Kuvendi ka miratuar me 63 vota “pro”, 27 kundër dhe 4 abstenime, ligjin për importin e mbetjeve urbane. Ligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Lgji për mbetjet u shoqërua nga debate të zjarrta në parlament, me mazhorancën që e cilëson draftin në përputhje me standardet europiane, ndërsa opozita akuzoi për mungesë transparente. Kryeministri sqaroi se ligji është ai i Partisë Demokratike, por me disa ndryshime. Ligji parashikon vetëm importimin e mbetjeve urbane për qëllime riciklimi.
Ndërkohë që Kuvendi votonte ligjin e mbetjeve, jashtë vijonte protesta e Shoqërisë Civile, të cilët kundërshtojnë importimin e plehrave, duke i parë ato si rrezik për shëndetin e popullatës. Ndërsa ndryshimet në ligjin e “Kamerave”, pas kthimit të dekretit nga Presidenti Nishani, u miratuan me 74 vota pro dhe 24 kundër.
Zhvillimet minutë pas minute në Kuvend
Ora 18:30 Rama: Mafia punon me qeveritë që riciklojnë armë dhe jo mbeturina
Kryeministri Rama foli përsëri për ligjin i importit të mbetjeve të riciklueshme duke thënë se mafia punon me qeveritë që riciklojnë armë dhe jo me ato që riciklojnë mbetje.
“Ishte e vërtet dje, është e vërtetë sot dhe do jetë gjithmonë që ka një mafie të plehrave që synon territore pa kontroll dhe bashkëpunon me qeveri që nuk kanë interesat e publikut në qendër të vëmendjes së tyre. Nuk kam ç’a t’ju bëj as juve dhe askujt tjetër që këtu ka vetëm një arsye për të marrë fjalën për të cuar axhenden të helmimit sa më intesive të atyre që na dëgjojnë. E vërteta është gjeja e fundit që ju shqetëson kur tregoni popullit brockulla. Në ligjin tuaj kishte hapësirë të plotë që ky ligj i përjashton.
Për djegien, për varrosjen e plehrave të importuara. Ky ligj nuk ka një hapësirë të tillë. Pra Shqipëria nuk hapet ndaj importit të plehrave. Ky ligj krijon hapësirë më të kufizuar se Mali i Zi, Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe të gjitha vendet që kanë qenë në bazë të Marrëveshjesh së Stabilizim Asoccimit të detyruar të adopotojnë një listë të gjelbër komunitare. Kush thotë që këtë ligj nuk e kanë të tjerët nuk di ç’flet.
E dyta është e qartë që mafia nuk punon me qeveritë për të ricikluar letër, për të ricikluar karton, për të ricikluar plastik, për të ricikluar metale të lehta që janë në fakt mbetjet e ambalazheve ushqimore. Mafia punon me qeveritë për të ricikluar armë dhe predha.
Ky ligj nuk lejon as ndërtimin e incerenatorëve me volum të madh që vendet e tjera i ndërtojnë bazuar në kuota importi.
Ka arsye qeveria që të marrë këtë hap edhe për një shkak tjetër dhe unë larg qoftë të mendoj dhe jo ta shpreh për të bërë populizëm dhe për t’iu rrotulluar thikën në plagë atyre që janë në situatë të vështirë….të thithin helmet tuaja që ne jemi qeveri në mbështetje të bzinesit.
Sasia e mbetjeve që parashikohet për tu ricikluar është qesharake në raport me BE-në si tërësi interesash. Është sasi e barabartë me mbajtjen në punë të 4 fabrikave të mëdha për Shqipërinë dhe një dyzine punishtesh.
Kjo është një nga industritë më të sponsorizuara në axhendën globale të mejdisit. Vendet që nuk e kanë këtë industri janë të destinuara të vuajnë dhe janë të destinuara që kurrë mos arrijnë të ngrejnë një sistem riciklimi. Madje po të shikosh gjithë mbështetjen që i bëhet vendeve të varfëra nga strukturat e organziara për mbrojtjen e mjedisit, kjo e riciklimit është ndër zërat kryesorë. Fondacioni Clinton për ca arsye ka dhënë qindra milionë për të bërë këtë gjë në vendet më të varfëra në botë. Që të çojë mafian atje?
Nëse ne do të rrefuzonim të konsideronin 130 mln euro investime në këtë industri dhe të nisëmi nga koka juaj që s’keni parë një fabrikë riciklimi.
Po të merrni të lexoni fjalimin tim deri në fund e kam shprehr që duhet ndaluar tërësisht sot për të pasur kohë që atë pjesë sepse dhe ju e mbronit duke u fshehur pas këtyre argumentave por në ligj e kishit shkruar që mund të bënit import për djegie dhe e kemi ndaluar ne.
Ne nuk mund ta mendonim ligjin sepse nuk kishim asnjë kapacitet që kemi sot. Kemi ngritur dy struktura që janë nën varësinë e Ministrisë së Mjedisit janë në një proces të kahershëm trajnimi nga BE“, u shpreh Rama.
