Vrasja e Ajet Qokthit nuk ka ende autor, ndonëse policia, në bazë të dëshmisë dhe hetimeve të kryera, ka arritur të zbardhë skenën e krimit të ndodhur mëngjesin e së martës në Torovicë të Lezhës.
Burime nga blutë e Lezhës kanë bërë të ditur se pas vrasjes së mbledhësit të qumështit, janë shoqëruar në komisariat mbi 15 persona për t’u pyetur për ngjarjen apo të dyshuar si autorë të krimit. Personat e shoqëruar janë banorë të Torovicës dhe të Shkodrës, ku jetonte viktima.
Nga ana e policisë ka dyshime se autorët të jenë të njohur të 26-vjeçarit Ajet Qokthi, ose persona që kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij drejt Torovicës, bashkë me kushëririn, Agron Qokthi. Ditën e krimit, dy kushërinjtë ishin nisur, si çdo ditë, nga Shkodra për në Torovicë të Lezhës, ku mblidhnin qumështin nga bagëtitë e zonës, për një baxho në qytetin e Shkodrës.
Herën e fundit të udhëtimit, ata do të shpërndanin paratë te banorët e zonës dhe për këtë gjë duket se autorët kanë qenë të sigurt, prandaj kanë realizuar planin e grabitjes. Pas dëshmive të marra nga grupi hetimor dhe hetimeve të kryera, rezulton se dy autorët e këtij krimi kanë qenë duke lëvizur me një automjet pa targa.
Në afërsi të zonës së quajtur “Benti”, midis kufirit ndarës të Shkodrës me Lezhën, ata i kanë bërë thirrje drejtuesit të kamionçinës Agron Qokthit që të ndalojë, por ky i fundit nuk u është bindur dhe ka vijuar rrugën e tij në drejtim të fshatit Torovicë, itinerar që e kryente çdo ditë për të mbledhur qumështin e banorëve të zonës. Burime të Policisë bëjnë të ditur se, pasi kamionçina nuk është ndaluar, dy autorët e kanë parakaluar për t’i zënë pritë vetëm 1 km më larg në një zonë të pabanuar.
Sapo mjeti ku lëviznin kushërinjtë Qokthi është afruar në kthesë, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre. Sipas dinamikës së ngjarjes, policia ka dyshime të forta se ngjarja mund të ketë ndodhur për qëllim grabitjeje, kjo duke iu referuar edhe dëshmisë që ka dhënë drejtuesi i mjetit, Agron Qokthi.
Ky i fundit rrëfeu para oficerëve të Policisë se ai dhe kushëriri i tij, i cili mbeti viktimë e ngjarjes, nuk kanë pasur konflikte me asnjë person, ndërsa ka hedhur poshtë dhe dyshimet e policisë se ngjarja mund të ketë ndodhur për arsye konkurrence.
Sipas të dhënave, ditën kur ndodhi ngjarja, kushërinjtë Qokthi kanë pasur një sasi të konsiderueshme parash me vete, të cilat i kishin për të likuiduar fermerët e zonës për qumështin që kishin marrë në harkun kohor të dy muajve. Dyshimet janë se personat që kanë qëlluar në drejtim të kushërinjve Qokthi i kanë njohur mirë këta të fundit, pasi kanë ndjekur të gjithë itinerarin e lëvizjes së tyre.
Sipas të dhënave, autorët nuk kanë lënë asnjë shenjë në vendin e ngjarjes, ndërsa sapo kanë qëlluar mbi mjetin kamionçinë, janë larguar me shpejtësi në drejtim të Shkodrës.
Errësira e ka bërë të vështirë që dëshmitari i krimit të identifikonte personat që ndodheshin në makinë, por ka treguar për policinë llojin e mjetit dhe faktin se ishte pa targa./Panorama/a.k.