynë është pak alkalin, me nivel normal të pH-së në mes 7,35 dhe 7,45. Ushqimi ynë do të duhej të mbante këtë balancë të pH-së dhe do të duhej të ishte pak alkalin. I tërë ushqimi të cilin e hamë, pasi që tretet dhe metabolizohet, liron acidin apo bazën alkaline në gjak. Gjërat ushqimore të cilat shpesh i hanë njerëzit siç janë drithërat, mishi dhe produktet qumështore janë produkte acidike.
Mbështetësit e teorisë alkaline besojnë se ushqimi i pasur me ushqime acidike çon deri te mungesa e energjisë, infeksionet, ankthi, nervozizmi, dhimbja e kokës, pezmatimi i fytit, hundës dhe sinuseve, reagimeve alergjike dhe i bën njerëzit më të prirë ndaj artritit dhe gihtit. Disa mbështetës të uthullës së mollës besojnë që kthen ekuilibrin. Këto supozime nuk janë dëshmuar akoma.
Zbokthi
Ilaçin për zbokth mund ta përgatisni në shtëpi dhe fitohet me përzierjen e një çerek filxhani me uthull molle dhe një çerek filxhani të mbushur me ujë. Për uthull besohet që kthen balancën pH të lëkurës së kokës dhe zvogëlon zbokthin në lëkurë.
Përzierja zakonisht vendoset në një shishe me sprej me të cilin spërkaten flokët dhe lëkura, duke shmangur zonën e syve dhe të veshëve. Koka mbështillet me peshqir dhe uthulla lihet në flokë 15 minuta deri në një orë. Pas kësaj, uthulla mund të pastrohet nga flokët. Shpesh ky tretman rekomandohet njëherë deri dy herë në javë.
Kolesteroli i lartë
Një studim i vitit 2006 ka treguar se minjtë e ushqyer me acid të uthullës kanë pasur koncentrim dukshëm më të ulët të kolesterolit të përgjithshëm dhe të triglicerideve. Duhet të kryhen testimet edhe në njerëz për t’i konfirmuar këto rezultate.
Refluksi i thartirës
Acidi i mollës me ujë është ilaç popullor për refluksin apo zbaticën e thartirës. Bazohet në teorinë që refluksi dhe urthi në fakt janë simptoma të mungesës së acidit të stomakut, çka shkaktohet me plakje, ushqim të dobët apo me marrjen e ilaçeve.
Nuk rekomandohet si ilaç shtëpiak për refluks apo urthin, sepse mund të dëmtojë mukozën e ndjeshme të traktit të tretjes dhe të përkeqësojë problemin. Nëse keni acide refluks apo urthin vizitoni mjekun për të marrë diagnozë dhe tretman adekuat.
Aknet
Uthulla e mollës është ilaç shtëpiak për aknet. Edhe pse disa njerëz përbehen në të, duhet të përdoret me kujdes, sepse ka pasur raste të dëmtimit të lëkurës dhe të djegieve.
Tensioni i gjakut
Studimet preliminare thonë që acidi acetik në uthull mund të ndihmojë në uljen e shtypjes së gjakut. Si funksionin kjo është e paqartë, edhe pse hulumtimet tregojnë që mund të rrisë nivelin e oksidit nitrik, bashkëdyzimin në trup i cili relakson enët e gjakut, ose mund të pengojë enzimën e quajtur enzimë angiotenzinë – duke konvertuar enzimën nga prodhimi i angiotenzinit II, hormonit i cili e shkakton.
Efektet anësore
Uthulla e mollës e paholluar në formë të lëngshme ose në formë të tabletave, mund të dëmtojë ezofagun dhe pjesë të tjera të traktit të tretjes. Uthulla e mollës mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve. Njerëzit me osteoporozë dhe nivel të ulët të kaliumit duhet ta përdorin me kujdes. Nëse uthulla aplikohet në lëkurë mund të nxis djegie dhe të lërë shenja.
Konsumimi i tepërt i uthullës së mollës mund të shkaktojë dëmtime në lukth, zorrën dymbëdhjetë gishtore dhe mëlçi, përgatiti Koha. (b.an)