Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të kryetarit të bashkisë Kolonjë, Arben Malo. Kreu i qeverisë, përmes një mesazhi në Facebook, shprehet se ka humbur një mik të mirë, ndërsa thekson se Arben Malo ishte pjesëtar i familjes së madhe politike, Aleancës për Shqipërinë Europiane, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“ARBEN MALO një mik i mirë dhe pjesëtar i respektuar i familjes sonë të madhe politike, kryebashkiak i Bashkisë së re të Kolonjës propozuar nga LSI, u nda papritur nga jeta. Me respekt për punën e tij të mirë në drejtimin e bashkisë dhe me dhembshuri për humbjen e tij, ngushëllime familjarëve, miqve, qytetarëve të Kolonjës”, thuhet në mesazhin ngushëllues të kryeministrit Edi Rama.