“Qeveria e Kosovës do të sillet në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon më arrestimin e oficerëve të lartë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të lartë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Ministri Hoxhaj e cilësoi si “akt të papranueshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi” dhe njëkohësisht theksoi se po bëhen përpjekje të shtuara për lirimin e tij.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, u ndalua të enjten e kaluar në vendkalimin e kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletarresti të Serbisë për veprën penale të terrorizmit.
Një gjykatë në Nish, një ditë më vonë, i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Kjo duhet të kuptohet në një rrafsh më të gjerë; Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport më Kosovën dhe në raport më rajonin; prej zhvillimeve që po ndodhin në Republika Serpska në referendumin atje (në Bosnje dhe Hercegovinë) e deri tek ndërhyrjet më të shpeshta edhe shumë dimensionale qoftë në Kosovë, qoftë në vendet tjera të rajonit. Kjo për ne është e papranueshme”.
Autoritetet në Prishtinë thanë se kanë kërkuar që çështja “Thaçi” të adresohet në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, megjithëse BE-ja ende nuk ka dhënë asnjë qëndrim për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës.
Ministri i jashtëm Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bëhet presion mbi Beogradin zyrtar.
“Deri më tani ka pasur disa komunikime dhe kemi lutur partnerët tanë ndërkombëtar që të ushtrojnë presion mbi Serbinë, pasi është e papranueshme dhe e pakuptueshme, kur të dy shtetet janë në proces të normalizimit, dhe dikush mund të arrestohet dhe të vendoset në paraburgim më akuza të paqena dhe në formë të një përndjekjeje politike”.
Në anën tjetër analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, arrestimin e zyrtarëve të Kosovës, e quan provokim dhe shantazh të autoriteteve serbe.
Dhe për provokimet e tilla, thotë ai, Qeveria e Kosovës është dashur të ndërpres menjëherë bisedimet që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar në Bruksel, deri sa të lirohet Nehat Thaçi.
“Është krejtësisht i papranueshëm reagimi i vakët, jo profesional dhe jo shtetëror i përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës. Pra, është e turpshme, se çfarë qasje indiferente dhe neglizhuese ka Qeveria e Kosovës ndaj kësaj praktike e cila e ofendon shtetin, qytetarët dhe të gjitha institucionet e Kosovës, sepse tregon se Serbia kur do mund të bëjë provokime të tilla dhe Kosova nuk do të reagojë në mënyrë të duhur”,ka thënë Muhaxhiri.
Muhaxhiri ndërkaq ka theksuar se një dozë të fajit për këtë çështje ka edhe vetë Bashkimi Evropian.
“Një pjesë të madhe të fajit e ka edhe Brukseli, sepse si zakonisht i mbyll sytë para akteve të tilla të Serbisë, duke e minimizuar peshën e tyre. Aktet e tilla e minojnë çdo shpresë dhe dialog të frytshëmpër një përmirësim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, synim ky kryesor i Brukselit” .
Një numër i zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë edhe ata partiakë, bazuar në njoftimet e autoriteteve në Prishtinë, janë ndaluar në të kaluarën, siç është thënë, në qendra të ndryshme në Evropë, mbi bazën e flet-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Republika e Serbisë.
REL/d.i.