Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Botërore, 2 nga donarët më të rëndësishëm për projektet në Infrastrukturë dhe Transport. Ministri Dervishaj takimin e parë e zhvilloi me drejtorin e BERZHIT për Shqipërinë z.Mateo Colagneli, me të cilin u diskutua për projektin e linjës së re hekurudhore, Tiranë-Rinas-Durrës. Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ta ndërtuar këtë linjë të re hekurudhore, brënda afateve të caktuara nga donatorët. Ministri Dervishaj kërkoi përfshirjen në projekt edhe të stacionit të vjetër të trenave në Tiranë, për ta lidhur më tej me Kasharin, propozim që gjeti mbështetjen nga drejtori i BERZH.
Nga ana e tij drejtori Colagneli, tha se synohet firmosja e marrëveshjes brënda këtij viti, për ti hapur rrugë fillimit të punimeve në 2017. Colagneli njoftoi se janë siguruar fondet për implementimin e këtij projekti strategjik. Ministri theksoi se kjo linjë e re hekurudhore do ti japë një dimension dhe zhvillim të ri transportit hekurudhor.
Takimet e Ministrit Dervishaj vijuan me Raymond Bourdeaux Drejtori i Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm për Europën Juglindore, me fokus zhvillimin e mëtejshëm të projekteve në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve dhe në Transport. Ministri Dervishaj u ndal te reforma e ujit, duke theksuar se shumë shpejt fillon edhe faza e dytë e kësaj reforme të rëndësishme që lidhet me implementimin në 61 ujësjellësat e rinj në gjithë vendin. Dervishaj tha se në këtë fazë, do të synohet përfshirja dhe bashkëpunimi me kryetarët e bashkive, për ta zbatuar me sukses këtë reformë të rëndësishme. Ministri shtoi se një element që do i shtohet kësaj faze të dytë, është përfshirja e shoqërisë civile, pasi kjo reformë në thelb është një shërbim për qytetarët.
Zoti Bourdeaux mirëpriti propozimet e Ministrit, dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë asistencën e Bankës Botërore. Ministri Dervishaj, theksoi gjithashtu domosdomërinë për një qasje me strategjike ndaj transportit detar, si një dimension i rëndësishëm për transportin dhe ekonominë e vendit, që ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Në takim u diskutua fillimi i një projekti të ri nga Banka Botërore me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, me qëllim mbështetjen e Agjendës së Konektivitetit. Qëllimi i këtij projekti, është plotësimi i parakushteve nga Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit, për të përfituar nga fondi europian 1 miliard euro në Transport, deklaruar nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.
ma.me