Ora 18:05 Shalsi-opozitës: Po ricikloni një personazh si Sali Berisha
Iniciatori i ligjit për mbetjet, kryetari i komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh se ligji është diskutuar me ekspertët më të mirë të mjedisit. Sipas tij, drafti është i vjetër, ndërsa atij i janë bërë disa ndryshime, duke integruar në të 8 amendamente.
“Bashkë me disa deputetë iniciova propozimin që erdhi pas shumë diskutimesh. Pati edhe kolegë, ekspertë mjedisi, inxhinierë që erdhën me shqetësim dhe merak. I kam ndarë qëndrimet në dy blloqe, dyshinme të arsyeshme dhe kritika të shëndetshme dhe i kam ndarë edhe në atë pjesën e spekulantëve, injorantëve, korit të kukuvajkave duke folur si të shqetësuar se Shqipëria pas këtij akti do të na mbushet me plehra. Ndërkohë që kam shpenzuar orë të tëra duke debatuar me kolegë, ekspertë mjedisi, jo si ato analistët që iu kanë dalë në mbrojtje nëpër studio televizive që nuk ftojnë njerëzit e arsyeshëm, por njerëzit që për interesa personale shfrytëozjnë një rast për të ndjellë panik mes njerëzve“, u shpreh Shalsi.
Deputeti socialist i është referuar edhe akuzave të demokratëve, ndërsa duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, tha se ata kanë ricikluar një personazh si Sali Berisha.
“Po ricikloni një personazh si Sali Berisha, keni ripërdorur një personazh si Lulzim Basha. Nëse doni të shpëtoni reduktoni fenomenin Berisha (Edi Paloka flet nga vendi). Edhe ti i ripërdorur je (i drejtohet Palokës). Ish ministrat po na dalin dhe po na flasin. Tetë vjet rresht më thoni një sembull në të gjithë Shqipërinë. Ku e keni? Kush të flasë, ata që ishin 8 vjet dhe nuk treguan një model të vetëm sesi të menaxhohen mbetjet“, tha Shalsi.
Ora 17:30 Rama, PD-së: Një mbetje keni mes jush dhe s’po e ricikloni dot
Kryeministri Edi Rama sqaroi sërish publikisht nga foltorja e Kuvendit se ligji për mbetjet urbane nuk e rrezikon Shqipërinë, duke theksuar se ai është sipas standardeve më të mira Europiane.
Kreu i qeverisë ironizoi edhe opozitën kur tha se bëjnë si ekspertë të riciklimit.
“Mos bëni si ekspertë të riciklimit, një mbetje keni mes jush dhe s’po e ricikloni dot“, u shpreh Rama.
Një batutë e kreut të qeverisë shkoi edhe për Arben Ristanin.
“Ky nuk është këtu, se ka shkuar të marrë atë që merret në këtë orë“, tha Rama.
Ora 15:55 Blushi: Rilindja voton sot ligjin e PD, te dyja palët e qeshura se po helmojnë
Deputeti socialist, Ben Blushi kundërshtoi projektligjin për importin e mbetjeve urbane në Shqipëri, duke hedhur akuza ndaj të dy krahëve të politikës. Blushi tha se i di arsyet e rikthimit në Parlament të ligjit nga kjo mazhorancë, e cila tre vjet më parë shfuqizoi ligjin e demokratëve. Sipas tij, ligji është blerë nga biznesmenë të interesuar për tregun e plehrave, ndërsa politika thjesht po e zbaton atë.
“Sot, Rilindja ka marrë përsipër të votojë ligjin e PD që e shfuqizoi vetë në vitin 2013-ë. Nuk ka akt më të pastër imoraliteti politik që tregon fundi e një grupi të ndotur që po i bëjnë keq Shqipërisë. Nga nesër kur ky ligj të hyjë në fuqi, pasi ky ligj do ta votojnë, ka vetëm një mundësi, që qytetarët të kalojnë rrugëve dhe plehrat tua hedhin mbi kokë. Por, nuk ka fjalë për të përshkuar atë që po bën sot, po hiqni kufirin për helmet dhe plehrat që nga Europa do të vijnë në Shqipëri. Çfarë ishin ato arsye që iu çuan të shfuqizoni këtë ligj? Për 1000 arsye. Kush ishin arsyet që sot u zhbënë? E di kush janë. Ky është një ligj i blerë, i sponsorizuar. Nuk vjen për shkak të vullnetit, as për të hapur vende pune, as për industrinë. Një nga gjërat që ndërtoi rilindja këto tre vjet, është tregu i ligjeve. Një ligj që blihet, vjen në parlament dhe votohet. Nëse s’ke para ta blesh, do ta blejë kundërshtari yt. Tregu i ligjit ekziston. Duke hequr kufijtë e helmeve, a e dini çfarë merrni përsipër? Të dyja palët janë shumë të qeshura. Pse qeshni? Çfarë bëni sot? Po helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do hapen prej këtij? Sa fëmijë, si ai Arditi i Sharrës, do punojnë atje? Sa fëmijë? Është e poshtër dhe kriminale. Pyetja mbetet, çdo ditë duhet bërë, kush e qeveris Shqipërinë? Një grup biznesmenësh që dje ishin me PD-në dhe sot janë me Rilindjen? Ky grup e futi ligjin në Parlament dhe ju po e votoni”, u deputeti socialist.
