Humbja me Skënderbeun dhe, për më tepër, loja e dobët e zhvilluar nga skuadra, nuk është përtypur nga ana e trajnerit shkodran, Armando Cungu.
“Si nuk keni turp me këtë paraqitje?! Gjithçka, përveç se me futbollin, nuk ka lidhje. Kjo është ajo që keni bërë sot dhe duhet që secili prej jush të mbajë përgjegjësi. Nuk arrij t’ju kuptoj se çfarë bënit në fushë… Është e papranueshme për mua kjo lojë. Do të ndalemi gjatë, nuk mund të vazhdohet me këtë situatë. Po të kisha mundësi, do t’ju ndërroja që të gjithëve”, mësohet të ketë thënë trajneri kuqeblu në dhomat e zhveshjes.
Ndërkohë, të njëjta burime bënë të ditur për gazetën se ai nuk ka vënë theksin tek individët për lojën e dobët, por ka folur në tërë- si. Edhe pas ndeshjes, në reagimin për mediat, trajneri nuk e fshehu zhgënjimin. Me sa duket, Cungun, më shumë se një humbje me kampionët dhe udhëheqësit me plot meritë të kampionatit, e ka shokuar loja e dobët e zhvilluar nga i gjithë ekipi.
Ai, për më tepër, ka kërkuar që ta kapë në momentet e duhura situatën dhe të kthejë te skuadra frymën që kishte në nisje të kampionatit. Skuadra është shpërfytyruar në të 90 minutat ndaj Skënderbeut në të gjithë repartet. Madje, shkodranët gabuan edhe në repartin më të fortë që ka pasur në katër javët e para pikërisht në mbrojtje.
Mbledhja
Trajneri Cungu ka kërkuar që drejtuesit e ekipit dhe ata të klubit të thërrasin menjëherë në mbledhje urgjente lojtarët për të dhënë llogari për lojën e zhvilluar në këtë takim. Nga sa mësohet, nuk është se pritet që pas kësaj mbledhjeje të ketë ndëshkime, por do të kërkohet që të shikohen arsyet e asaj loje. Drejtuesit e klubit, duke marrë parasysh se kampionati do të ketë ndërprerje për dy javë, nuk kanë kërkuar që të nguten për ta zhvilluar që dje mbledhjen e sugjeruar nga Cungu./panoramasport/a.k