Prokuroria bllokoi disa transaksione bankare mes dy kompanive që ofrojnë turizëm mjekësor. Pronari i njërës prej tyre, shtetasi izraelit Boris Wolfman është akuzuar për trafik organesh në disa vende të botës. Ai zotëron dy kompani në Shqipëri dhe ka marrëdhënie financiare me një tjetër shoqëri që ka si aktivitet mes të tjerash dhe transplantin e organeve
Një shtetas izraelit, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, i akuzuar për trafik organesh në disa vende të botës, dyshohet se po investon paratë e tij në Shqipëri.
Alarmi është dhënë nga prokuroria e cila nëpërmjet Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave ka mundur të bllokojë disa transferta mes dy kompanive që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Ne qendër të hetimit është një kompani me ortak dhe administrator një shtetas të huaj, i cili në fokus të veprimtarisë së tij ka turizmin mjekësor.
Por sipas prokurorisë, shtetasi Robert Shpolinske ka marrë disa para nga një person i dyshuar dhe i akuzuar për trafik organesh në disa vende të botës.
Ai është Boris Wolfman, i lindur në Ukrainë dhe me pasaportë izraelite, i akuzuar si pjesë e një rrjeti që trafikon organet duke nisur nga Kosta Rika, madje edhe në Kosovë sipas një shkrimi të “New York Times”.
Një raport i Eulex tregon funksionimin e skemës së trafikut të organeve ku janë të përfshirë edhe disa mjekë, madje edhe ai që konsiderohet si shefi i izraelitit Boris Wolfman.
Vetë Wolfman i arrestuar në vitin 2015 në Turqi pasi ishte person në kërkim nga autoritetet izraelite, rezulton të ketë krijuar dy kompani në Shqipëri, njëra prej të cilave me objekt turizmin mjekësor ku përfshihet edhe transplanti i organeve.
Transaksionet mes kompanive në pronësi të rusit Robert Shpolinske dhe izraelitit Boris Wolfman kanë ngjallur interesin e Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave, e cila ka nisur të gjurmojë pagesat.
Dyshimet e para kanë të bëjnë me faktin se Wolfman ka patur akuza për trafik organesh dhe paratë që i jepen biznesit të shtetasit rus mund të kenë prejardhjen nga ky aktivitet i jashtëligjshëm, megjithëse kjo çështje pritet të sqarohet nga hetimi që po zhvillohet.
Për të parandaluar transaksione të tjera të dyshimta, prokuroria kërkoi leje në gjykatë për sekuestrimin e llogarisë bankare në pronësi të kompanisë së krijuar nga shtetasi rus Robert Shpolinske.
Në këtë kompani ka qenë më herët administratore edhe bashkëshortja e Boris Wolfman. Sipas prokurorisë, në shtator të këtij viti është regjistruar një procedim penal pas dyshimeve për pastrim parash.
Për këtë arsye gjykata lejoi sekuestrimin e llogarisë bankare të kompanisë “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske, llogari kjo pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
Prokuroria thotë se të dhënat e mbledhura për këtë rast krijojnë dyshime për pastrim parash nga ana e shtetasit Robert Shpolinske dhe Boris Wolfman.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se shtetasi Robert Shpolinske ka regjistruar në Shqipëri më datë 13.11. 2014 aktivitetin e tij të biznesit dhe shoqërinë “A News Life 4U” në të cilën ky shtetas është administrator dhe ortak i vetëm i saj. Objekti i aktivitetit të kësaj shoqërie është “turizëm mjekësor dhe transplant organesh…”.
“Rezulton se kjo shoqëri ka çelur llogari në datë 9.12. 2014 në monedhat Lek, Euro dhe USD në të cilat janë kryer transaksione të ndryshme për persona të ndryshëm përfshirë edhe shtetasin rus të dyshuar për trafikim organesh Boris Wolfman”, thotë prokuroria.
Nga monitorimi i vazhdueshëm që u është bërë llogarive të kësaj shoqërie rezulton se në llogarinë e shoqërisë “A News Life 4U” sh.p.k. ka mbërritur një transfertë në vlerën prej 40,957 USD me përshkrimin “faturë 2001 shërbime mjekësore” nga shteti i Izraelit.
“Nga të dhënat e siguruara rezulton se shtetasi Boris Igor Wolfman është i përfshirë në transplantimin ilegal të organeve. Nga verifikimet e bëra ky shtetas ka llogari bankare në emër të kompanive që ai zotëron në Shqipëri, konkretisht shoqëritë “Justsavelife” dhe “AVS. Investment Group”, thotë prokuroria.
