Gëzim Omuri, ish-kreu i Tatimeve në Kukës ka reaguar pas akuzave të bëra në adresë të tij nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili publikonte mesazhin e një qytetari dixhital.
Sipas mesazhdërguesit, Omuri ishte nën hetim për vrasje dhe kishte mbjellë sipërfaqe me kanabis në fshatin Kalis.
Ndërsa në reagimin e sotëm për BalkanWeb, Omuri i kërkon Berishës të denoncojë në prokurori, ndërsa thotë se përgjigjen do ta marrë ashtu si edhe në Dibër.
“Zoti Berisha, nuk kam ndërmend të merrem me ty se të njeh gjithë populli shqiptar e sidomos tani që ke ngel si “Qen i zgjebur”, se kush jam unë më njeh i gjithë Kukësi. Nëse ke dhe pak burrëri, gjë të cilën nuk e ke pas kurrë në jetën tënde, për këto që shkruan të ftoj të besh denoncim në prokurori por nuk ta mban…se je vetë shpikësi dhe fabrikuesi i këtyre shpifjeve.
Së fundi të garantoj që ashtu siç e more përgjigjen në Dibër do të ta japim dhe në Kukës por me një ndryshim se do te jetë më i thellë.
Përgjigjen po e merr dhe nga komentet që po bëjnë qytetarët kuksian dhe të gjithë Shqipërisë në fb”, thuhet në reagimin e Omurit, i cili aktualisht është delegat i Kongresit të PS.
Omuri ka qenë drejtor i Tatimeve, ndërsa në mesazhin e qytetarit dixhital, shkruhej se ‘i kishte shkaktuar shtetit mbi 1 miliard dëm ekonomik’.
Por Omuri deklaron për BalkanWeb se për kohën që ka qenë drejtor Tatimesh është audituar nga 5 ekipe auditi: 2 ekipe të KLSH dhe 3 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe konkluzionet kanë qenë ‘pa asnjë shkelje’