Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani me ftesë të homologes britanike, Elizabeth Truss, mori pjesë në ceremoninë e përvitshme tradicionale të hapjes së vitit ligjor në Angli dhe Wells, qe u zhvillua në Katedralen Westminter Abbey.
Në njoftim për mediat pasditen e së hënës nga ministria e Drejtësisë, bëhet e ditur se në përfundim të kësaj ceremonie, ministri Manjani i shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe ambasadori ynë në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko, ka zhvilluar disa takime të nivelit të lartë.
Gjatë axhendës zyrtare, ministri Manjani është pritur fillimisht në një takim nga ministri i Shtetit për Sistemin Penitenciar dhe Gjyqësorin, Sir. Oliver Heald.
Bashkëpunimi dypalësh në fushën e drejtësisë, me fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar, ishte një ndër temat e dikutimit ku janë ndalur bashkëbiseduesit.
Ministri Manjani theksoi se lufta e suksesshme kundër krimit të organizuar edhe bashkëpunimin e kërkon të suksesshëm.
“Krimi i organizuar funksionon pa viza dhe pa barriera”, u shpreh ndër të tjera ministri Manjani. /a.m.