Me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani organizoi në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës një ceremoni të veçantë ku shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin diplomatik të Ambasadorit Christopher R. Hill në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në prani të personaliteteve të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 25 vite, të Presidentëve Berisha e Meidani, deputetë të Kuvendit, etj, Kreu i Shtetit çmoi Ambasadorin Christopher R. Hill me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-të si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u shpreh se: “Ambasadori Hill ishte diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas më tepër se katër dekadash, dhe dita e shumëpritur kur u më në fund, pas izolimit të imponuar nga vetë shqiptarët dhe territ të diktaturës komuniste, në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara, shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë”.
Ambasadori Christopher R. Hill, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë, falënderoi Kreun e Shtetit duke u shprehur se gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar dhe se të jesh shqiptar, është diçka e veçantë dhe krenari njëkohësisht.