Marco Bernardini/CM
Nuk është fundi i botës (për t’iu frikësuar atij duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve në SHBA nëse do të fitonte Trump), por vetëm për pak. Sidoqoftë, është fillimi i fundit, të paktën për shenjtërinë dhe emrin e mirë të futbollit anglez, i cili gjithmonë është cilësuar si shembull i etikës dhe sportivitetit.
Çështja Allardyce, trajneri i emëruar e më pas i shkarkuar nga Football Associaton për mungesë dinjiteti përfaqëson rrasën e varrit që, kur hiqet, zbulon moçalin kundërmues e helmues që prej kushedi sa kohësh ndot nëntokën e futbollit përtej La Manshit. Kolegët e zotë të The Telegraph, me investigimin e tyre, arritën të bëjnë atë që bënë në kohën e dytë dy reporterët e Washington Post, të cilët demonstruan ekzistencën reale të Watergate, duke detyruar presidentin Nixon të jepte dorëheqjen. Në rastin e tanishëm nuk jemi përballë një skandali që përfshin institucione shtetërore, por bëhet fjalë për një tërmet të vërtetë, lëkundjet e të cilit mund të ndihen edhe në pjesën tjetër të asaj Evrope që Anglia vendosi ta braktisë, përmes Brexit.
Një lojë e dyshimtë dhe ilegale milionash, e cila përfshin të gjithë tipat e personazheve të lidhur me botën e topit: agjentë, drejtues, trajnerë e deri presidentë. Nuk habit shumë fakti që nga dora e letrave të trukuara dalin edhe figurat e dy italianëve, si për të siguruar që nuk mungojmë kurrë kur bëhet fjalë për marrëzira nëpër botë. Cellino, aktualisht president i Leeds, i cili e hëngri tamam si peshk karremin e gazetarëve që hiqeshin si agjentë lojtarësh, e që më parë është dënuar në Sardenja për ngjarjet e njohura që përfshinë edhe Cagliarin e tij. Pagliara, njeriu që vinte rrotull në lagunën e Venecias me një valixhe plot me pará, për të blerë ndeshjen në emër të Preziosit, çka shkoi deri në atë pikë sa e dënoi Genoan me rënie nga kategoria.
Tani punët kanë shkuar edhe më keq, duke arritur në mashtrimin shumëmilionësh nëpërmjet një sistemi me vulë të qartë mafioze, i cili u jepte mundësi këtyre “specialistëve” maskarenj e mashtrues të akumulonin shifra të frikshme, përmes shit-blerjes së lojtarëve. Pra, një shoqatë e vërtetë krimi që kishte vendosur të vepronte kryesisht në Angli, ndoshta sespe, duke parë emrin e mirë që gëzonte futbolli aty, askush nuk do të dyshonte apo hetonte. Gjuetia kundër mashtruesve e të pandershmëve sapo ka nisur. Nuk ka pse të habitemi nëse zgjerohet duke arritur deri në muret e Pallatit tonë. Ky është futbolli i mijëvjeçarit të ri, zonja e zotërinj. Vazhdoni madje edhe të vuani e të ziheni për ata “zotërinjtë”. Ia kalofshi mirë të gjithë.