Adoleshentë shqiptarë të moshën 14-17 vjeçare që hyjnë si turistë në Itali dhe pasi kalojnë tre muaj trokasin në dyert e institucioneve italiane duke deklaruar se janë të braktisur.
Është ky një ndër fenomenet më të fundit që po shqetëson autoritetet, kryesisht në disa zona të vendit. Në Emilia Romagna janë paditur 66 shtetas shqiptarë me akuzën e braktisjes së të miturve, vjedhje, mashtrim në dëm të shtetit e nxitjes së imigracionit të parregullt.
Sistemi i përdorur ishte i thjeshtë: pasi silleshin në Itali nga të afërm, adoleshentët shtireshin si të braktisur, duke u marrë kështu përsipër nga entet italiane të mbrojtjes sociale per të përfituar kështu shkollim, strehim dhe mjete jetese falas deri në arritjen e moshës madhore duke përfituar edhe nga fakti që një i mitur i huaj nuk mund t’i nënshtrohet riatdhesimit të detyrueshëm.
Në Emilia Romagna vitin e kaluar 63 përqind e të miturve të braktisur ishin shqiptarë, gjë e çuditshme për një vend që nuk po kalon krizë humanitare apo luftë. Gjatë hetimeve është verifikuar se numri i të miturve gjoja të braktisur shtohej në shtator me afrimin e hapjes së shkollave.