Jo të gjithë e kanë kurajën për të pranuar gabimet e tyre por Olivier Thual e bëri këtë në rastin e një vendimi të diskutueshëm.
Arbitri i njohur i futbollit francez që përfundoi nën akuzë pas përjashtimit të Mario Balotelit pas dy kartonëve të verdhë, bëri një hap pas duke pranuar se kishte gabuar në ndëshkimin e dytë që nxori sulmuesin e Nicës jashtë lojës.
Bomberi që ka rilindur në rivierën franceze ishte heroi dhe mëkatari i Nicës në fitoren kundër Lorient.
Por ndoshta protestat e opinionit sportiv francez dhe presioni mediave, mobilizuan gurët e duhur për të mbrojtur SuperMarion.Fakt mbetet që arbitri pranoi gabimin dhe është gati të dëshmojë para Komisionit Disiplinor, se kartoni ndaj Balotelit ishte i ekzagjeruar.
Pascal Garibian drejtor i arbitrave tha se gjyqtari kryesor kishte njohur mangësitë e tij dhe se rriten kështu shanset për revokimin e skualifikimit. Të enjten në mbrëmje do të merret një vendim zyrtar por ndërkohë, Nisa po llogarit SuperMarion në formacionin e radhës, citohet “Express”. (b.an)