Deputetët e PS-së janë njohur dje, në mbledhjen e grupit parlamentar, me qëllimin e 6 projektligjeve që shoqërojnë reformën në drejtësi. Kjo paketë ligjesh pritet të votohet ditën e enjte në seancën parlamentare, ndaj kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi pjesëmarrjen e padiskutuar të të gjithë deputetëve këtë të enjte.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ka sqaruar një për një të gjitha pyetjet e ngritura nga deputetët Artan Gaçi, Paulin Sterkaj e Xhemal Qefalia. Që në hyrje të fjalës së tij, Xhafaj i ka njohur kolegët me qëllimin dhe synimet e 6 projekteve që ata do të votojnë të enjten.
Po kështu ai u ka thënë se relacionet do t’i kenë në adresat elektronike qysh prej ditës së sotme, në mënyrë që të jenë më të qartë përpara votimit të ditës së enjte. Xhafaj mësohet se ka kërkuar mbështetjen e të gjithë deputetëve për të miratuar 6 projektligjet e rëndësishme.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit, ku mungoi kryeministri Edi Rama, Xhafaj tha për gazetarët: “I kam njohur kolegët e mi me përmbajtjen e gjashtë projektligjeve, të cilat pritet që të votohen ditën e enjte në seancë plenare. Kam marrë pyetje dhe kam dhënë përgjigje. Ajo që është shumë e rëndësishme dhe ajo që ka qenë gjëja më me vlerë në gjithë këtë proces, është mbështetja e tyre e pakufizuar për reformën në sistemin e drejtësisë dhe gjithë këtë paketë ligjore”.
“Nëse kjo reformë ka ecur përpara, pa dyshim një nga faktorët është mbështetja e këtij grupi parlamentar”, – deklaroi Xhafaj. I pyetur se ku kanë konsistuar paqartësitë e deputetëve për 6 ligjet, Xhafaj tha: “Çështje që kanë të bëjnë me projektligjet – ato që mund të pyesë çdo deputet që nuk është në brendësi të projektit – që kanë të bëjnë me: kur do të hyjë në fuqi ligji i vetingut, kur do të zbatohet dhe si do zbatohet ligji i vetingut. Me shqetësimin nëse do të jetë e mjaftueshme koha për t’i bërë funksionale institucionet e reja të sistemit, në mënyrë që procesi të fillojë të veprojë. Kanë qenë të gjitha pyetje legjitime, dhe me shqetësimin se si do ta shohim sa më shpejt të zbatuar reformën në sistemin e drejtësisë”.
I pyetur se a ka informacion nëse PD-ja do të ndryshojë qëndrim për ligjin e vetingut, Xhafaj u përgjigj: “Unë nuk kam informacione brenda PD-së. Më mjaftojnë informacionet që kam brenda Partisë Socialiste. Dhe informacioni që kam brenda saj është që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka dhënë “Po”. I jep dhe do t’i japë në vijimësi mbështetjen maksimale reformës në drejtësi dhe implementimit të suksesshëm të saj”. “Me miratimin e këtyre ligjeve, ditën e enjte mund të fillojë normalisht procesi për ngritjen e institucioneve të reja dhe funksionimin normal më pas të këtyre institucioneve”, – tha Xhafaj raporton BW.
Pyetjet
Pyetjet më të shumta dje i ka bërë deputeti Paulin Sterkaj, i cili ka qenë edhe skeptik për mënyrën se si do të zbatohet ligji për gjykatat speciale dhe prokurorinë speciale. Sterkaj i ka cilësuar tejet të ashpra kriteret që duhet të plotësojnë këta gjyqtarë e prokurorë. Por Xhafaj i ka kthyer përgjigje duke i thënë se: “Ky nuk është kriter për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Është një kusht për ata që do të shprehin vullnetin për të qenë pjesë e Njësisë Speciale Antikorrupsion, ose SPAK-ut”. Por Sterkaj i është përgjigjur duke i thënë: “Vetëm nëse i marrim nga befotrofi dhe i sjellim në SPAK, se ndryshe nuk kemi ku i gjejmë njerëz që të mos kenë lidhje dhe që të lejojnë përgjimin e familjeve”./a.m.