Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social “komunikimin e javës”, ku temë kryesore është debati i shumëpërfolur i mbetjeve.
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se nuk është bërë sa duhet nga ana e tij për të informuar qytetarët për ligjin dhe strategjinë e re të qeverisë për mbetjet.
Nga ana tjetër, Rama ka theksuar se nuk do të ketë kthim prapa të ligjit, duke risqaruar edhe një herë dallimin mes plehrave dhe mbetjeve të riciklueshme, si dhe një sërë detajesh për ligjin e ri të miratuar javën e kaluar.
“Ne nga ana jonë sic kemi vepruar deri më sot, për të pastruar sektorin e energjisë nga hajdutëria dhe borxhet, dhe për të hapur rrugët e nxitjes së qëndrueshme ekonomike, për të pastruar sistemin tonë arsimor nga qindra tekste të ndotura nga banaliteti i padijes, nga univeristete që shisnin diploma por jo dije… nga lufta për të pastruar policinë e shtetit që ishte kthyer në një sistem kanceroz… sot ne jemi shumë të vendosur që të pastrojmë Shqipërinë nga plehrat, nga mbetjet, që mbeten ende njëra nga problemet tona më të mëdha.
Legjislacioni që miratuam është lista më e kufizuar në rajon, në Evropë po e po.
Më duhet ta pranoj që nuk kemi bërë sa duhet dhe me kohë për të informuar qytetarët mbi strategjinë e kësaj beteje të madhe. E kam vënë re se sot ka një paqartësi mes mbetjeve të riciklueshme dhe plehrave që nuk i duhen as dreqit.
Njëkohësisht, as nuk ka kthim mbrapa dhe as nuk ka hije dyshimi, se legjislacioni hap një kapitull të ri për Shqipërinë e gjelbër.”- tha Rama.
Kreu i qeverisë ka sulmuar dhe opozitën, duke i cilësuar ata si luajtësin e rolit të “gogolit”, në kushtet kur në PD, ka një shkretëtirë idesh. Rama ka hedhur poshtë gjithashtu dhe idenë se në vend do të vijnë mbetje të rrezikshme.
“E kthyer në një shkretëtirë idesh dhe e kantandisur në një grupim politik që kalon cdo ditë duke u përpjekur të frikësojë shqiptarët, PD ka marrë përsipër të luajë rolin e gogolit. Këto mbetje janë lëndë të para dhe blihen në bursë ashtu siç kafja e gruri, që do të thotë se askush nuk do të blejë më shumë se çka nevojë… kush kujton se të tilla lëndë të para do bëhen mbulesë për importimin e lëndëve të rrezikshme, të më falë, por nuk e di se për çfarë flet.”- tha Rama.
Për më tepër shikoni videon e postuar nga Kryeministri./java/a.k