Miratimi i ligjit të mbetjeve në Kuvend ka shkaktuar indinjata, replika dhe një lumë kritikash drejtuar maxhorancës, por edhe kryeministrit Edi Rama. Kjo ka bërë që ky i fundit të ‘kryqëzohet’ nga komentet e ndjekësve të tij në “Facebook”. Në një status të Ramës, i ilustruar edhe me një video nga ndërtimi i rrugës Gramsh-Banjë, komentuesit janë ‘sulur’ t’i kujtojnë kryeministrit ligjin për mbetjet. Mes komenteve spikatin replikat mes një komentuesi me emrin ‘Skënder Skënderbeu’, i cili i shtron Ramës pyetjen: “Përse duhet të prishet kjo mrekulli nga ato dreq plehrash?!”, ndërsa kryeministri i përgjigjet, duke i kujtuar heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.
“Skenderbe ruaju nga hordhia e jeniçerëve të urrejtjes e të padijes që duan të të pushtojnë kokën me shpatën e shpifjes dhe të ndezin në zemrën tënde zjarrin e frikes, duke mbjellë gënjeshtra si kjo e “plehrave” – jo se e duan Shqipërinë më të pastër siç e duam ti dhe unë, po sepse duan pushtetin e humbur të interesave që e rrënuan vendin tonë të bekuar! Në fakt kjo mrekulli sic e quan ti do jete me e mbrojtur nga fuqizimi i industrise se riciklimit të mbetjeve të gjelbërta që janë sot e gjithë ditën një problem i pazgjidhur i Shqipërisë! Për më shumë dëgjo e lexo shpjegimet në postimet e mëparshme”, – citohet në mesazhin e Ramës.
Ndërkohë, ditën e djeshme Rama mbajti edhe një qëndrim zyrtar në lidhje me ligjin për mbetjet, ndërsa theksoi se pjesa e shëndoshë e ambientalistëve janë pro dhe se kanë dhënë mendimin për hartimin e këtij ligji. Sipas tij, ata që shpifin kanë interesa politike.