Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 10 ekskavatorëve me vlerë 2 milionë dollarë, donacion i qeverisë së Kinës. Në ceremoninë e zhvilluar në Shkozet të Durrësit të pranishëm ishin Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, znj. Jang Yu.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta falënderoi qeverinë e Kinës përmes Ambasadores Jang Yu për këtë mbështetje mjaft domethënëse që jep për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë si edhe Ministrin Panariti për bashkëpunimin në këtë drejtim.
“Falënderoj në radhë të parë qeverinë e Kinës përmes ambasadores për këtë mbështetje mjaft domethënëse që jep për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë. Dua të falënderoj edhe Ministrin Panariti për bashkëpunimin për përpjekjet që ka bërë në këtë drejtim. Këto mjete jashtëzakonisht moderne dhe të fuqishme do të ndihmojnë mjaft për të zgjidhur shumë probleme me të cilat bujqësia jonë ndeshet, me infrastrukturën e saj kulluese dhe vaditëse, por njëkohësisht edhe do të shërbejë për të pastruar shumë prej lumenjve dhe për të mbrojtur tokat bujqësore por dhe mjaft komunitete në vendin tonë që ende vuajnë nga përmbytjet sot”, – tha Meta, teksa theksoi se zhvillimi i bujqësisë është një prioritet madhor për ekonominë tonë kombëtare.
“Zhvillimi i bujqësisë padiskutim që është një prioritet madhor, për të gjithë zhvillimin e vendit dhe për të luftuar varfërinë, për të rritur ekonominë tonë kombëtare, për të rritur eksportet. Besoj se ky bashkëpunim edhe me qeverinë e Kinës, por edhe me qeveri të tjera do të vazhdojë në mënyrë që t’i mbështesim sa më shumë fermerët tanë që ata të arrijnë rezultate sa më të mira për familjet e tyre, por edhe në dobi të gjithë ekonomisë tonë”, – tha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha se këto ekskavatorë i shërbejnë fuqizimit të kapaciteteve tona për kryerjen e punime në kanalet kulluese edhe vaditëse.
“10 ekskavatorë të fuqishëm krahëgjatë i shtohen flotës së ekskavatorëve dhe makinerive bujqësore të vendit gjë që do t’i shërbejë fuqizimit akoma edhe më shumë të kapaciteteve tona për kryerjen e punime në kanalet kulluese edhe vaditëse. Këto mjete vijnë pikërisht në momentin e duhur kur ne ndodhemi përpara sezonit të shirave dhe ku jemi aktualisht në procesin e hapjes së kanaleve, të riparimit të tyre, të riparimit të digave, të hidrovoreve, të grykave të lumenjve. Këto ekskavatorë do të rrisin akoma edhe më shumë kapacitet për mbajtjen e hapur të kanaleve kulluese, për garantimin e mbrojtjes së blegtorisë, të bujqësisë, nga përmbytjet, që janë fenomene natyrore ndaj të cilave ne duhet të përgatitemi”, – tha z. Panariti. Ministri i Bujqësisë tha se “së shpejti do të kemi edhe 61 ekskavatorë të tjerë me financim e qeverisë shqiptare duke rinovuar totalisht për herë të parë në historinë e saj flotën e ekskavatorëve dhe të makinerive bujqësore që ne kemi në dispozicion”.
Ndërsa, Ambasadorja e Kinës, Jiang Yu vlerësoi vëmendjen e Kryetarit të Kuvendit, z. Meta për të mbështetur bashkëpunimin midis dy qeverive në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera.
“Kam kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të këtyre ekskavatorëve. Shpresoj që nëpërmjet ndihmës brenda kapacitetit të qeverisë kineze, të konkretizojnë miqësinë që ka qeveria kineze dhe populli kinez për qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Kam nderin që edhe Kryetari i Kuvendit, Meta merr pjesë në këtë ceremoni, sepse vetë Kryetari e ka treguar vëmendjen e tij të çmuar për të mbështetur bashkëpunimin midis dy qeverive në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera. Kemi planifikuar që të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrin e Bujqësisë, me qeverinë shqiptare, që të krijojmë sa më shpejt servisin e makinerive bujqësore”, – u shpreh Jiang Yu./a.m.