Në përfundim, Blushi ftoi qytetarët që t’ua shkruajnë emrat politikanëve në kazanët e plehrave. “Secilit prej jush, t’i shkruhet emri në kazanët e plehrave të lagjes. Nuk dua ta votoj këtë ligj, sepse nuk kam qejf që emri im të shkruhet në një kazan plehrash, siç po zgjidhni ju sot”, theksoi më tej deputeti socialist.
Ora 15:40 Bregu: Shqetësimi im, zgjedhjet e qershorit
Deputetja e PD, Majlinda Bregu, u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të qershorit 2017-ë, janë në rrezik.
Ajo theksoi si shqetësues mosmiratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Nuk dua të përsëris veten me historinë e Dibrës, shqetësimi më i madh është ajo që do të ndodhë në qershor. Ne duhet të kishim shtuar reformëen zgjedhore që e kemi nisur para disa muajsh. Ne kemi kërkuar që reforma në drejtësi të bashkëlidhej me atë zgjedhore, e cila u la pas dore qëllimshëm. A do të jepte Kodi Zgjedhor garanci që zgjedhjet nuk do të manipuloheshin? Kam frikë se nuk do ta jepte, por do të ishte e domosdoshme duke qenë se muajt e zgjedhjeve janë gjithmonë muaj pazari dhe të paktën të kishim rregulluar problemin e financimeve”, u shpreh Bregu.
Ora 15:00 Libanezi, Balla: Gjyqi nga mikja e vajzës së Berishës
“Joana Qeleshi mike e vajzës së Berishës dha këtë vendim për truallin ku do investonte biznesmeni libanez. Qeveria Berisha i kërkoi përqindjen.
Një gjyqtare vetëm e vetëm se është mike e vajzës së Berishës ka dhënë këtë vendim. 45 dynym pyll ishin pronë e familjes Selçuni pa asnjë dokument.
Qeveria juaj nuk ia dha lejen sepse edhe këtij biznesmeni i vutë lakun dhe i kërkuat përqindje njëlloj si i kërkuat biznesmenit pakistanez Zafar Ansar “tha Balla.
Ora 14:40 Mbetjet, Ministri Koka: 3500 njerëz të punësuar
“Në bazë të këtyre mbetjeve është ngritur një industria e riciklimit me një investim prej 200 milion eurove. Në vende të ndryshme industri të tilla subvencionohen nga shteti.
Janë të punësuar e vetëpunësuar 35 mijë njerëz. Falimentimi i kësaj industrie do dërgonte në shtëpi 3500 njerëz, ndërkohë që dramatike do ishte për të vetë punësuarit në këtë sektor.
Me rëndësi është ripërdorimi, riciklimi dhe rikuperimi. Kjo industri ulte kapacitetin prodhues me 30%
Ne kemi bashkëpunuar me shoqërinë civile, kemi hartuar disa ligje, sot ndodhemi përballë një situate ku politika ka humbur besimin.
Në territorin shqiptar nuk do të hyjnë mbetje të rrezikshme Shifrat tregojnë se letër e karton importohet 5 mijë ton në vit, me një cmim 400 euro për ton, eksportojnë letër 240 ton me cmim 250 euro për ton.
Nëse importi i letrës do ishte i importuar nuk do të imporohej me 400 euro për ton por me 90 euro për ton, kjo do të kishte impakt në tregun vendas dhe do rritte ekspertin jashtë vendit.
Industrialistët shqiptarë kanë marrë këto mbetje për ta sjellë në Shqipëri me kosto më të madhe por ne nuk e shohim të udhës daljen nga Shqipëria të gjithë kësaj sasie parash.
Ne ndodhemi përballë shoqërisë civile dhe kontakteve me ricikluesit. Ne jemi të bindur se mbrojtja e mjedisit ka shumë rëndësi dhe ai mund të ruhet me ndalime e moratoriume në lumenj, etj.
Shqipqëria ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Dua të garantoj se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet mos transparecë sipas ligjit“tha ministri Koka.
Ora 13: 25 ‘Mbetjet’, Rama: 3 vite më parë kaos me ligjin, sot laboratori i certifikuar nga BE
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur Projektligjin për Mbetjet duke theksuar se situata sot ndryshon kryekëput nga ajo kohë kur PD propozonte një ligj të tillë dhe e majta e kundështoi. Rama tha, se në kohën e PD, dëshirohej të futej ky ligj, por nuk kishte asnjë laborator ku të bëheshin analizat, dhe mund të futej cdo mbetje e rrezikshme.
Sipas Ramës, sot qeveria ka krijuar kushtet me anë të një laboratori që analizon me standardet e Bashkimit Europian.
“Së pari nëse i referohemi 3 viteve më parë, unë do të bëja të njëjtën gjë, pasi gjithcka ishte jashtë kontrollit, sepse ligji nuk garantonte mbrojtjen nga plehrat e rrezikshme.
