Me dorën që i dridhej, ngriti dollinë me mikun që e kishte nderuar në shtëpi. Salloni që i ngjan një galerie arti, me tryezën rrumbullake si e Mbretit Artur, ishte i mbushur përplot.
I mpakur nga koha dhe shëndeti, por me një humor, pa të cilin nuk mund të kuptohet, Dritëro Agolli priti Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në axhendën e ardhjes së tij në Tiranë, kishte programuar edhe disa minuta në shtëpinë e shkrimtarit. Nuk ishte një vizitë e zakontë.
Para kohe, Presidenti i Kosovës kishte ardhur t’i uronte ditëlindjen e 85-të, por edhe t’i dorëzonte dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç do të thoshte Agolli.
Shkrimtarit do t’ia donte zemra që të mos kishte dy republika shqiptarësh, por një Shqipëri “këndej e përtej Drinit”.
“Ju falënderoj nga zemra që më bëni një nder kaq të madh me dekorimin tim, të cilin ma dorëzoni me dorën tuaj. Në vitin e parë të zgjedhjes suaj president, vini këtu në Shqipëri dhe vini me duar plot”, tha Agolli, teksa bën shaka me Presidentin, duke i thënë se do preferonte të mos ia shqiptonte mbiemrin “Thaçi”, por “Taçi”, pasi hja është “mbeturinë anglosaksone”.
Shkrimtari shprehu besimin te Kosova, sipas të cilit “shumë shpejt, në një të ardhme të afërt do të kalojë të gjitha vendet me përparimin e saj, sepse ka përgatitur kuadro në të gjitha fushat.
Edhe emigrimi ka bërë mirë në këtë drejtim, sepse ka përgatitur shumë kuadro në fushën e mjekësisë, të organizimit të ekonomisë, në fushën e kulturës, në fushën e punimit të tokës, një tokë e pasur që ke dëshirë ta hash me lugë, me lugina të tëra, me fusha të bukura, një mrekulli, male që zgjaten deri në Shosh dhe Shalë. Ju do të ecni aq përpara sa do të çuditeni”.
Agolli e konsideroi Kosovën edhe si një fashitëse sherresh mes politikanëve shqiptarë. “Tek ne, në Shqipërinë këtej Drinit, parlamentarët vetëm për Kosovën nuk zihen. Vetëm kur bie llafi për Kosovën, nuk ka grindje. Mendoj sena duhet një kulturë e gjerë demokratike në Parlament dhe kudo.
Ai që kundërshton është kundërshtar me dialog, nuk është kundërshtar armik. Ne e ngatërrojmë kundërshtarin me dialog me kundërshtarin armik. Kur të ngrihet kultura demokratike, do të shpëtojmë nga zënkat, ndonjëherë edhe rrahjet ndërmjet dy forcave të mëdha politike”, tha Agolli.
Nga ana e tij, Thaçi u shpreh se edhe zënkat janë të kuptueshme në demokraci. Sipas tij, “koha nuk ka qenë kurrë më shumë në favor të shqiptarëve, komunikimi nuk ka qenë kurrë më i mirë. Të dyja qeveritë takohen, diskutojnë, bashkëpunojnë, implementojnë marrëveshje të mira dhe siç e thatë edhe ju, për kauzën kombëtare, njerëzit po afrohen e po bashkohen dhe pa dallim” tha ai raporton Tema. Sipas tij, e ardhmja e shqiptarëve është ajo pa kufi në hapësinë e Bashkimit Europian. Thaçi vlerësoi kontributin e Agollit, jo vetëm si gjeni të letrave, por edhe për pavarësimin e Kosovës.
“Ju keni bërë atë që të tjerët nuk e kanë bërë, ju keni guxuar kur të tjerët nuk kanë guxuar, ju keni besuar në lirinë e Kosovës, kur të tjerët pak kanë shpresuar, ju keni thënë të vërtetën, kur të tjerët kanë hezituar dhe keni qenë gjithnjë një inspirim për të gjitha gjeneratat në Kosovë, edhe në vitin 1968, në demonstratat për pavarësinë e Kosovës, edhe për Republikën e Kosovës, edhe për ndryshimet demokratike në Shqipëri.
Ndërsa në vitet ’90, ju jeni ndër intelektualët e parë në Shqipëri që u keni thënë të vërtetën shqiptarëve për tranzicionin demokratik”, tha ndër të tjera Thaçi, duke i dorëzuar dekoratën për kontributin e tij letrar dhe në pavarësinë e Kosovës.