Të gjitha bizneset që operojnë në vendin tonë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të jetë të detyruara të anëtarësohen në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Kuotat e detyrueshme nisin nga 100 lekë për bizneset e vogla, deri në 1 milion lekë për bizneset VIP. Kuota duhet të paguhet brenda datës 31 mars të vitit 2017. Ligji është miratuar të enjten në parlament. Kuotat dhe procedura e vjeljes për çdo kategori biznesi do të miratohen nga përcaktohen nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave.
TARIFAT
Kuota që duhet të paguhet me detyrim nga biznesi rritet progresivisht në bazë të madhësisë së biznesit. Në nenin 6 të ligjit të miratuar tashmë thuhet se bizneset e reja, që sapo regjistrohen në Qendrën kombëtare të Biznesit paguajnë 100 lekë. Kuota e anëtarësimit për personat fizikë është jo më shumë se 1 mijë lekë. Kuota vjetore e anëtarësimit në Dhomë për të gjithë personat juridikë është jo më pak se 3 mijë lekë dhe jo më shumë se 100 mijë lekë. Të gjithë anëtarët duhet ta paguajnë këtë kuotë brenda datës 31 mars të çdo viti. Bashkimi i Dhomave do të përfitojë nga fond të mbledhur si efekt i kuotave 25 për qind të totalit dhe kjo duhet të bëhet brenda datës 15 prill të çdo viti.
“Dhomat e qarqeve janë të detyruara të dërgojnë pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, brenda datës 15 prill të çdo viti, listën e anëtarësisë dhe çdo 3 muaj përditësimin e kësaj liste për efekt të pagesës së kontributit”, thuhet në ligj. Pagesa e kuotave për bizneset anëtare të Dhomave të Tregtisë do të nisë nga 1 janari 2017. Argumenti i krijimit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë është lobimi më i fortë për çështje që shqetësojnë biznesin, që në fakt është edhe kundërargumenti që ka përdorur biznesi për ta kundërshtuar, duke vënë në dyshim pavarësinë e këtij bashkimi.
NDRYSHIMET
Ligji ka si qëllim miratimin e disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të ndryshuar, të cilat konsistojnë kryesisht në: rivendosjen e anëtarësimit të detyrueshëm pranë Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të personave juridikë; vendosjen e masës së kuotës së anëtarësimit që duhet të paguajnë Dhomat për llogari të Bashkimit të Dhomave, në masën 30% të të ardhurave vjetore të Dhomës; parashikimin e së drejtës së anëtarësimit vullnetar në Bashkimin e Dhomave për të gjitha shoqatat e bashkimit vullnetar të bizneseve, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar nga palët.
Përdorimin e emërtimit ‘Dhomë Tregtie’ nga subjekte që kanë një numër anëtarësh prej 50 vetash. Iniciativa për rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm synon të fuqizojë Dhomat dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve dhe promovimin me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të tyre, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë tij.
ma.me