Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se çështja e strehimit në kryeqytet nuk duhet të jetë më problem, duke shtuar se bashkia do të akordojë 1 mln dollarë për të zbutur kreditë e familjeve të reja për blerjen e apartamenteve.
I pranishëm në konferencën ndërkombëtare me temë “Strehim për të Gjithë”, kreu i Bashkisë tha se strehimi dinjitoz është bileta për të dalë nga varfëria.
Veliaj tha se ndërtuesit që ndërtojnë do të lënë apartamente për banesa sociale për integrimin e kësaj kategorie personash. Kryebashkiaku shtoi se për ta do të ketë bonuse.
“Plani i ri urbanistik që ne do të kalojmë në fund të Tetorit dhe do ia kalojmë këshillit bashkiak është që ndërtuesit dhe zhvilluesit të kenë një bonus mbi zhvillimin e tyre nëse bien dakord të bëjnë një marrëveshje me bashkinë që një përqindje të apartamenteve tia japin bashkisë për fondin e banesave sociale. Kjo do të mundësonte që familje të tilla të jenë në çdo zhvillim të ri të qytetit dhe jo vetëm në një geto sociale. Na tregoni si ka funksionuar dhe a ka qenë histori suksesi.”- shtoi Veliaj.
“Efiçenca e strehimit social është zgjidhja më e mirë. Çështja e strehimit prek 1/3 e zonës urbane. Sfidat për gjenerim urban e infrastrukturë. Po shohim çështjen e strehimit me shumë seriozitet. Dua të theksoj se strehimi dinjitoz është bileta për të dalë nga varfëria. Në tetor do të kalojmë planin e ri urbanistik dhe duam që në buxhetin e vitit tjetër të lëmë 1 milion dollar për të zbutur kreditë për familjet e reja për blerjen e apartamenteve duke zbutur 1200 kredi.
Sektori bankar do gjenerojë 60 milion euro kredi të buta për blerjen e shtëpive në Tiranë. Sektori i ndërtimit do ketë zhdërvjelltësim dhe kështu hapim vende të reja pune. Ndërtuesit do të duhet të lënë apartamente për banesa sociale për integrimin e kësaj kategorie personash. Nga ana tjetër do vijojmë me kreditë e buta për çiftet e reja në Tiranë. Çështja e strehimit nuk duhet të jetë më problem”– tha Veliaj./java/a.k