Komisioni Europian ka publikuar sot pjesën e parë të programit të reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate në Bashkimin Europian, ku përfshihen Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina dhe Kosova.
Për Shqipërinë, raporti vlerëson se pas përkeqësimit të shpejtë të rritjes ekonomike pas krizës, ekonomia e Shqipërisë tashmë duket se po përjeton një rritje të ngadaltë. Kjo rritje po udhëhiqet nga kërkesa e sektorit privat, shpenzimet konsumatore që po përfitojnë nga përmirësimi i besimit dhe rritja në punësim si rrjedhim i kushteve më të mira të likuiditetit të bizneseve, në sajë të vendimit të qeverisë për të kthyer detyrimet e prapambetura.
Megjithatë, raporti thekson se pavarësisht përshpejtimit të ritmeve ekonomike, që pritet të jenë mesatarisht 3.8% në vit, rritja vjetore e prodhimit gjatë tre viteve në vijim do të jetë shumë më e ulët sesa ajo e para krizës, si dhe ekonomia do të përballet me rreziqe.
Bankat shqiptare, megjithëse të mirëkapitalizuara dhe likuide, janë ende të rënduara nga barra e rëndë e kredive me probleme, një trashëgimi e viteve të lulëzimit dhe rënies së mëparshme. Vendi është gjithashtu i ekspozuar ndaj disa shteteve të brishta të BE-së, përmes tregtisë, remitancave dhe flukseve financiare. Sektori i energjisë, që varet pothuajse nga hidrocentralet gjithashtu, është një rrezik për panoramën ekonomike dhe fiskale.
Investimet në Shqipëri, që kanë një përmbajtje të lartë importi nënkuptojnë se deficit i llogarisë korente pritet të përkeqësohet më tej në vitet në vijim, pavarësisht vazhdimit të rritjes së eksporteve. Deficiti i lartë i jashtëm, që është më shumë se 12% e PBB-së, reflekton një bazë të ngushtë eksportesh, gjithashtu dhe një diferencë të konsiderueshme të raportit kursim-investime, (Diferenca mes kursimeve neto private dhe investimeve neto private), për shkak të nevojave të larta për investime, që duhet reduktuar në afatin e gjatë, teksa normat e kursimeve kombëtare rritet me nivelet e prodhimit dhe të ardhurave.
Kjo, thekson raporti, nënkupton nevojën për të përmirësuar mjedisin e investimeve për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe të sigurohet që ato të vazhdojnë të financojnë deficitin e llogarive korente, ndërsa forcohen themelet për produkt
ivvitete dhe prodhim më të lartë.
Rreziqe të tjera lidhen me lidhjet e larta tregtare, të remitancave dhe financiare me Greqinë e Italinë, ku çdo zhvillim i pafavorshëm në këto shtete mund të godasë dhe Shqipërinë.
Rreziqe ka dhë në kahun e prodhimit, si rrjedhojë e ndryshimit të kushteve të motit, për prodhimin e energjisë dhe rënien e çmimeve të naftës.
Rreziqet e sistemit bankar
Sistemi bankar, thekson raporti, duket stabël, por nuk është i imunizuar ndaj rreziqeve të kreditit dhe borxhit kombëtar.
Në tërësi, treguesit e kapitalit dhe likuiditetit janë përmirësuar për shkak të zvogëlimit të nevojës për të lënë mënjanë provizione për huatë me probleme. Aktiviteti bankar vazhdon të jetë i financuar në thelb nga depozitat, me normën hua-depozita që është në rreth 55%.
Megjithatë, huatë me problem mbeten të larta dhe megjithëse ato janë të provigjonuara mirë, NPL-të neto ende llogariten në rreth 50% të kapitalit të bankave. Për më tepër, pavarësisht tendencës rënëse, niveli i lartë i eurozimit të ekonomisë mbetet një shqetësim, pasi ai i ekspozon bankat ndaj rreziqeve të kredisë: huatë në monedhë të huaj ndaj huamarrësve të pambrojtur ende përbëjnë rreth një të tretën të stokut total të huave, duke e bërë ripagimin e tyre të ndjeshëm ndaj një zhvlerësimi të fortë të lekut.
Gjithashtu, duke qenë se letrat me vlerë të qeverisë përbëjnë 25% të totalit të aseteve të bankave (duke e bërë sistemin banker vendas mbajtësin më të madh të borxhit të brendshëm, me një peshë prej 60%), një stress i rëndë i borxhit kombëtar mund të ndikojë aftësinë paguese të bankave.
Pritshmëritë
Programi projekton një rimëkëmbje të ngadaltë të rritjes, të udhëhequr nga kërkesa e brendshme. Në vitin 2017 rritja pritet të përshpejtohet në 4.5% dhe papunësia të ulet në 13.9%, ndërsa kërkesa private totale do të rritet me 5.1%.
Politika monetare pritet të vazhdojë të mbetet akomoduese në periudhën në vijim dhe duke mbështetur në këtë mënyrë konsolidimin fiskal dhe një kombinim të përshtatshëm të politikave.
Raporti vlerëson tendencën e konsolidimit fiscal në 2014-n, por vihet theksi në luftën ndaj evazionit.
Monitor