Nga Nikoll Lesi
Edi Rama është intelektual kalibri, nuk mund të mos e themi pa hezitim, sepse ishin vitet e pas ’90-ës që e nxorën në pah protagonizmin e tij në median e kohës. Nuk ishte kollaj të flisje asokohe. Rama foli duke shkruar, ku dhe mori goditjen fatale fizike të rrahjes me çekanë në kokë nga pushteti i dhunshëm i Berishës së I-rë. Me pas erdhi ministër kulture pas negocimit të Ben Blushit me kryeministrin Fatos Nano dhe mori me zgjedhje bashkinë e kryeqytetit. Bëri epokë, punë dhe histori si kryebashkiak, të paktën në dy mandatet e para. Në të tretin ha debat nëse ishte kryebashkiak apo me shumë kryesocialist. Deri sa mori në shtator 2005 PS-në ishte si Edi i dikurshëm; miqësor, hokatar, debatues, punëtor-revolucionar në mënyrën e konceptimit të administrimit të Tiranës. Ishte deri diku i pandreqshëm në vizionin e tij, sepse gjithçka e konceptonte në kokën e tij krejt ndryshe nga të tjerët. Dhe ishte popllor për këtë mënyrë pune, e cila sillte frymë të re, porse ngaterresa plot.
Por etja për pushtet, e natyrshme për një politikan të kalibrit të tij, theu gjithçka kishte rrotull; miqësitë, rregullat, bashkëjetesën si cilësi personale. Ishte në kërkim të etjes për pushtet për të hyrë në histori. Fati apo ndjesia e së mirës i solli një grua si Linda, e cila duket se vetëm ajo di t’ia menaxhojë etjen e pushtetit me të qënit familjar e njeri normal në botën e fantazisë së tij për të “bërë histori”.
Edi Ramën e njoh pothuajse pranueshëm. Ai mbetet një pishtar që ecën për të bërë dritë, sipas asaj që ka në kokë, porse i pamërshirshëm në raporte pune. Dhunues i vartësit, debatues-emocional me kundërshtarët, fyes në batuta kur i prekin rrugën e pushtetit ku do të skalisë emrin e tij në piedestalit të historisë, fantazist për një Shqipëri tjetër, por të mirëkontrolluar nga ai, frikaman përballë miqve elitar që ia dinë të palarat e viteve, acarues me mediat që i nxjerrin gjëra për të cilat e verteta është e idhët, stoik për ta skicuar Shqipërinë si tek pikturat tij abstraksioniste, mosbesues tek partnerët politikë, edhe bashkëpunues me emra nga “bota e nëntokës”, sfidues ndaj kujtdo që i del përpara në udhën e mendjes së tij për tek “korifejtë e Kombit”, endërrimtar për një Shqipëri-pikturë si tek “Logu i Bjeshkëve”, me plot mllef kur shikon kryeministra europianë me të dobët nga intelegjenca e tij, por që kanë vende të mëdhënjë nën zap demokratik.
Edi Rama ka akoma ç’ti jap vendit, siç shkruan sot Henri Çili, por nëse mbahet nën kontroll.
Në të kundërt, nuk dihet fati i tij dhe i vendit që drejton!