Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 16 zyrtarë të akuzuar për rreth 90 ndërtime pa leje në zonat periferike të kryeqytetit, raporton “Panorama”. Pas përfundimit të hetimeve në lidhje me këtë çështje, dosja penale është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për shpërdorim detyre, pasi akuza e korrupsionit nuk u provua. Të pandehur janë punonjës të INUK-ut , Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, INUV-it, inspektoratet vendore pranë bashkive dhe katër efektivë të Policisë së Kamzës.
Organi i akuzës shpjegon se hetimi ka nisur për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, por nga hetimi nuk është arritur të provohen veprime korruptive nga personat e dyshuar.
“Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të inspektorëve të INUV-it Përparim Kolaveri (ish-kryeinspektor), Afrim Deda (inspektor/ kryeinspektor), Murat Mena, Lulzim Shpata, Arjan Hoxhaj, Latif Luca, Petrit Jani, Gazmir Marku, Anton Pjeternika, Kolë Hila, Agron Trezhnjeva dhe Muhamed Korra, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i K. Penal.
Ky procedim është bashkuar me procedimin tjetër të nisur për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim”, në ngarkim të punonjësve të Policisë Naim Elezi, Imer Hasa, Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj. Sipas Prokurorisë, procedimi i parë ka filluar mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Seksioni për Korrupsionin në Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar pranë DPQ Tiranë, ndërsa i dyti ka filluar mbi bazën e kallëzimit të SHÇ- BA-së.
Hetimet nisën pasi dyshohej se zyrtarët e INUK-ut, INUV-it dhe Policisë, me anë të veprimeve korruptive, lejonin ndërtime apo shtesa pa leje, duke mos i dokumentuar e raportuar gjatë viteve 2013, 2014, 2015.
ABUZIMET
“Në këto kallëzime referohej përkatësisht fakti se punonjës të Inspektoratit Ndërtimor Vendor pranë Bashkisë Kamzë, ish-komunave Paskuqan, Berxullë dhe Zall-Herr (Përparim Kolaveri, ish-kryeinspektor, Afrim Deda, inspektor/kryeinspektor, Murat Mena, Lulzim Shpata, Arjan Hoxhaj, Latif Luca, Petrit Jani, Gazmir Marku, Anton Pjeternika, Kole Hila, Agron Trezhnjeva dhe Muhamed Korra), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me punonjës policie të Komisariatit nr.5 Tiranë (Naim Elezi, Imer Hasa, Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj), kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv.
Veprat penale sipas kallëzimit ishin kryer nga të dyshuarit, pasi me veprimet apo mosveprimet e tyre, gjatë detyrës së tyre nuk kanë vepruar kur duhej apo kanë vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre në ato raste kur nuk duhej, duke sjellë si pasojë dëmtimin e shtetasve dhe të shtetit në drejtim të zhvillimit normal të territorit, duke lejuar, kundrejt përfitimeve, zhvillimin e ndërtimeve të ndryshme pa leje.
Hetimet që fillimisht kanë qenë të ndara, janë bashkuar pasi punonjësit e policisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me inspektorët përkatës të INUV, kanë lejuar e favorizuar kundrejt shpërblimeve në lekë, ndërtimet të paligjshme në zonat ku ata kanë ushtruar detyrën.
NDËRTIMET NË KAMZË
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë thuhet se nga Komisariati i Policisë nr.5 Kamzë, në vitin 2014 janë evidentuar 39 raste të ndërtimeve pa leje brenda territorit që mbulon ky komisariat dhe bazuar në nenin 199/a të Kodit Penal, këto raste me iniciativë janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.
“Nga hetimet rezulton se 39 rastet që nuk janë evidentuar, por janë lejuar të ndërtohen nga INUV, Bashkia Kamzë”, theksohet nga Prokuroria. Sipas saj, 14 ndërtime pa leje nuk janë dokumentuar fare në zonën e Vorës.
Në zonën e Paskuqanit, sipas Prokurorisë, janë evidentuar 28 ndërtime apo shtesa pa leje, për të cilat nuk është bërë raportim dhe dokumentim për shkeljet ligjore të kryera. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në zonën e Zall-Herrit dhe zona të tjera periferike të Tiranës.
TË AKUZUARIT
1. Përparim Kolaveri, Kamzë
2. Afrim Deda, Kamzë
3. Latif Luca, Kamzë
4. Arjan Hoxhaj, Kamzë
5. Lulzim Shpata, Valias
6. Murat Mena, Bathore
7. Anton Pjetërnikaj, Babrru
8. Agron Trezhnjeva, Babrru
9. Kol Hila, Paskuqan
10. Gazmir Marku, Domje
11. Petrit Jani, Tiranë
12. Muhamed Korra, Zall-Herr
13. Fatmir Mulaj, Tiranë (polic)
14. Qemal Sinaj, Tiranë (polic)
15. Imer Hasa, Kodër-Kamzë (polic)
16. Naim Elezi, Babrru (polic)
ma.me