E kam thënë, mos sillni shembull Europën, por shikoni që s’kemi asnjë instrument kontrolli.
Në 2013 nuk kishte asnjë lloj kapaciteti në infrastrukturë apo burime njerëzore që mund të garantonte zbatimin e ligjit, ashtu sikur kishte probleme në garancitë e kontrollit.
Sot ka një laborator të certifikuar nga BE”, u shpreh Rama.
Ai tha se do të jenë vetëm tre pika doganore të përcaktuara ku do të lejohet importi i mbetjeve për të patur një kontroll më të mirë të tyre, ndërsa akuzave të opozitës iu përgjigj duke thënë se laboratori i analizave financohet nga BE.
“Sot mbetjet do të hyjnë vetëm në tre pika që disponojnë kapacitet të plotë kontrolli, jo si me ligjin e 2013 ku mund të hynin kudo. Sot laboratori bën të mundur të gjithë analizat e cdo materiali, por kemi edhe një ekip njerëzisht edhe ata të trajnuar nga BE, një program i tërë i BE është vënë në punë për rritjen e kapaciteteve fizike në këtë fushë.
Po të shikoni ligjin, përjashtohet cdo lloj mbetje për arsye incenerimi përvec pjesës së listës dhe cdo mbetje importohet vetëm. 3200 punonjës sot të regjistruar.
Masë paralele, heqje e taksës 50 lekë për kg plastikë, që pengon stimulimin e mbledhjes brenda, ndërkohë që duke hequr taksën për mbetjet brenda nuk do ta lëvizim për jashtë, që është 100 lekë për kg.
Heqja e taksës do të rrisë kapacitet e brendshme për të pasur një hartë tjetër për pak vite.
Ligji, impuls të domosdoshëm industrinë, që në tre vitet e fundit ka kryer investime serioze. Në Shqipëri ka fabrika të riciklimit të certifikuara nga BE.
Sot disponojmë edhe mbetjet hartën dixhitale të strukturës fizike të vendit tonë“, theksoi kryeministri Rama.
Ora 13:00 Rama: Kanabisi, Berisha si ‘Eskobari’ Guvernator i Lazaratit
“Më kishte shpëtuar deklarata për biznesmenin sepse nuk jam fansi juaj. Ti të vret natën dhe të qanë ditën.
Përsa i përket drogës, më duket si guvernatori i bankës së Lazaratit në mërgim. Më duket si Pablo Eskobari, që i bënte thirrje botës për të mbrojtur familjes e tij, para se të përfundonte në duart e policisë.
Një gjë Sali, drejtoni thirrje botës, ndërkohë që bota i ka sytë këtu, nuk është se bota nuk e sheh dhe nuk e ndjek atë që ndodh dhe posaçërisht për cështjen. Keni tre vite që përpiqeni ta ngrini, duke besuar që sa më shumë ta godisni, aq më shumë besoni se publiku do të besojë të vërtetën.
Në këtë mes është ajo bota, që këtë vit ka marrë lirinë e plotë e të gjithë hartën e vendit për të kryer fluturime për kanabisin. Me një teknologji më të avancuar.
Guardia di Finanza, i ka kryer operacionet e vëzhgimit dhe do të raportojë publikisht. Sali qetëso pak fotokopjet që flasin në emrin tënd këtu.
I bëre thirrje NATO-s, por jep një shpjegim se si shpjegohet sesi DASH në 2014 dhe 2015 flet për rezultate mbreslënëse falë angazhimit lidershipi politik.
Ju jeni kyçur në parcelën tuaj që po zvogëlohet ditë pas dite do të shikohet në 2017 sa jeni zvogëluar në krahasim me 2013.
Jam i gatshëm që të bëjmë një përpjekje që raportin e gjithë operacionit të Guardia di Finanza mbi Shqipëri ta shikojmë këtu në këtë sallë që të mbarojnë akuzat me shpifje dhe me baltë, që për më tepër vijnë nga guvernatori i bankës së Lazaratit.
E keni bërë Saliun si plakën Nurihan, vetëm ky iu ka mbetur se ky është opozita, të gjithë të tjerët janë shoqëruesit e tij.
Dy fjalë edhe për ARMO-n. Berisha nuk di dallimin mes një kompanie private dhe një shtetërore.
Ja shite ARMO-n, atij që ti e quaje Nastradini, tani vjen edhe kërkon llogari, kompania e zhytur në borxhe.
Të huajt kanë ardhur dhe kanë ikur, nuk e kishin me qeverinë, por me bankat.
Akuzat për drogën i keni për humbjen e Lazaratit. Ju komunikatat e policisë i kishit sekrete, ne i kthyem në publike, por hartat në kohën tuaj janë aty nga Guardia di Finanza, kishit degë në të gjithë Shqipërinë.
Hektarët e mbjellë nga ty Sali dhe me Gaten në 2013 janë rekord dhe vjen këtu dhe bën moralistin.
