Në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar z. Michael Fallon, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, inspektuan trupat shqiptare dhe britanike, të cilat po marrin pjesë e stërvitjen shumëkombëshe “Joint Effort 16”.
Në rajonin stërvitor të Bizës, i cili është edhe baza kryesore e kësaj stërvitjeje, ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe komandanit i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani.
Gjatë këtij inspektimi, ministrja Kodheli dhe sekretari Fallon u njohën me veprimet konkrete të trupave pjesëmarrëse në “Joint Effort 16”, të cilët demonstruan për të pranishmit disa nga skenarët e kësaj stërvitjeje.
Gjithashtu dy homologët takuan nga afër trupat pjesëmarrëse, të cilët i përgëzuan për përkushtimin e treguar në arritjen e qëllimeve të kësaj stërvitjeje.
Nga Biza, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar z. Michael Fallon vlerësoi rëndësinë e kësaj stërvitjeje për forcat e armatosura të të dy vendeve, në kuadër Task Forcës së Gatishmërisë Shumë të Lartë Very High Readiness Joint Task Force (VJTF), e cila vitin e ardhshëm do të jetë nën komandën e Mbretërisë së Bashkuar.
Task Forca e Gatishmërisë Shumë të Lartë përbëhet nga rreth 5000 trupa dhe Shqipëria do të jetë pjesë e kësaj task force me një togë, e gatshme për t’u dislokuar brenda një kohe të shkurtër, në çdo vend të Aleancës.
Nga ana e saj ministrja Kodheli u shpreh e kënaqur për mundësinë që këto stërvitje i japin Forcave tona të Armatosura për të bashkëpunuar dhe stërvitur me forcat aleate, duke veçuar stërvitjet “Joint Effort 16” që mbyllet sot, e cila i lë vendin asaj “Albanian Lion 16“.
Sekretari Fallon gjithashtu e vlerësoi rajonin stërvitor të Bizës si një hapësirë stërvitore shumë të mirë, që siç tha ai “na jep mundësinë të stërvitemi me një aleat të rëndësishëm.”
Sa i përket kësaj çështjeje, ministrja Kodheli u shpreh se Shqipëria është në hapat e duhura për ta shndërruar rajonin stërvitor të Bizës, në një rajon të përhershëm stërvitor të Aleancës, çka sipas saj do të sillte përfitime jo vetëm për FA tona, por nëpërmjet investimeve, edhe për komunitetin.
Stërvitja e përbashkët “Joint Effort-16”, po zhvillohet në vendin tonë nga data 19-29 shtator 2016. Në këtë stërvitje marrin pjesë rreth 1500 trupa nga Shqipëria, Kosova, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Italia dhe Mali i Zi./a.m.