Sipas prokurorisë nisur nga përfshirja e shtetasit Robert Shpolinske në transaksione me shtetas për të cilët ka të dhëna se janë përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme, ka dyshime të bazuara në prova se pasuria e luajtshme në emër të tij konkretisht shumat e depozituara dhe të transferuara në llogarite e shoqërisë “A News Life 4U” sh.p.k. janë rezultat i këtij aktiviteti kriminal.
Kompania, transaksione dhe nga një i arrestuar për trafik droge
Prokuroria thotë se kompania të cilës iu sekuestruan llogaritë bankare, përveç parave që ka marrë nga i dyshuari për trafik organesh ka patur transaksione edhe me persona të tjerë që kanë probleme me ligjin.
Sipas akuzës, rezultojnë të jenë kryer transaksione edhe me shtetasin R. Mezini, i cili në muajin janar 2010 është ndaluar nga autoritetet italiane.
Ai u dyshua si pjesë e një grupi që trafikonte lëndë narkotike. Mezini u ndalua nga policia e Pescarës bashkë me 10 shtetas të tjerë, pjesa më e madhe shqiptarë.
Sipas policisë, kreu i bandës ishte shtetasi italian Fabio Orta, i cili zotëronte edhe një kompani sportive në Pescara dhe sipas policisë, zyrat e saj përdoreshin për mbajtjen e lëndëve narkotike.
Hetuesit italianë thanë asokohe se kjo organizatë kriminale gjente makina luksoze në Itali, që i dërgonin në Shqipëri, të cilat më pas përdoreshin për të blerë drogën.
Pra banda nuk paguante Cash por jepte makina në këmbim të narkotikëve.
Wolfman, i arrestuar tre herë, i akuzuar për trafik organesh nga Kosova në Kosta Rika
Boris Wolfman, ukrainasi me shtetësi ruse dhe izraelite, është i njohur të paktën prej 2008 në biznesin e trafikut të organeve.
Ai është një prej emrave që del në hetimin e EULEX në një klinikë në Kosovë dhe po ashtu përmendet në një hetim në Kosta Rika, një në Turqi, në Ukrainë dhe një sërë vendesh të tjera.
Herën e fundit ai është arrestuar në Turqi, ku sipas disa mediave lokale ishte në kërkim të “dhuruesve” të organeve mes refugjatëve Sirianë.
Vetë Wolfman sipas një shkrimi të publikuar në 2014 në Nju Jork Times kishte dhuruar një veshkë në moshë të re në Kolumbi.
Gazeta amerikane që e ka kontaktuar atëherë thotë se Wolfman ishte “i mbrojturi” i Avigad Sandler, i cili është një nga izraelitët e përfshirë në trafikun e organeve, për të cilat u arrestuan dhe dënuan disa njerëz në Kosovë.
Wolfman duket se është shkëputur prej Sandlerit pasi të dy u arrestuan për disa javë mbi këto akuza dhe tani ka një kompani të tijën, një degë e të cilës duket se është hapur në Shqipëri, ku ai është në ortakëri me një sërë biznesmenësh të huaj dhe shqiptar.
Kompania që është hapur në Shqipëri, ka të njëjtin emër si faqja e internetit që Wolfman përdor. “Justsavelives.com” reklamon se merret ekskluzivisht me ndihmë për pacientët që kanë nevojë për transplant organesh, ndërsa është e fokusuar edhe në gjetjen e dhuruesve.
Wolfman në intervistën e dhënë për NY Times thotë se puna e kompanisë së tij është të sigurojë ndihmën që u duhet pacientëve në procesin e transplantit, por nuk ka të bëjë fare me organin apo me pjesën spitalore që thotë se janë vetë klientët që e zgjidhin.
Por NY Times kishte dëshmi të angazhimit të tij në aktivitetin e “turizmit mjekësor” dhe lëvizjes së pacientëve për shuma të mëdha në kërkim të dhuruesve.
Në 2007 sipas gazetës ai ishte arrestuar dhe dënuar me dy muaj burg për rrëmbimin e një burri të cilin e kishte detyruar të hynte në të dhënat e spitalit për të marrë databazën e të sëmurëve në kërkim të një veshke.
Ai i ka pranuar gazetës se kishte ndihmuar në 15 transplante që prej fillimit të 2014 kur ka krijuar kompaninë e tij.
Dega e kësaj kompanie në Shqipëri është hapur në janar, ndërsa artikulli i NY Times është publikuar në gusht të vitit 2014. Nuk ka të dhëna nëse Wolfman ka kryer aktivitet të ngjashëm në Shqipëri.
tema/di