Djali i kreut të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushës, ka kurorëzuar mbrëmjen e djeshme martesën e tij në një lokal luksoz në Vorë. Ajo çka ra në sy në mes të të ftuarve të shumtë, mes të cilëve edhe kryeprokurori Llalla, ishte prania e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Madje ishte vetë kryebashkiaku i Tiranës, ai i cili bëri celebrimin e çiftit.
Prokuroria e Tiranës, që drejtohet nga Petrit Fusha, ka nisur 4 procedime penale ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës po hetohet për falsifikimin e gjobës ndaj PD për protestën e 8 dhjetorit, pasi nga hetimi rezultoi se shkrimi në gjobë ishte i falsifikuar.
Një tjetër kallëzim është për protestën para Gjykatës Administrative për të kërkuar mos lejimin e ndërtimit të një kompleksi pallatesh te diga e Liqenit Artificial.
Po kështu, Veliaj po hetohet për shpërdorim detyre sa i takon ndërtimit të Parku i Liqenit.
Ndërsa, një tjetër hetim ndaj tij është për rastin e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Pavarësisht këtyre çështjeve, kryebashkiaku Veliaj celebroi mes të pranishmëve martesën e djalit të prokurorit Petrit Fusha.
BW/d.i.