Vritet në mes të qytetit të Elbasanit një 37-vjeçar. Erion Millahari u bë shënjestër e autorëve që e sulmuan sapo ai zbriti nga makina për të hyrë në një lokal mes pallateve, në lagjen pranë stacionit të trenit.
Viktima është goditur disa herë me thikë, ndërsa policia ka gjetur dhe dy gëzhoja në vend, por nuk ka konfirmuar nëse autorët e qëlluan me armë zjarri. Mësohet vetëm se Millo ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 37-vjeçari ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tip “Ford”.
Shumë pranë stacionit të trenit, ai ka ndaluar dhe ka dalë nga mjeti, ku mendohet se ka pasur si drejtim një lokal që ndodhet poshtë pallateve të kësaj rruge. Sakaq, dyshohet se të paktën dy persona, të cilët mendohet se i kishin zënë pritë, i kanë dalë përpara qetësisht 37-vjeçarit.
Njëri prej tyre ka nisur ta godasë me thikë kryesisht në pjesë të barkut, por më pas dyshohet se goditjet kanë kaluar në pjesë të ndryshme të trupit.
Autorët, kur e kanë parë që 37-vjeçari ka rënë në tokë, janë kthyer për të ikur. Gjatë momentit të largimit, njëri prej tyre ka qëlluar dy herë me armë në ajër, që dyshohet se ka qenë armë e tipit pistoletë, dy gëzhojat e së cilës janë sekuestruar nga policia në vendin e ngjarjes.
Policia sakaq, pas marrjes së informacionit se shumë pranë stacionit të trenit ka ndodhur një vrasje, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka bërë të mundur shoqërimin e më shumë se 20 personave, të cilët kanë parë ngjarjen, ndërsa ende nuk ka identifikuar autorët.
“Panorama” mësoi se 37-vjeçari rezulton ortak në një kompleks që ofron shërbime të ndryshme në fshatin Xibrakë, të Elbasanit, si tregtim i karburantit, restorant, bar dhe hoteleri.
Mësohet se 37- vjeçari frekuentonte shpesh zonën në fjalë dhe se ai është ruajtur më së miri nga autorët, të cilët kanë mirorganizuar me çdo detaj krimin.
Dyshohet se autorët e krimit kishin shumë kohë që e ruanin viktimën dhe i dinin mirë itineraret e tij, pasi ata e kanë pritur deri në momentin që ai ka dalë nga mjeti, madje duke përfituar edhe nga errësira.
Policia ende nuk bën me dije shumë të dhëna rreth viktimës, ndërsa burime jozyrtare thonë se Mihallari ka qenë më parë emigrant në Itali. Në Elbasan ai nuk ka asnjë lloj precedenti, duke e mbuluar me mister ngjarjen që i mori jetën.
Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin e Elbasanit, në akset kryesore që e lidhin atë me kryeqytetin, si edhe me Korçën e Gramshin, me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar.
Ndërsa në ndihmë të Policisë së Elbasanit për kapjen e autorëve kanë mbërritur në Elbasan vetëm një orë pas vrasjes edhe 2 grupe të FNSH–së, të cilët po krehin të gjithë qytetin e Elbasanit, për të bërë të mundur zbulimin dhe kapjen autorëve.