Ndërsa ty Jozefinë të ka mbetur mendja te avioni, pasi ke qenë gjatë gjithë kohës në avion, turist politik dhe sot,….ctë bësh.
Kanabisi është një problem, por luftën që i bëjmë ne nuk imagjinohej 3 vite më parë. Ndërkohë që ju në vitin tuaj më të mirë keni shkatërruar 7% në 2013 0%. 232 hektarë me drogë i kishit në Lazarat.
Kishte të drejtë Ngjela kur thoshte ti thoje Salit për të matur tavolinën nuk e dinte nga ishte gjatësia nga gjerësia“.
Ora 12:30 Berisha: Kanabisi në Shqipëri, minierë floriri për ISIS
“Akti i turpshëm dhe i pafytyrë që sot do të bëjë ky parlament. Sot unë dua të jap alarmin, të shpreh shqetësimin për dramën në të cilën është zhytur Shqipëria.
Sot siguria kombëtare është më e kërcënuar se kurrë në historinë e vendit nga lufta. Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e dikurshme të Europës.
Kanabisi në Shqipëri do të jetë minierë floriri për ISIS. Ndërkombëtarët ta marrin në mënyrë më serioze.
Kurrë nuk ka qenë më e kërcënuar siguria kombëtare. Një vend anëtar i NATO-s s’mund të bëhet kërcënim për aleatët.
Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafik droge dhe dalim këtu. Më parë kishte, por kishte një luftë ndaj kanabisit, pas moratoriumit, Italia hoqi kontrollin e hapësirës ujore. Ju nuk fluturoni me presh mbrapa, por me para mbrapa.
Po bëhemi rrezik për NATO-n dhe fqinjët, a ka përgjegjësi këtu apo jo?
Policia është shndërruar në kanabiste. Kanabisi është helm social, kurrë droga nuk zhvilluar një vend, vetëm e ka rrënuar.
Viti tjetër do të jetë i lulëkuqeve, opiumit. Sot jemi vend i hapur, jo më i mbyllur. Thirrje NATO-s të marrë në analizë gjendjen e drogës në Shqipëri, pasi ju garantoj shumë shpejt do të jetë një financues i ISIS, thirrje BE dhe KE.
Në Xibrakë ngarkesa që u kap ishte e fundit, dy anije të tjera me kokainë kanë hyrë në Shqipëri. Sigurisht kur janë të lidhura me qeverinë janë të mirëseardhura.
Kanabisi në qeverinë e PD? Po, po u reduktua, pasi u luftua. Janë dhënë leje për 1500 skafe, me në krye ministrin e rendit.
Investimet e huaja. Rama përmendi investimet e tre muajve të fundit. Përsa i përket rrahjes së biznesmenit jam prononcuar dhe e kam dënuar. Dënova me ashpërsi krimin e mafies qeveritare ndaj biznesmenit libanez.
Një javë më parë kam denoncuar sulmin brutal ndaj biznesmenit Mitri dhe kam kujtuar kërcënimin me jetë konsullit të Libanit, se gjeti një investitor për ARMO-n.
Vijmë te rasti konkret te gjykatësi?
Akti i parë që ka bërë Rama, pasi erdhi në pushtet, ndaj kësaj kompanie, më datë 29 shtator 2013 ishte prishja e kontratës së qerasë në lidhje me pronarit të ligjshëm.
Në datë 22 shkurt 2014 me urdhër të Ramës është zgjidhur tërësisht kontrata e shoqërisë OMNIX Albania. Pra nga data 22 shkurt OMNIX Albania sipas Ramës nuk kishte më asnjë të drejtë kontraktuale në Shqipëri. Isha unë në pushtet apo ju?
Rama, njeriu që zgjidhi kontratën unë isha në opozitë. Por më pas ndodhi e njëjta gjë si me plehrat, valixhja 4 milionë Euro. OMNIX iku, kur pas dy vitesh, më vjen në zyrë njëri nga kryesorët e familjes në Katar dhe më njofton se Rama se më thotë aman filloi sa më parë.
I thashë më bëhet shumë qejfi. Prisni! Këta thonë se u zhvillua një gjyq, por kur? Gjyqi nuk u zhvillua në Korrik 2012 apo 2014, por të 2016.
Gjyqin nuk e ndoqën me Hickën dhe Dakën e tij, ky e mbylli gojën nga shupi parave, ky i ka nxjerrë bandat e mafies në rrugë atij.
Unë nuk heshta, por e akuzova direkt këtë për aktin, ndërsa ky ka marrë tokën me Besnik Sulën
Rama turizëm kanabist në veri. Përsa i përket plehrave qeveria ime nuk ia bllokoi referendumin qytetarëve. KQZ e kishim, edhe presidentin e kishim propozuar ne, por qeveria ime nuk bllokoi ligjin, ndërsa ky bllokon referendumin” tha Berisha.
Ora 12:15 Rama: Gjykatësja e Berishës dhunoi biznesmenin libanez
“Më vjen mirë që mbasi flisni broçkulla ikni se nuk doni të dëgjoni përgjigjet. Përsa i përket ligjit tw plehrave do të flas më tutje.
