Nga Lorenc Vangjeli
Lajmi se ministria e arsimit ka vendosur ndarjen e gjuhës shqipe nga letërsia dhe përfshirjen e saj si një lëndë më vete në arsimin e mesëm të lartë ishte një lajm periferik për mediat që operojnë me fjalën dhe me figurën. Ishte shumë pas në renditje të lajmeve me fjalë dhe figurë që tregonin kazanët e mbetjeve me emra deputetësh mbi to (disa shkruar dhe me gabime ortografike), lajmeve me figurë dhe fjalë që tregonin deklarimet e njërit apo tjetrit politikan, që rrëfenin aksione antidrogë, kapje trafikantësh e të tjerë e të tjerë. Në fakt, me të gjitha gjasat, ai është një nga lajmet më të rëndësishëm të këtij muaji bashkë me thagmën publike të ndeshjes për ligjin e mbetjeve urbane. Sepse të dy i flasin të nesërmes më shumë se të sotmes. Lajmi me gjuhën shqipe të rikthyer në gjimnaze është natyrisht ku e ku më i rëndësishëm, më i vlefshëm dhe më i dobishëm se njoftimi i pakkohëve më parë se në themelet e Qemal Stafës do të ndërtohet stadiumi i ri apo se qendrat e qyteteve po rikualifikohen nga pikpamja urbane, apo se do të shkulen për t’u ngulur më pas palmat e pothuajautostradës Tiranë-Durrës.
Gjuha është një Monument që e përdorin të gjithë dhe nuk e njohin vetëm të marrët.
Dhjetra e dhjetra vjet më parë etërit e Shqipërisë mendonin se themeli i vendit do të ishte gjuha dhe nga gjuha do të nisnin Rilindjen e vetë Shqipërisë.
Tre-katër vjet më parë të majtët e Shqipërisë e përdorën fjalën Rilindje për të treguar sesi do të ishte një Shqipëri e nesërme pa Berishën dhe me ta në pushtet. Atëherë kishin parasysh gjithçka të madhe që do të ndodhte në qeverisjen e tyre, me reforma të të gjitha llojeve që do të frenonin rrëshqitjen e vendit në krizë dhe në krye të katër vjetëve, do të sillnin një atdhe të rilindur. Tani që ka mbetur dhe më pak se një vit përpara ballafaqimit elektoral të rradhës, ka një moment për të bërë bilanc paraprak. Një bilanc i cili dëshmon se progresi e suksesi nuk qëndron thjesht në bërjen e gjërave të mëdha dhe brohoritëse; progresi dhe suksesi “fshihet” zakonisht në gjeste të vogla, në punë të vogla e konkrete, në ndërhyrjen kirurgjikale në “Monumentet” e përditshmërisë. Akti i ministrisë së Lindita Nikollës është një i tillë. I qetë dhe i urtë, aq i qetë dhe aq i urtë sa krijon idenë e ulërimës për të kundërtën: Kur ka qenë kaq e thjeshtë, pse nuk është bërë më parë? Pse e ndëshkuan me internim nga gjimnazet gjuhën shqipe për mbi 30 e ca vjet duke krijuar breza analfabetësh që flasin më mirë anglisht, italisht apo greqisht më mirë se shqipen e nënave të tyre? Por kjo tashmë nuk ka rëndësi. Shpesh tek gjërat e thjeshta qëndron gjithë ndërlikimi i kësaj bote, që lundron mbi vezën e Kolombit dhe shpjegohet me pak fjalë të latinëve të vjetër që kishin zbuluar se i mençur është ai që di një gjë që nuk di asnjë gjë. Dhe që ka një dallim thelbësor mes daulles dhe shkopit që e rreh atë për të prodhuar tingull.
Kjo punë e vogël në hallet dhe armiqësitë e mëdha që vazhdojnë ta mbajnë peng këtë vend, mund të vazhdojë të mos bjerë ende në sy. Por me gjasë, të paktën nja 30 e ca vjet më pas, atëherë kur shqiptarët e botës të flasin më mirë anglisht me njëri-tjetrin sesa në gjuhën shqipe, atëherë do të kujtohet dikush për monumentin e heshtur të një vendimi të ministrisë së sotme të arsimit. Një vendim që mbante vule Rilindjeje e firmosur nga Lindita.