Këtë të matë lideri i opozitës Lulzim Basha pati një takim me Zv Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, Aleksander Arvizu, i cili shoqërohej nga Ambasadori Lu. Zyra e shtypit e PD ka nxjerrë deklaratën e saj zyrtare në lidhje me takimin, ku shkruhet se në fokus të bisedës ka qenë situata e drogës në vend, korrupsioni dhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Në njoftim shkruhet për çfarë kryedemokrati ka folur, por asnjë fjalë se çfarë kanë thënë Arvizu dhe Donald Lu në lidhje me çështjet e diskutuara.
Nga ana e tij Basha u ka thënë përfaqësuesve amerikanë se reforma u vonua qëllimisht për të pamundësuar votimin elektronit për vitin e ardhshëm.
“Rasti i fundit, ku për t’i shërbyer trafikut të drogës ishte ndërtuar edhe një pistë ajrore, tregon se trafiku me avion është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Kjo shtrirje masive dhe në sasi e kultivimit të kanabisit, lehtësitë e kalimit të saj nga territori i Shqipërisë do të ishin të pamundura, tha zoti Basha, pa bashkëpunimin dhe mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politik të saj. Rast flagrant është së fundmi dhe ndalimi me kokainë i vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, ndersa ai vetë është nën akuzë për mbrojtjen e parcelave me hashash në Dibër. Zgjedhjet në Dibër, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, janë shembull i impakti të drogës në zgjedhje.” -shkruhet në njoftim.
“Reforma, theksoi zoti Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës… Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor theksoi zoti Basha, ndaj është koha për një reagim të fuqishëm publik dhe politik kundër këtij rreziku të qartë dhe të madh ndaj investimit të përbashkët për Shqipërinë demokratike, stabile dhe euroatlantike.”- mbyllet njoftimi i PD-së./java/a.k