Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka emëruar ish-drejtuesin e LPK-së dhe veprimtarin e njohur, Bedri Islami, këshilltar të tij të jashtëm.
Telegrafi ka mësuar se presidenti Thaçi, i cili si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme e kishte propozuar Islamin për kryetar të Grupit të Punës për shndërrimin politik të LPK-së dhe krijimin e forcës së re politike, këto ditë atë e ka emëruar këshilltar të jashtëm të tij.
Bedri Islami, i cili njihet për angazhimin e tij në LPK, ka kryer studimet e larta në gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka diplomuar edhe në gazetari, shkruan Telegrafi.
Ai është autor i 14 librave me poezi, publicistikë, romane, drama dhe tregime.
Nga janari i vitit 1994 dhe deri në qershor të vitit 1999, me publicistikën e tij ishte vënë në shërbim të lëvizjes çlirimtare, duke botuar tek “Zëri i Kosovës” dhe tek media të ndryshme në Shqipëri.
Gjithashtu, në fillimet e para të luftës së UÇK-së, Islami njihet si organizator i disa prej mitingjeve më të rëndësishme të LPK-së në mbështetje të luftës, si në Mynih, Bon, Këln, Shtutgart, Londër, Gjenevë, Rambuje, etj. (b.an)