Më bëri përshtypje ligjërata e Tabakut dhe recitimi i lotëve të krokodilit për sipërmarrësin që u bë lajm ditët e fundit për shkak të dhunës.
Investimet e huaja në tre mujon e dytë janë 261 milionë euro, tre mujori më i lartë i tre viteve të fundit. Po kështu është kur as lexon edhe as kupton, Sali koha jote ka vdekur, sa herë merr fjalën do të na cosh për vizitë në varrezën e kujtimeve të tua, thuaja vetes para pasqyrës.
Sot sipërmarrësi që u largua mund të shikojë para pasqyrës plagët e sistemit që ngrite ti. Biznesmeni erdhi në zyrën time dhe më ka shtruar të gjithë kalvarin e zvarritjeve dhe tmerreve të viteve të tëra kur nuk merrte dot zgjidhje për probleme të natyrës administrative.
Qeveria jonë ia ka zgjidhur të gjitha problemet dhe pas zgjidhjes, pa pritur del dhe i jep dajak një gjykatëse që kthen pronë brenda zonës së investimit në korrik të këtij viti, që u bë shkak për konfliktin.
Atë goditje, ata që ia dhanë, sepse fuqinë e morën nga gjykata e tua Sali dhe nga sistemi që ngritët që ju dhe me reformën në drejtësi ne duam ta përmbysim me Vetingun.
Kështu si ajo gjykatësja bën kthim prone me motivacion, që ata që e marrin kanë korrur barin aty. Gjykatësja dhe fijet e interesit që lidhin vendimin e gjyqit me korrësit e barit dhe nuk pate kurajon që ta mbroje atë njeriun atje.
Ata që e goditën ishin arma, pasi dora ishte gjykatësja. Është e lehtë shumë të çohesh. Kjo qeveri ka përgjegjësinë të merret me ndërtimin e të ardhmes, por edhe me çminimin e zonës ku operojnë. Si ka mundësi që barbarizohet një sipërmarrës dhe Saliu nuk flet, që nuk lë shpifës dixhital pa e promovuar në fletën e fletërrufeve dhe nuk hap gojën për atë që nuk barbarizohet atje.
Goditja e sipërmarrësit nuk i edh nga klima e biznesit, por nga gjykatësja. Kositësi i barit bëhet pronar dhe i kthehet prona brenda hapësirës së investimit. Ai është viktimë e sistemit të drejtësisë që ngriti PD, nuk ka të bëjë me vullnetin e qeverisë për të mbështetur investitorët e huaj. Ka pasur të gjithë dokumentet për të filluar punën dhe papritur i shfaqet një gjykatëse që Saliu e njeh mirë.
Sali , përgjigjen e morët në Dibër, por do ta merrni akoma më mirë vitin tjetër nga Kukësi deri në Vlorë“tha Rama.
Ora 12:10 Deputeti socialist thumbon: Këtej rrihen biznesmen, andej shpëtohen kotele
Deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaçi teksa ka folur në Kuvend ka thënë se qeveria duhet të mbështesë investitorët dhe tu krijojë atyre kushtet për investime të sigurta në vendin tonë.
“Investitori që iku me barrelë është ngjarje e dhimbshme ndaj sipërmarrjes dhe të ardhmes së turizmit e Shqipërisë.
Prej 25 vitesh përsëritet e njëjta histori që dhunohen dhe dështojnë në investimet që ndërmarrin duke na çuar 10 vite më pas. Qeveri më të paafta në këto 25 vite nuk ka më.
Nuk kemi thithur investitorë. Duhet të ndryshojmë të gjithë. Duhet të heqim dorë nga s’mira kolektive.
Duhet ashpërsuar dënimi e të konsiderohet kriminale qëllimi për të lincuar bizneset. Investitorët janë si pëllumbat, duhet bërë kujdes që ti mbajmë.Kemi humbur shumë më shumë sesa resorti i biznesmenit libanezo-amerikan.” tha ai.
Industria e riciklimit është qasje e rrallë
Duke u ndalur tek çështja e importit të mbetjeve ai ka shtuar se investimet e industrisë së riciklimit të mbetjeve është një qasje e rrallë që duhet mbështetur.
“Për mbetjet, të gjithë vihen në ndërgjegjie për të garantuar një sektor si industria e riciklimit. Është një qasje e rrallë që duhet mbështetur. Qevera nuk duhet të mbështesë vetëm investitorët por duhet ti paraprijë në çdo sektor problemit.
Në një vit shteti investon 500 milion euro, investitorët 1 miliard, invrestitorët privat 3.5 miliard euro. Histroia e nxitjes së biznesit duhet trajtuar me përgjegjësi dhe duhet konsideruar kriminale çdo iniciativë për ta intimiduar” tha ai.
Ora 12:00 Berisha: Qeveria largoi biznesmenin libanez
Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar qeverinë për largimin e biznesmenit libanez nga Shqipëria.
