Një valë e qëndrueshme emigrantësh dhe refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika po çajnë drejt Europës Perëndimore përmes Shqipërisë – tani që “itinerari i mëparshëm i Ballkanit” që kalonte nga Greqia në Maqedoni, Serbi dhe Hungari është mbyllur.
Genc Merepeza, zv.drejtori i policisë shqiptare të Kufirit dhe Migracionit i tha BIRN se policia shqiptare ka kapur 691 shtetas të huaj në nëntë muajt e parë të 2016, të cilët po përpiqeshin të hynin në vend përmes Malit të Zi apo Kosovës.
“Rreth 96 për qind e atyre rasteve u identifikuan në zonën kufitare ndërsa 4 për qind brenda territorit kombëtar. Në gusht, pamë një rritje të lehtë në numrin e personave që u përpiqën të hyjnë në Shqipëri,” shpjegoi ai.
Ai shtoi se shifrat mbeten të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, kur policia identifikoi 1959 persona të tillë.
Por Erjona Canaj, një eksperte në çështjet e migracionit dhe profesore në Universitetin Europian të Tiranës i tha BIRN se numri mund të rritet.
“Me dimrin që po afron, Shqipëria mund të kthehet në një itinerar për refugjatët… Pas kërcënimeve nga ana e disa vendeve të Ballkanit se do të mbyllin kufijtë e tyre, Shqipëria mund të kthehet në një vend që pret refugjatët sirianë,” tha ajo.
Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia kanë mbyllur kufijtë e tyre për refugjatët dhe emigrantët në mars, duke lënë mijëra njerëz të ngecur në Greqinë fqinje.
Shumë prej tyre megjithatë ia dolën të arrijnë në Serbim por më pas pritën për shumë kohë të kalojnë në Hungari, ku sipas një raporti të fundit të Amnesty International, përballen me paraburgim dhe rrahje.
Pas mbylljes së itinerarit të Ballkanit, u ngritën shqetësime se trafikantët e njerëzve do të riaktivizonin “rrugën e Adriatikut” që kalon nga Shqipëria në Itali ku policitë e të dyja vendeve u zotuan të punojnë së bashku për ta parandaluar këtë.
Numri i trafikantëve të njerëzve mendohet se do të rritet. Më 28 shtator policia shqiptare arrestoi tre trafikantë që po përpiqeshin të transportonin ilegalisht 27 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Sudani të cilët ishin larguar nga një kamp në Thesaloniki të Greqisë.
Sipas policisë, refugjatët kishin paguar 1200 euro te trafikantët për të rriturit dhe 600 euro për fëmijë në mënyrë që të kalonin në Malin e Zi.
“Ne po punonin për të parandaluar raste të tilla dhe e kemi shtuar mbikëqyrjen në kufij, duke shtuar trupa dhe logjistikë ndërsa shkëmbejmë informacion në kohë reale me autoritetet e vendeve fqinje dhe me agjencitë si FRONTEX,” tha Merepeza.
“Ne gjithashtu kemi intensifikuar kontrollet në rrugët që sjellin njerëzit nga Kosova apo Mali i Zi,” vazhdoi ai.
Merepeza tha se Shqipëria e pyet çdo person që kapet nëse kërkon azil në vend, ndërsa i trajton ata brenda normave humanitare.
Në një samit mbi refugjatët në Vienë më 24 shtator, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka ndjekur një rrugë të tretë kur vjen puna për trajtimin e refugjatëve – që do të thotë se as nuk i ka hapur kufijtë plotësisht dhe as nuk ka vepruar si disa vende që e kanë përballur çështjet në kontrast me vlerat e Bashkimit Europian.
BIRN/d.i.