Maxhoranca arriti të miratojë me 63 vota pro, 26 kundër dhe 4 abstenim projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Pas 10 orë debatesh dhe kundërshtimesh mes deputetëve të maxhorancës e opozitës, Grupi Parlamentar i PS-së me mbështetjen edhe të deputetëve të LSI-së arritën të kalojnë këtë ligj.
Si rrallë ndonjëherë në këto tre vite, shumica ra në nivelin e 63 votave, ku nuk munguan votat kundër apo edhe abstenimet brenda Grupit Parlamentar të PS-së. Deputetët Ben Blushi, Mimoza Hafizi e Dashamir Peza votuan kundër ligjit, së bashku me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, shkruan “Panorama”.
Një grup deputetësh i Grupit Parlamentar të PS-së, ndonëse ishin në sallë, nuk morën pjesë në votim. Ndërkohë që deputetet Luljeta Arapi e Klodiana Spahiu vendosën të votojnë kundër vendimit të Grupit të PS-së, duke abstenuar për ligjin e menaxhimit të mbetjeve të integruara. Abstenim për këtë ligj votoi edhe deputeti e kandidati për kreun e LSI-së, Përparim Spahiu.
Teksa shpalli kandidaturën pak ditë më parë për kreun e LSI-së, Spahiu deklaroi se shumë gjëra duhet të ndryshojnë në bashkëqeverisje. Por ligji, ndonëse u deklarua se do të votohej kundër nga Grupi Parlamentar i PD-së, u abstenua nga deputeti Genc Pollo.
Sa u takon aleatëve të maxhorancës, Kryeministrit Rama i mungoi aleati i tij në qeverisje, Ilir Meta. Në votimin për ligjin e mbetjeve të integruara mungoi edhe i gjithë Grupi Parlamentar i PDIU-së së Shpëtim Idrizit./a.m.