Ndryshimet e propozuara nga policia në Kodin Penal, për aksidentet me pasoja të rënda për jetën, janë bazuar në modelin italian. Mitat Tola, një nga hartuesit e draftit “Vrasja rrugore”, që do t’i paraqitet së shpejti Parlamantit për shqyrtim, tregon për Top Channel shkeljet që janë përfshirë në këtë nen.
“Rritet dukshëm masa e dënimit për personat që shkaktojnë aksident dhe janë të dehur. Në ndryshimet është parashikuar që të gjithë ata, që kryejnë shkelje të dukshme, pra e shkaktojnë aksidentin rrugor në semaforë, duke e shkelur atë; shkaktojnë aksident duke ecur në sens të kundërt në autostradë apo në rrugët që janë parashikuar të ndara me karrexhatë. Është parashikuar një dënim më i ashpër për personat që nuk respektojnë përparësinë. Kjo kategori veçohet dhe i jepet dispozitivit të gjyqësorit, pra prokurorisë, të bëjë një hetim më kirurgjikal të aksidentit”, shprehet Mitat Tola, ish-drejtor i Policisë Rrugore.
Por ekspertët e sigurisë rrugore, përveçse mendojnë se kjo nismë është e vonuar, kanë edhe sugjerime të tjera.
“Përderisa një përdorues alkooli është i përsëritur dhe bën aksidente të kësaj kategorie brenda një viti, leja e drejtimit i duhet hequr për një kohë shumë më të gjatë. Nuk duhet mjaftuar me ato 6 muaj apo një vit, apo me butësinë që shfaqin komisionet tona. Leja e drejtimit të hiqet për 3 apo 5 vite, e ndoshta për persona të caktuar edhe përjetësisht”, thotë Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore.
Ashpërsimi i dënimeve shikohet si një mundësi për të frenuar numrin e lartë të aksidenteve, që në shumicën e rasteve shkaktohen nga mosrespektimi i normave të sjelljes dhe qarkullimit./a.m.