Tifozët e Këlnit kanë organizuar një protestë, duke u ulur në rrugë dhe duke bllokuar rrugën e autobusit të skuadrës kundërshtare RB Leipzig, të dielën, që rezultoi në shtyrjen për 15 minuta të ndeshjes së xhiros së pestë të Bundesligës gjermane.
Rreth 100 tifozë të Këlnit ishin ulur në rrugën që çon te stadiumi për të protestuar kundër Leipzigut që sponsorizohet nga gjiganti i pijeve energjike, Red Bull, shkruan Koha Ditore.
Autobusi më pas arriti në stadium nëpërmjet rrugëve alternative, ndonëse nuk ishte në gjendje të futej në parkingun nëntokësor, duke shtuar probleme të tjera për skuadrën mysafire.
“Ne kemi pasur pak telashe të futeshim në stadium dhe na është dashur më tepër kohë për t’u përgatitur profesionalisht për ndeshjen”, ka thënë trajneri i Leipzigut, Ralph Hasenhuettl, përcjellin mediumet lokale. (b.an)