Rreth 100 vepra artistike, që janë evidentuar brenda objektit të hotelit “Grand”, në kryeqytetin kosovar, nga një komision i themeluar dy vjet më parë, sipas planeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, do të barten në Muzeun e Kosovës.
Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ishte themeluar në fund të vitit 2014 për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodhen brenda objektit të hotelit që para disa dekadash njihej si ndër më të mirët në Ballkan, shkruan “Koha Ditore”.
Zyrtarë të AKP-së nuk kanë dhënë detaje se ku ndodhen tash ato, pos se janë në vend të sigurt. Ky institucion nuk i ka bërë publik as emrat e anëtarëve të Komisionit dhe as të autorëve të veprave. Të vetmet vepra të identifikuara nga ky fondus janë ato të skulptorit Agim Çavdarbasha, mes të cilave njëra me titull “Pritja”.
Madje edhe gjithë iniciativa për formimin e një komisioni të tillë, kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë, Çavdrabasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që, sipas familjes, dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty.
Në anën tjetër kabineti i ministrit të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Kujtim Shala, nuk është i informuar për këtë çështje.
Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka konfirmuar se veprat e identifikuara do të barten në Muzeun e Kosovës.
“Komisioni ka kryer punën e evidentimit të këtyre veprave arti. Të gjitha janë vendosur në një vend të sigurt. Pritet të bëhet një vlerësim në të holla i këtyre veprave dhe më pas do të barten te Muzeu i Kosovës”, ka thënë Kaloshi.
Ai ka konfirmuar po ashtu se në ndërtesën e hotelit “Grand” janë evidentuar rreth 100 vepra artistike. Por nuk ka dhënë emrat e anëtarëve të Komisionit që është marrë me këtë punë.., citohet Express. (b.an)