“Në kohën time investimet në 5 vitet e fundit arritën një mld $”. Berisha akuzoi Ramën se akti i parë që ka bërë kur erdhi në pushtet ishte anulimi i lejes për investimin e biznesmenit libanez që u dhunua, por që më pas sipas ish-kryeministrit, “E rikthyet, pasi i bëtë ryshfet, ndërsa ia morët sërish se doli ryshfet më i madh” tha ai.
Ora 11:40 Papa: Shqipëria plot me plehra, nuk mund të importojë
Deputeti demokrat Gjergji Papa ka qenë i ashpër në fjalën e tij për Ligjin e Mbetjeve. Sipas Papës, nuk është marrë asnjë masë për diferencimin e mbetjeve, dhe se PS ndryshe u soll në vitin 2013 kur PD propozoi një ligj të tillë dhe ndryshe po sillet tani. Papa vuri në dukje se Shqipëria nuk po pastron plehrat e veta dhe e ka tepër të importojë.
“Rama e shfuqizoi vendimin e marrë për çështjen e mbetjeve. Ju folët shumë atëherë, por krejt ndryshe po silleni tani. Ju nuk keni bërë asnjë gjë për diferencimin e mbetjeve dhe Shqipëria është e mbytur nga mbeturina. Ky vendim tregon se kundërshtia që i bëtë 3 vite më parë ishte demagogji.
U tha atëherë se ka mbetje në vend, por tani thoni të kundërtën. 80% e mbetjeve është e paprekur për riciklimin në vend. Për të kompensuar ricikluesit kërkohet rritje e interesit. Situata nuk është përmirësuar në 3 vite, por është përkeqësuar. Lejimi i importit do të pengojë riciklimin e mbetjeve të vendit. Kjo qeveri nuk i mbajti premtimet për riciklimin e mbetjeve.
Në industinë e riciklimit po shfytëzohen minorenët. Mbetjet asgjësohen në vendgrumbullime pa asnjë kriter. Shqipëria nuk është vend më i pastër se tre vite më parë, nuk ka më pak mbetje se tre vite më parë. Është vend i tejndotur nga plehrat e hashashi.
Shqipëria nuk mund të importojë“.
11:40: Bare: Do kufizohet lista, perjashtohen disa materiale
Deputeti socialist Besnik Bare u shpreh në seancën e sotme se, lista prej me llojet e mbetjeve do të kufizohet. Bare tha se janë përjashtuar materialet e plumbit që ishin të rrezikshme.
“Lista prej 25 rrymash mbetje që u përcaktua në vitin 2012 do të kufizohet akoma më tej. Në listën ekzistuese që ka qenë ka pasur edhe materiale plumbi që ishin të rrezikshme dhe që atëherë ne thamë se duhet të përjashtohen.
Do ketë elementë të tjerë të cilët nuk do të jenë në listën e mbetjeve që do të importohen. Këshilli i Ministrave do të investigojë për kapacitetet dhe aktivitetet e këtyre industrive për lëndën e parë. Penalitetet janë të ashpra në kodin e ri dhe është shtuar një nen për transparencën.
Me këto kufizime, them se është më kollaj të sjellësh ushqime të kontaminuara sesa mbetje të rrezikshme. Mbështes iniciativën e LSI për pjesëmarrjen e Shoqërisë Civile.
Ndarja e re territoriale ndihmon ndarjen e diferencuar. Doganat nuk vlerësohen më problematike si më parë, kapacitetet monitoruese tashmë janë adeguate.
Ka një strukturë inspektorati shtetëror për mjedisin e pyjeve dhe ëhstë në gjenje të kontrollojë e monitorojë cdo gjë për mjedisin.
Mbetjet në Shqiëpri kanë ardhur, por në një formë tjetër duke u përdorur fuqia punëtore shqiptare, por mbetja procedohet. Shteti shqiptar merr produkte të ricikluara.
Ka më shumë se 3 mijë punëtorë qe do te punesohen dhe pritet që të rritet ky numër. Ne duhet ta stimulojmë për menaxhimin e integruar të mbetjeve. 15% eshtë rritur niveli i aktivitetit të biznesit riciklues në vendet e zhvilluara dhe është biznes e vendeve të zhvilluara. Ne nuk po sjellim mbetje të rrezikshme.
Ne vendosëm moratoriumin për pyjet, gjuetinë.
Është i drejtë shqetësimi se nuk do të pastrohen mbetjet pasi vijnë nga importi. Ne duhet të gjejkmë mekanizma ekonomik për të stimuluar biznesin vendas dhe demotivuar importin.
2.Ky mekanizëm ekonomik me ndarjen e re teritoriale dhe angazhimet e bashkive dhe qeverisë jam i bindur se biznesi vendas nuk do arrë plastika apo kanoce nga jashtë pasi ajo që do prodhohet në vend do të jetë më e lirë.
Kjo nuk është sfidë vetëm e politikës, Shoqërisë Civile, por e gjithë shoqërisë shqiptare.
Ne shumë shpejt do kemi shembuj të ndarjes së mbetjeve dhe furnizimit të industrisë me mbetje të vendit.
Ne duhet të mendojmë për mijëra familje që jetojnë me këtë lloj biznesi”, tha Bare.
