Rekordet janë për t’u thyer dhe dje në mbrëmje i ka ardhur fundi edhe një rekordi që në futbollin shqiptar rezistonte prej plot 60 vjetësh, më saktë që më 14 tetor 1956. Veçse nuk është rekord pozitiv, përkundrazi.
Sipas statisticienit të futbollit, Fatmir Efica, 60 vjet më parë, në të gjitha ndeshjet e javës u shënuan vetëm 2 gola, edhe ato në një ndeshje të vetme, ku Lokomotiva e Durrësit mundi Punën e Tiranës 2-0.
Gjashtë dekada më pas, më 24 e 25 shtator 2016, shënohet vetëm një gol, në takimin Skënderbeu-Luftëtari, mbyllur me fitoren minimale të kampionëve përballë skuadrës së ardhur nga Kategoria e Parë.
Në këto kushte, goli i shënuar nga James Adeniyi është me të vërtetë një pikë uji e çmuar në shkretëtirë.
Mungesa e golave ka qenë problematike në startin e kampionatit, por në javën e katërt u arrit një nivel edhe më i ulët. Nuk mbaron me kaq, pasi rekordi negativ i kësaj jave është edhe më i keq nëse llogaritet mesatarja e golave për ndeshje.
Më 1956 luheshin vetëm katër takime në javë, çka do të thotë 0.5 gola për ndeshje. Më 2016, me pesë ndeshje të luajtura, mesatarja e golave është vetëm 0.2 për ndeshje, një rekord që zor se mund të thyhet edhe për 60 vjet të tjerë.
d.i.