Gazeta ruse Kommersant, duke cituar burime të paidentifikuara, njoftoi këtë javë (http://ëëë.kommersant.ru/doc/3093174) se para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, të marsit 2018, Kremlini ka në plan të krijojë një ministri të re me përmasa të mëdha, ku do të përfshihen pjesa dërmuese e agjencive ruse të sigurimit.
Bazuar tek burimet e gazetës ky dikaster do të quhet “Ministria e Sigurisë Shtetërore”, me akronimin MGB në rusisht. Ky është i njëjti emër që diktatori sovjetik, Jozef Stalin, i dha apararit të tij shtypës nga viti 1946 deri sa vdiq në vitin 1953. Pas vdekjes së diktatorit, MGB u ndryshua në KGB, “Komiteti i Sigurisë Shtetëror”.
Aparati i ri MGB, njoftonte gazeta, do të bashkojë “Sherbimin e Sigurisë Federale” ((FSB)), aktualisht agjencia kryesore ruse e sigurisë, me “Sherbimin e Mbrojtjes Federale” ((FSO)), e cila ruan zyrtarët e lartë dhe përfshin edhe “Sherbimin e Sigurisë Presidenciale” ((SPB)), që ruan presidentin. MGB po ashtu do të gëlltisë “Shërbimin e Zbulimit të Huaj” ((SVR)), që është agjencia e spiunazhit jashtë vendit. Krahu hetues i MGB-së, do të trajtojë çështjet kriminale më të rëndësishme ndërsa punonjësit e MGB do të mbikëqyrin veprimtaritë e shumë organeve të ruajtjes së rendit, përfshi Ministrinë e Brendshme dhe Komitetin e Hetimeve.
NDRYSHIMET NË APARATIN E SIGURISË
Nëse njoftimet për planin e ristrukturimit miratohen, ky do të ishte ndryshimi i fundit i rëndësishëm që Presidenti Vladimir Putin do të bënte tek sistemi i sigurisë në Rusi. Në fillim të këtij vitit, ai krijoi Gardën Kombëtare, e cila ka për detyrë sigurimin e kufijëve rusë, luftojë terrorizmin, krimin e organizuar, të sigurojë rendin publik dhe ruajë objekte të rëndësishme shtetërore.
Garda Kombëtare raporton direkt tek presidenti dhe drejtohet nga Viktor Zolotov, i cili ishte roja e zotit Putin në Shën Piterburg në fillim të viteve 90-të. Zolotov drejtoi Shërbimin e Sigurisë Presidenciale nga viti 2000 deri në vitin 2013, dhe më pas sherbeu si komandant i Trupave të Brendëshme që janë forca të armatosura të Ministrisë së Brendëshme, nga viti 2014 deri në fillim të këtij viti, kur edhe u zgjodh të drejtone Gardën Kombëtare.
Boris Volodarsky, një ish oficer i agjencisë ushtarake ruse të zbulimit, GRU dhe historian i agjencive të zbulimit të kohës sovjetike dhe ruse, i tha Sherbimit rus i Zërit të Amerikës se ai besonte se me të vërtetë egziston një plan për të krijuar një strukturë të tillë të sigurimit të shtetit. Ai tha se propozimi i emrit “Ministria e Sigurimit të Shtetit” nuk ishte i rastësishëm.
“Kremlini ka një prirje të qartë të referimit të kohëve të mira staliniste dhe pas-staliniste, është e qartë se ata kanë si qëllim të krijojnë një ministri që do të bashkonte të gjitha strukturat e sigurisë nën një ombrellë.
Ndërkohë ata kanë krijuar Gardën Kombëtare dhe tani po rikrijojnë një ministri e cila më parë, nën Stalinin, konsolidoi zbulimin e huaj dhe sigurimin e brendëshëm.”
Volodarsky tha se nuk mendon se FSB apo zyrtarët e lartë aktualë të saj do të luajnë rolin kryesor në ministrinë e re. Ai shton se madje as tani, FSB nuk është lojrari kryesor në sistemin rus të sigurisë, përgatiti Voa. (b.an)