11:30 Meta: Mund të përgjigjen Koka dhe Shalsi
‘Këtu kemi nismëtarin dhe ministrin për t’iu përgjigjur nëse keni pyetje” tha Meta pas kërkesës së Palokës.
11:20 Paloka: Rama të flasë për ligjin e plehrave
Kreu i grupit të PD, Paloka në fillim të seancës plenare kërkoi që kryeministri të jetë i pranishëm edhe të prononcohet për projektligjin për importin e mbetjeve.
“Kam vetëm një kërkesë në fillim të kësaj seance. Kërkoj që kryeministri të jetë i pranishëm dhe të mbajë një qëndrim për ligjin e mbetjeve. Kjo është një nismë e dy deputetëve të shumicës, prandaj, unë, opozita dhe të gjithë shqiptarët donim të dinim qëndrimin e kryeministrit” tha Paloka.
11:15 Nis seanca plenare në Kuvend
Debatet për ligjin dhe miratimi në komision
Kuvendi pritet të miratojë sot ndryshimet në ligjin për mbetjet që lejojnë importin e tyre. Nisma e propozuar në 2013-ën nga Berisha dhe e shfuqizuar menjëherë nga Rama sapo erdhi në pushtet, rigjeti sërish mbështetjen politike me kërkesë të firmave të riciklimit të mbetjeve që operojnë në Shqipëri.
Palët janë dakordësuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku drafti mori votat e PS-së, LSI-së dhe të PD-së, e cila pati vetëm 2 abstenime. Vetëm 24 orë përpara votimit në Kuvend, LSI ka depozituar një amendament përmirësues, që ju jep mundësi organizatave të shoqërisë civile të monitorojnë direkt në doganë procesin e futjes së mbetjeve në vend.
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dorëzoi dje amendamentin, dhe shpjegoi se qëllimi i ndryshimeve të propozuara në ligj, është transparenca dhe monitorimi. “Amendamenti ynë ka një qëllim të vetëm transparencën.
Erdhi pikërisht në këtë kohë, pasi u konkludua pas gjithë debatit të gjerë që u zhvillua se sigurisht ishte një debat i tërë në proces dhe bindja e grupit ishte që amendamentet e propozuara kishin nevojë dhe për një plotësim të mëtejshëm, që jep një përgjigje mosbesimi të theksuar. Besoj që në gjykimin tonë është koha e duhur për ta bërë këtë ndërhyrje dhe Parlamenti ka të gjithë mundësi që të shprehet, pse jo pozitivisht për këtë çështje. Ky është një amendament që është përpiluar nga ne dhe që është në detyrimin e Parlamentit për ta shqyrtuar dhe për t’u shprehur për të”,-tha Vasili në një komunikim me median.
Ai shtoi se problemi i industrisë së riciklimit është i prekshëm, por njëkohësisht ligji duhet të garantojë monitorimin. “Njëra është një realitet konkret i sipërmarrjes në këtë fushë, pasi industria e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri, sikurse është e njohur dhe është bërë publike, është një investim dhjetarë milionësh dhe në të cilën para të gjithash janë të punësuar mijëra qytetarë. Pra, është një realitet faktit që ekziston dhe funksionon në Shqipëri.
Së dyti, ka edhe një shqetësim dhe një sensibilitet shumë të gjerë lidhur me këtë çështje, një sensibilitet i shoqëruar me një shqetësim të thellë, ky është evident. Një mosbesim i shtrirë ku shoqëria civile ka qenë në vijën e parë për këtë çështje, por ka qenë reflektuese e një shqetësimi më të gjerë mbarëqytetar, që ka kulmuar me veprimin e shoqërisë civile. Besoj që ky mosbesim, i cili për të qenë objektiv, nuk është një dukuri që shoqëron vetëm këtë çështje, por është një mosbesim i hapur në shoqërinë shqiptare, është një çështje që kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë”,-tha Petrit Vasili.
Ai renditi argumentet se amendamenti i tij mund të çrrënjosë klimën e mosbesimit mes sistemit doganor dhe qytetarëve. “Ka edhe një përcaktim tjetër, ku të gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve doganore të lejojnë pa asnjë kufizim që ky monitorim të kryhet.
Besojmë dhe kemi bindje të plotë për këtë çështje që ky raport mosbesimi të thellë merr një përgjigje të drejtpërdrejtë, pasi në mënyrë konkrete thënë më thjeshtë duke i prekur me dorë gjërat, kemi mundësi të konstatojmë se si do të zbatohet në praktikë ky legjislacion, që mëton të jetë gjithnjë e më shumë një legjislacion bashkëkohor dhe a zbatohet në përputhje të plotë me atë që është shkruar. Besoj që amendamenti është pra përgjigja më e mirë ndaj këtij mosbesimi dhe besojmë që ky dimension transparence që realizohet me këtë amendament në gjithë raportet ku ka mosbesim, është një dimension që duhet të në shoqërojë edhe për nismat e tjera, jo vetëm ligjore, por edhe të karakterit politik,”-tha Vasili.