Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se kryebashkiaku Veliaj do të nxjerrë një urdhër, ku do përcaktohen kriteret e reja për të marrë kredi me interes të ulët, si dhe kategoritë që do të kenë prioritet.
Një ndër kategoritë që do të kenë prioritet për të përfituar kredi të butë, do të jenë çiftet e reja. Po ashtu me prioritet do të jenë edhe familjet që u është dëmtuar banesa nga fatkeqësitë, si dhe disa ketegori të tjera që do përcaktohen në vendimin e ri që do marrë Bashkia e Tiranës.
Më herët kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se qëllimi i dhënies së kredive të buta, është që rreth 2 mijë familje të kenë një apartament të tyre, por edhe do të çlirojë shit-blerjen në tregun imobiliar, i cili prej vitesh është i bllokuar.
Aplikimi do të kryhet në njësitë administrative dhe do të merren parasysh edhe aplikimet që janë bërë deri më tani, për kredi të butë. Kreditë e buta prej vitit 2014 janë bllokuar me vendim qeverie. Por program i ri që do të miratojë bashkia, nuk do të varet nga qeveria, por nga buxheti i saj.